Press "Enter" to skip to content

Dimitris DIMITRIADIS: Apokalipsi i Kasandrës (fragment)

47Shares

O dashni dashnie
O dashnia ime
dashnia ime
E dashnuara ime
I dashnuari im
Dashuri dhe dashni bashkë në nji
Kjo ndodhi
Kisha dhuntinë e profecisë dhe njihja
gjithë misteret e kisha gjithë dijen
por nuk kisha dashni
ndaj isha një hiç
Flisja gjuhët e hyjnive,
por isha një timpan i pazë,
se kisha dashuri pa dashni
Tani kam se të kam ty
ndaj shihemi fytyrë më fytyrë
Nuk je më enigmë për mua
se dashuria me dashninë jemi unë e ti
Dashuria shpëton jetë kur është dashni
dashnia është mike bujare
pa zili e krekosje
pa shëmtime e egoizma
pa keqdashje
mirëdashëse e çiltër
gjithçka e duron dhe gjithçkaje i beson
që në gjithçka shpreson e gjithçkaje i reziston
Dashnia s’do rreshtë asnjëherë së ekzistuari
profecitë do ndalojnë
gjuhët do heshtin
gjithë dija do zhduket
Vetëm dashnia është dituri
dhe vetëm dashnia profeci
Pa dashni nuk ka dashuri
Me dashninë kam dije të plotë
Dashnia është dija e njerëzve
Besim shpresë dashni
Nga të tria më e epërmja dashnia
Se dashnia është përsosje
dhe përsosja është pranim i përkryer dhe përkim i
përkryer

Përktheu nga origjinali Eleana Zhako

Pjesë nga parathënia e librit, “Apokalipsi i Kasandrës”, Botimet Albas.
Vështirësia kryesore në sjelljen e këtij libri në shqip qëndronte në shqipërimin e disa neologjizmave letrare të Dimitriadisit, në kompozitat e përdorura dhe në fjalët sinonimike me rrënjë a parashtesa të përbashkëta. Një ndër këto fjalë ishte dhe fjala dashuri, e cila në vepër haset në dy forma, αγάπη (agapi), që do të thotë dashuri dhe αγάμη (agami), e cila përbën një neologjizëm letrar të shkrimtarit dhe nënkupton aspektin erotik të dashurisë, jo si aspekt dytësor, por si diçka më e lartë nga dashuria. Për këtë arsye, që të ruhej forma dypërmasore e fjalës dashuri në shqip, pa ndryshuar fjalën dashuri, forma dashni e gegërishtes erdhi si zgjidhje deus ex machina. Rrjedhimisht, fjala dashuri ka kuptimin e saj parësor në vepër, ndërsa fjala dashni ka kuptimin e ngjizjes mishtore. Gjithashtu, një veçori tjetër e autorit është mungesa e përdorimit të presjeve, çka i jep lexuesit mundësinë t’i japë monologut ritmin dhe frymëmarrjen që dëshiron, të krijojë grupime fjalësh, në varësi të intonacionit dhe përjetimeve intime.

Përkthyesja

Të tjera nga ky autor:

47Shares