Press "Enter" to skip to content

Alban TUFA: Tjetri është versioni ynë

(Ose një cikël me poezi, që duhen lexuar disa herë)

Fshati në version

Fshati është i vogël,
sa një grusht,
do thoshte ime gjyshe, po të ishte gjallë.
Aty mes malesh rri fshati
siç rrinte ftoi mes të linjtave në sepetin e saj.
Përfytyrimin për fshatin,
e mbajnë gjallë gjyshërit ose kujtimet rreth tyre.
I vogël është fshati
por besimin e ka të madh.
Në fakt veç njerëzit që besojnë,
e kanë të madh besimin,
të tjerët
i japi tipare përfaqësimi politik:
luten ata për ne.

Dihet që për t’u quajtur fshat duhet të kesh
një dyqan
një xhami
dhe një bar-kafe
të jesh
njëfarë kopje e qytezave
me tre vende publike
që rrisin pritshmërinë
siç rrisin subjektet.

Prej xhamit të bar-kafesë
shfaqet xhamia me xhama harkuar,
brenda shtatë njerëz me safë drejtuar nga Kibla
i luten Zotit.
Përtej xhamit të harkuar të xhamisë
duken xhamat e dyqanit me njerëzit në radhë
që i luten shitësit për një qeskë ushqime hua.
Në kafenenë prej xhamash duket burrnia e fshatit
tek shkarkojnë shqetësimet mbi tavolinë
e me gota mandej i rrëkëllejnë stomakëve.

Drama e fshatit
plotësohet në mënyrë të përpiktë nga reshjet borës
që nuk sjellin gjë tjetër veç gëzimin e fëmijëve aty për aty,
ose minimalisht nga reshjet e shiut,
për të cilin fshatarët u lutën gjithë verës.
Prandaj lutjet nuk plotësohen,
se prej tyre ka nga ata që nuk luten,
duke i ngritur dilemat si plepat dhe arrat në hyrje të fshatit.

Plepi dhe arra
me tipare krejtësisht të kundërta:
arra që rritet dëshpërimisht ngadalë
me degët e hapura, si germa arabe
dhe kokrrat gjithë të ardhme;
plepi që rritet befasisht shpejt
me degët e drejta si germa latine,
pa kokrra.
Kështu ndahet fshati
në arra dhe plepa,
të majtë dhe të djathë,
të pasur dhe të varfër,
besimtarë dhe jobesimtarë,
farë dhe filiz.

Kështu plepi dhe arra,
që rrinë anëve të fshatit,
krijojnë versionin më të mirë të bashkëjetesës,
duke mbirë e u rritur buzë varrezave,
se pikërisht varrezat
paralajmërojnë hyrjen në fshat.

Kthimi

Kthimet, këto mundësi për t’i ribërë gjërat, e dashur,
ndodhin vetëm për të gjetur paqen.
Ne e dimë se një mundësi e dytë
është rruga ku nis pendimi,
pas pendimit lind zhgënjimi,
e kështu me radhë
duke përmbyllur një rreth kthimi.
Kthimet, sidomos kthimet e befta
ndodhin për shkak të harresës
për të marrë çelësin,
për të parë detajet e një fotoje,
për t’i nisur gjërat me emrin e Zotit.

Ndërsa disa kthime të detyrojnë
për të marrë shijen e ditës së djeshme,
si bleta që kthehet çdo ditë
në të njëjtën tokë, në të njëjtën lule,
si njeriu në shtëpinë e vjetër
për të përtërirë disa kujtime.

Kështu unë kthehem te ti çdo mbrëmje
duke zbutur të gjitha konfliktet me botën
siç i zbut rrobat e bardha në ujë
dhe koret e bukës në qumësht.
Nuk lodhem duke u kthyer te ti
siç nuk lodhet nata duke iu kthyer ditës,
qetë, pa kurrfarë metafore.
Ti je ditënata ime që më përkufizon
duke ripërkufizuar nga pak botën, nga pak veten.

Kthimet janë të thjeshta, e dashur,
janë detyrimi më i bukur që duhet të përmbushim.
Ti e di, të lexohet në ballë sa herë më thua:
duhet të kthehesh shpejt sot.
Kaq mjafton për kuptuar se më do
pa bujë dhe pa fjalë patetike.
Të dy e dimë se po piqemi,
prandaj në vend se të thuash që të dua,
më shkruan: A po kthehesh?
Kam bindjen se veç ujit, edhe kuptimet marrin formë,
atë formën e botëve tona prej ikjesh dhe kthimesh.
Ti ia di hilet kthimit,
prandaj çdoherë nuk harron të më shkruash: Po kthehem.

Pas vetmisë vjen heshtja

Pas vetmisë vjen heshtja.
Prania e saj lëshon piskamë,
tmerrshëm e tashmja të pickon në tru:
-Ku i ke gjësendet e bukura që ia premtove vetes?
-A i sheh ëndrrat duke rënë rrëpirave të tua?
Ti kurrë nuk je vetëm,
sepse të jesh vetëm është e frikshme.
Sa herë vetmia kthehet,
të kërkon llogari
për shumë gjëra të pasosura,
për më shumë të tjera të sosura keq.
Si xhelat ta pret buzëqeshjen.
Në ngutin e rrethanave ti nxjerr celularin,
heton jetët publike të njerëzve që njeh vetëm ti.
Ja se si i bën bisht vetes.
Zotësi, as po?
Sa të bukura jetët e tyre,
vetëshpallin veç lumturi,
sidomos kur i krahason me jetën tënde plot brenga.
Krahasimi –
ky abstragim që zhvlerëson palën kundërshtare
në mënyrë të pandershme,
duke i shitur të ndryshmet si të njëjta.
Lehtë gjykohen tash çështjet me “like”:
sa më larg vetes,
sa më afër tjetrit.

Ti thua: gjëja e tjetrit është më e bukur
pikërisht se nuk ua di të metat.
Gjërat nuk kanë shije tash,
i shtrydhe të gjitha
dhe pas mbeti vetëm zhgënjimi
si peshk i rrëshqitshëm nëpër ujëra të huaj,
zbrazëtinë veç e thith si oksigjen.

Nuk je vetëm.
Kështu bëjnë edhe ata,
duke të mashtruar herë ty dhe herë veten.
Kështu bëjmë edhe ne,
kur rrahim të shmangim vetminë,
duke e lënë veten krejtësisht vetëm.

Shtator 2020

Ujdia

(Kushtuar xhaxhait tim A.T)

Varret varg, qetë, rrinë shtrirë.
Në kodër, heshtur mbajnë vesh.
Pse biri iku trungut: rrëshirë,
ç’iu desh?!

Kodra është koha që shkau beftë:
e ardhmja që ngutet të vijë:
e tashmja hidhet në jerm, mprehtë:
gjithçka të dijë.

Përrotull zhurma, dyndur fantazma:
më lypin me kast llogari.
-Nëse nuk vjen të na heqësh mallin,
vijmë ne te ti.

Zëri përmbytet, thërrmohen përgjigjet
t’ia mbaj se nga, nuk e di,
të jem edhe vetë fantazmë më jepet,
të bëj me ta një ujdi.

Fantazmat e mia janë unët e lënë
rrugës për te e nesërmja
hahen të gjitha dhëmbë për dhëmbë
se kush shkau e djeshmja.

E pamundur të gjendet koha e duhur
mes të tilla nyjesh
nuk jam e djeshmja, nuk jam e nesërmja
jam kohë-e-vend yjesh.

Nëntor 2020

Tjetri

Tjetri na shërben në njëfarë mënyre
për të parë veten si para pasqyre,
me korniza të thyera, gjithë vjetruar
në rendin gjërave për t’u ndërruar.
Tjetri është shuma e gjërave që
nuk deshëm kurrë të na ndodhin më;
kundër-ëndrra jonë e parë çdo ditë
se tjetri besnik na shërben si sitë
për zhavorrin e veseve dhe gjesteve
tiparet e sekteve, pre e preteksteve.
Tjetri është, le të themi, mungesa,
njëkohësisht ploti, njëkohësisht shtesa
vija e drejtë për te fundi, është kthesa
gjarpërimi ynë, përrethi, lakesa.
Tjetri jam unë me njëmijë brenga,
tjetri është ai, sa herë e prek lemza,
tjetri është gjithsej tabelë qitjeje
ku shmangim beftë çdofarë përpëlitje
pak duke folur, pak duke vrarë;
tjetri është aludimi ynë – mullarë.
Tjetri janë ata që ne dot s’u bëmë,
ose jemi ne, nga vetja përzënë.
Tjetri është kushdo që duke kërkuar
veten e gjen kacavjerrë me duar.

Fundi i shtatorit 2020

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!