Press "Enter" to skip to content

Ervin NEZHA: Fati i individit në tranzicionin traumatik – 800 hapa larg Venerës!

Tranzicioni dhe individi janë dy nga modelet më të dallueshme që ndërtojnë universin letrar të Virion Graçit. Thuajse në gjithë veprën romanore të Graçit, këto dy elemente janë kryetema, që udhëheq si lokomotivë motivet e tjera dytësore të romaneve të tij. Edhe në romanin e fundit, “800 hapa larg Venerës”, fati i individit duket i zënë në grackë dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm të “heroit” (nëse mund të quhet i tillë), por personazhit në tërësi si njësi romanore, i cili duket se asnjëherë nuk e ka të garantuar qëndrueshmërinë e botës, qoftë edhe i pajisur me “mjetet” më të sofistikuara për t’ia dalë mbanë. Duket sikur Virion Graçi ngre një pyetje, sa permanente aq edhe paradoksale, duke i vendosur personazhet përballë një dileme “të sikletshme”, me të cilën zgjohemi çdo mëngjes: “Ndershmëri me turp apo maskarallëk pa turp?” dhe këto zgjedhje diktojnë fatet e personazheve, që përcaktojnë edhe dramën e tyre. Personazhi qendror, Kristofori, është një personazh pa plan, pa ide, i cili vërtitet nga njëra situatë në tjetrën, nga ngjarja në ngjarje. Mirëpo, kjo mungesë orientimi nuk vjen nga fakti i një mungese së racionalitetit mendues dhe veprues, përkundrazi, këtu qëndron edhe paradoksi i madh; ky zotërim racionaliteti, që duhej të ishte stabilizues i një realiteti normal, shndërrohet në pikën destabilizuese, që ia kthjellon vështrimin për ta njohur mjedisin e falimentuar ku i duhet të lëvizë. Vorbulla e tranzicionit të stërzgjatur është e fuqishme, ajo krijon paradokse të mëdha për mendjet normale, sjell anomali, shkakton viktima. Asgjë s’ka ndryshuar; me mjetet e komunizmit nuk mund të ndërtohet demokracia, ashtu siç nuk mund të ndërtohet dita me elementet e natës.
Në leximin tim, një viktimë e madhe e tranzicionit traumatik është Zana, bashkëshortja e Kristoforit, e cila e nxit të shoqin të veprojë si dikush që nuk është. Këtë gjë bën edhe politika kundër Kristoforit, mirëpo këtë metamorfozë që i kërkohet me këmbëngulje prej së jashtmi, qoftë familjare, qoftë politike, Kristofori nuk mund ta zotërojë dot racionalisht. Kjo bën që edhe veprimet e tij të ngadalësohen, të ngathtësohen. Kjo ngathtësi ia shkurton çapin dhe ai metaforikisht mbetet pas të tjerëve, të cilët, edhe pse fatin e kanë të pasigurt, gjatë vëzhgimit të fragmentuar në roman dalin në pozita më të favorshme se Kristofori. Zana e shikon këtë, e ndien. E ndien edhe Kristofori dhe kjo sjell çarjen e madhe bashkëshortore, që duket e parikuperueshme në marrëdhënien e tyre, sepse të dy, në mënyrën e tyre, kanë të drejtë. Vdekja e parakohshme e Kristoforit, si nocion i një vdekjeje “aksidentale”, nuk e penalizon tonin rrëfyes, përkundrazi është një teknikë mjeshtërore, që i shërben Graçit të ndërtojë një regji më të plotë, një vëzhgim më maksimal të personazhit, i cili ngjarjen nuk e shikon më si njëri prej tyre, por si një person që e ka humbur kontaktin me botën. Një diçka pa formë, krejtësisht transparente, e cila nuk vepron te gjësendet, situatat, personat, por vetëm i vëzhgon, i peshon dhe i komenton ato.
Varri i së panjohurës në pyll kthehet në qëllimin e tij. Nga ana tjetër, ai është baba; malli për djemtë e bën të kthehet në qytet. Në kontrastin ndërmjet heshtjes absolute të pyllit dhe katrahurës së qytetit, ai humbet orientimin. Aksidentalisht humbet edhe shpirtin binjak me të cilin priste të bashkohej dhe praktikisht humbet gjithçka në jetën hyjnore, ashtu siç bëri dikur edhe me jetën tokësore. Tashmë është e vështirë të parashikohet udhëtimi i shpirtit të Kristoforit. I mbetur mes dy botëve, pa motiv, ai është i destinuar të vërtitet pa shpresë.
Kjo, në një farë mënyre, është një “dehje e kthjellët”, një vëzhgim që mund të bëhet vetëm kur të tjerët janë në aksion. Ky koment modal, ku personazhi nuk mban një qëndrim mbi situatat, por vetëm i kalon ato në mendje për të lënë lexuesin t’i gjykojë, është një koment i fshehur, i pashpallur, i cili ndodh vetëm në kokën e lexuesit.
Kjo teknikë e gjallëron romanin, e zgjat rrafshin horizontal të tij dhe e kursen lexuesin nga moralizimet parazitare, që zakonisht rreken të bëjnë autorët e dorës së dytë. “800 hapa larg Venerës” është një roman tërheqës edhe për subjektin e bukur, veçori dalluese kjo e autorit, i cili është përpjekur gjithmonë të freskojë artin e tij, qoftë përmes larmisë së subjekteve, gjetjeve letrare, humorit të zi, autoironisë dhe paradokseve të mëdha. Leximi i këtij romani është një përvojë e bukur, jo për të zbuluar atë që nuk njohim, por për t’u thelluar më tepër në atë që njohim, atë mjedis që na vret përditë pa e kuptuar dhe nuk kemi mundësi dhe forcë ta luftojmë për ta ndryshuar.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!