Press "Enter" to skip to content

Virion GRAÇI: 800 hapa larg Venerës (fragment)

Gabime foshnjarake dhe autokritika qaramane. Gabime fillestarësh dhe autokritika dërdëllitëse. Para pak ditësh isha pranë mrekullisë. Shikoja dheun e shkrifët të varrit të vajzës, ngopesha duke dëgjuar si përpëlitej, si belbëzonte shpirti i saj i bukur. Dheu u shkrifërua nga tufa e tërbuar e qenve të panjohur, por pasojat e veprimeve të tyre ishin të mira për mua. Shkurtova largësinë me shpirtin e vajzës. Shkëlqyeshëm. E kapa mundësinë e dhuruar nga puna e mbrapshtë e qenve dhe nxora përfitime madhore. Pas këtij suksesi hipotetik, filloi mbrapshtësia. U përgjuma, u vetëkënaqa, harrova detyrat e mia. Sikur të isha velur me suksese, sikur të isha i ngopur me dashuri, u bashkova me grupin e alpinistëve amatorë. Kur mësova kush ishin dhe përse silleshin vërdallë, duhej të isha ndarë me ta. Bëra gabim që i shoqërova. E teprova për shkak të Kolombit, doja të flija me trupin e tim biri. E pasi e realizova këtë, duhej të isha kthyer. Dëshirën time e ushqeva; fjeta me trupin e tim biri, iu shfaqa në ëndërr, ai buzëqeshi si engjëll, si atëherë kur ishte gjashtë muajsh dhe e zhytëm në një det me lodra shumëngjyrëshe.
Të nesërmen, sikur nuk kish ndodhur asgjë, u bashkova sërish me grupin, i shoqërova me nge deri te lugina. Bukur. Shoqëria e heshtur që i bëra grupit të alpinistëve amatorë nuk përmbushte DËSHIRËN time. S’kam DËSHIRUAR të shoqërohej askënd, aq më pak alpinistët amatorë. Ishin nisur pa mua, i kishin marrë vetë masat e duhura, nuk iu mungonte asgjë për të qenë të gëzuar. Po të më vlerësonin, po të më identifikonin, do të më kishin llogaritur si pjesëtar grupi, do të gjenin një mënyrë të më afronin, të më kumtonin diçka. Për të qenë i sinqertë, as e prisja as e dëshiroja këtë lloj takimi. Duke e shoqëruar grupin e tyre kam përmbushur një DETYRË, që buronte vetëm nga statusi im krejt i veçantë si banor i vjetër i pyllit. Pra, duke përmbushur një DETYRË, unë kam rilindur dobësitë, skllavërinë, mjerimin, poshtërimin që më ndiqnin këmba-këmbës në jetën tjetër. Në të gjitha jetët u jam shmangur DETYRAVE, sepse m’i zvetënojnë dhe m’i rrënojnë gjer në themel DËSHIRAT. E shoqërova grupin për hatër të një kujtimi prindëror, kujtohem rrallë se dikur kam qenë njeri, por kur kujtohem, bëj nga ato poshtërsi e budallallëqe me të cilat turpërohesha në jetën tjetër: p.sh. m’u shkrep të shikoja fytyrën time në një pasqyrë. Si është tani fytyra ime?! U ndava nga grupi për të plotësuar këtë dëshirë. Gjeta burimin malor, gjeta pellgun e qetë me ujin kristal që flinte. Uji i burimit malor ma tregoi të vërtetën rreth fytyrës së tanishme: një vijë e verdhë, e valëzuar, pa fillim dhe pa fund.
Kjo vijë e verdhë, e valëzuar, pa fillim dhe pa fund jam unë, është përmendorja ime, është vendi im në përjetësi, tha Kristofori i kënaqur. Bukur, Kristofor, shtoi pas pak, u shikove në pasqyrën ujore?! Po!!Pse s’u ktheve në pyll? Pse s’u ktheve pranë vajzës?
Vajza është toka ku dua të lëshoj rrënjë, të rritem, të zgjatem, të lulëzoj, të mpleksem, t’i jap gjallëri kësaj jete. Pse s’u kujtova më parë për burrin e moshuar, për manovrat e tij djallëzore? Gjithmonë jam treguar i pavëmendshëm dhe e kam pësuar. Ah, Kristofor, Kristofor, pse i ke nënvlerësuar gjithmonë burrat e moshuar? Pse je gënjyer nga paqja e rreme që fsheh poshtë lëkurës makutëritë dhe atavizmat e tyre?!
Taksia u lëkund më fort, rruga e “re” me gropa, me kthesa të shumta. Kristofori qëndronte brenda, duronte trimërisht tymin e duhanit. Shoferi tymoste, burri i moshuar përtypte çamçakëz. Ndezën kasetofonin.
Duhet të më kenë diktuar, dyshoi, ose janë provokime të zakonshme. Edhe kur isha në atë jetë, njerëzit merreshin sistematikisht me provokime, provokimi ishte një hobi kolektive. Me siguri do të kenë botuar edhe katalogë me receta: “Si të provokojmë/si të mos biem pre e provokimeve,” mendoi Kristofori. Nuk të do dorëzohem.
Vendosi ta duronte trimërisht muzikën. U njoh me qoshkat dhe pajisjet e brendshme të taksisë. U shpërqendrua. U hap në formë spiraleje. U përqendrua përsëri në formë vezake. E la veten përsëri të lirë. U vu përballë pasqyrës së brendshme. Ishte e vogël, ishte nga ato pasqyra që të riprodhojnë me besnikëri. E njëjta pamje.
Burimi malor s’më ka gënjyer, s’më ka ironizuar, tha duke u shikuar në pasqyrën e vogël. E njëjta pamje: një vijë e verdhë, e valëzuar, pa fillim dhe pa fund.
Shoferi diçka i tha burrit të moshuar. Kristofori e dëgjoi, por nuk e kuptoi. Nuk mund ta kuptonte gjuhën e shoferit. Ai ishte treguar i pavëmendshëm ndaj shoferëve të taksive. Burri i moshuar aprovoi me kokë dhe kapi një kuti. Nxori prej andej një tufë letrash të njomura në parfum dhe filloi të fshijë pasqyrën e vogël për të larguar vijën e verdhë. Kristofori u inatos, por nuk u largua nga pasqyra. Qëndroi përballë pasqyrës. Burri i moshuar i mëshoi krahut duke fërkuar pasqyrën e vogël aq sa kjo e fundit ndryshoi pozicion. Kristofori u zhduk nga sipërfaqja pasqyruese, nga ndryshimi i pozicionit të pasqyrës. Priti pak. Burri i moshuar psherëtiu i lehtësuar dhe i ra në sup shoferit të taksisë. Pasqyra ishte e pastër tashmë. Shoferi miratoi dhe e falënderoi me një lëvizje koke. Burri i moshuar futi letrat aromatike në kuti, kurse kutinë në kroskot. Fërkoi pëllëmbët i kënaqur.
Prit pak, vëllaçko, tha Kristofori dhe ndryshoi vendndodhjen. Në vendndodhjen e re dukej përsëri i tëri në pasqyrën e vogël: një vijë e verdhë e valëzuar pa fillim dhe pafund. Nuk kaloi shumë dhe shoferi ngriti sytë për t’u parë. U nxeh, hodhi kasketën tej dhe i foli me inat burrit të moshuar. Ngriti supet ai. Edhe shoferi mblodhi buzët në shenjë mërzie. Shkëmbyen disa batuta të ashpra, të shkurtra. Nuk u panë më sy më sy. S’u morën më me fshirjen e pasqyrës. Kishin kapitulluar pa kushte, ishin dorëzuar.
Kristofori ndryshoi taktikë. U bë unazë, mbështolli qafën e burrit të moshuar. Në fillim e qarkoi qafën e tij larg e larg, pastaj e mbylli rrethimin duke u shtrënguar. Dëgjoi: trupi lyer me kremra dhe parfume, nga goja e tij vinte erë e rëndë, e padurueshme.
Është era e zakonshme e moshës, erë pleqërie, tha Kristofori me ngazëllim. U mblodh për ta shtrënguar më tepër atë qafë të plakur. Burri i moshuar ngriti lart vetullën e djathtë, nxori barkun përpara, liroji ca kollaren, u koll pak, nxori dorën nga dritarja sikur donte të lante gishtat me ajër. Shpejtësia e erës i kalonte një mijë mm në orë. Kristofori ishte i gëzuar. Shpresonte diçka më të veçantë: sikur gjumi ta kapte për disa sekonda burrin e moshuar. Atëherë Kristofori do t’i shfaqej në ëndërr duke e tmerruar. Kristofori nuk e kishte idenë se cila ëndërr mund ta llahtariste më tepër atë lloj kalbësire që po gjallonte padrejtësisht në një hapësirë me shoferin e taksisë, ngjitur me të. Do të provonte disa lloje ëndrrash deri sa ta zhyste në ankth e pasiguri. Burri i moshuar do të pëlliste si dem i goditur me thikë, shoferi i taksisë do të trembej, timoni do t’i dilte duarsh duke i shkaktuar aksident automobilistik.
Jo, tha Kristofori rrufeshëm, nuk duhet të shkaktojë aksident automobilistik. Nëse ai vdes, shpirti i tij vrapon për në pyll te shpirti i vajzës, duke e mashtruar ose gjymtuar rëndë atë. Duket edhe si tip nekrofili. I ka të gjitha të këqijat. Parfumoset si prostitutat. Manjak. I deformuar. Sharlatan. Fëlliqësirë.
Kristofori kishte gati një breshër me epitete të përshtatshëm, por taksia frenoi papritur dhe burri i moshuar zbriti. Kristofori u vendos prapë para pasqyrës së vogël, e cila premtonte sinqeritet dhe saktësi: e njëjta pamje – një vijë e verdhë, e valëzuar pa fillim e pa fund. Burimi malor nuk e kish mashtruar ose po talleshin të dy: edhe pasqyra e vogël, edhe burimi.
Ta hajë djalli, ofshau Kristofori, jam treguar shumë indiferent ndaj burimeve dhe pasqyrave në jetën tjetër. Jam treguar gdhë, kokëtrashë, mendjemadh dhe dritëshkurtër. Ja ku po e paguaj. Ja. Nuk jam i aftë të dalloj kush më thotë të vërtetën, kush më rren, kush më do, kush më urren.
Do të zbres edhe unë, ndryshoi mendim përnjëherë Kristofori.
Zbriti. Pa rreth e rrotull. Taksia e kishte sjellë në qytetin ku kishte kaluar jetën tjetër. Ishte ende në lagjet periferike megjithatë, kaq i mjaftonte për t’u mbushur me hare dhe siguri. Në jetën tjetër, qyteti i tij i kishte sjellë zymtësi dhe frikë, tani po ndodhte e kundërta. Qyteti ishte po ai, s’kish ndryshuar: ishin shkatërruar nga jashtë boja dhe suvatë e disa pallateve të vjetër, po përfundonin së ndërtuari shtëpi të reja, ishin ndërruar veshjet sipas stinës, ishte hapur një shëtitore më e gjerë, ishin prerë pemët dekorative e të tjera ndryshime të parëndësishme si këto.
Kam ndryshuar unë, tha Kristofori me dyshim. Paskam pësuar metamorfozë…

Të tjera nga ky autor: