Press "Enter" to skip to content

Enkeleda KAMBO: Cikël poetik

1.
Më duket sikur kam lind me k’mishë
Nji k’mishë e bardh’
Prej fjollash reje
E s’du me ma prek kush
lëkurën
Ku flen mbledhun k’mishë
Zani yt.

2.
E bardhë, fjalë mbi lëkurë
E ambël, e bardha e synit tand mbi ngjyrat e dritës time
dritës time të verbër
Der’ dje.

3.
Ka një gur-varr
Ku e qara
ban trajta t’hirta korbash
mbi të ftohtin e germave skalitun.
“Këtu fle ajo që kurrë s’mundi të dojë më pak”
njëlloj siç ti do doje të flije

Mbi të nata
nis një kujë me yje.

4.
O nata ime,
Vdekja më thërret nga përtej,
Kërkon të vishet nuse,
Jeta me shtrëngon nga flokët,
Derdh lot edhe lutet,
Kam frikë të shkoj t’i afrohem
Dritës së bardhë të parajsës
Unë linda për sytë e tij
Si zanë e bardhë e përrallës
Oh nata ime e lotëve
Vdekja po thërret dasmën time
Unë doja të isha e tij
Në heshtjen e bardhë plot kujtime

Të shkoj, të mbytem thellësirave
Më fshih nga hëna, o natë.
Pastaj le të gdhijë ditë
E vdekja për jetën të qajë.

5.
Trish,
erdha edhe aty ku nuk ishe.
Trokita butë
dhe prita.
Pastaj m’u bë një zë që thirri,
derën lehte preka,
perde e shpirtit u var mbi xham.

Ti ishe në krahët e harrimit
e varur në emrin e tij.

U ula mbi sofanë e grirë mole
dhe albumeve pluhurin nuk ua trazova,
as trëndafilave gjembat që u ishin tharë.
A thua kripë e lotit mbi ta kish rënë.

E strukur në hijen tënde kërkoje
vetminë që të kish tradhtuar.
Çaj valeriane të solla,
perden vendosa sërish ku ishte më parë
dhe hukata mbi xham lamtumirën.

Trish,
më në derë nuk të trokas.

6.
Limani im i heshtur
po vij.
Brigjeve të tua
flokët e dhimbjes të derdh
si shkumë të bardhë.

Më prit,
më duaj aromëdet.
Në ty te heshtem dashurisë
e brengat e syve të bulzojnë
kripë.

7.
Po fle.
U zgjova
nga trokitja e natës.
Një hënë e fshehur pas reve
kambanare e pagjumësisë sime.
Thërret për duar,
që me tuat sonte
nuk u ngrohën.

Fle.
Dua ta puth
ëndrrën e bardhë,
por frikem.
Nga marria
hëna këput litarin
e bie kumbonë e fundit.

8.
Ai m’ka çu fjalë
se m’do.
Mishit ngrohtë t’qafës teme,
durt e mia t’hajthshme,
buz’t e ngjyme
me turp t’mollzave.
E mbi t’ tana,
ai fjalë m’ka çu
me ia rujt ngrohtë kafazin, brinjët.
Ai e don fort rojen e zemrës
qi veç rreh nën emën t’tij.