Press "Enter" to skip to content

Gruaja në zemër të sonatës së hënës

Nga Patricia Morrisroe*

“Katër vjet më parë po drekoja me një redaktor, i cili përmendi që Bethoven kishte rënë në dashuri me një nga studentet e tij të pianos”, shkruan Patricia Morrisroe, autorja e novelës që ka për subjekt këtë studente, këtë dashuri. “Ajo ishte gruaja së cilës mjeshtri i madh i kishte kushtuar “Sonatën e Hënës”. Redaktori mendonte se do të dilte një roman i mirë. A isha e interesuar?

Më intrigonte, por edhe druhesha. Wagner e kish quajtur Bethovenin “titan, që luftonte me perënditë”. A doja në të vërtetë të ndeshesha me një titan? Kurrë nuk kam shkruar trillime historike, nuk kam lexuar gjermanisht dhe nuk dija asgjë për Vjenën e fillimit të shekullit të 19-të. Megjithëse kisha studiuar për piano për rreth dymbëdhjetë vjet, mësuesi im mendonte se muzika e Bethovenit ishte shumë “irrituese” për dikë me temperamentin tim.

Nga dreka, kur u ktheva në shtëpi, dëgjova Maurizio Pollinin të luante sonatën. E kisha dëgjuar edhe më herët pjesën e parë (the First Movement) aq të trishtueshme, por atë ditë më preku ndryshe. Prindërit e mi kishin vdekur pak kohë më parë, por me atë ngarkesë të madhe pune që kisha dhe shtëpinë time të fëmijërisë për të shitur, nuk i kisha dhënë kohë vetes të qaja. Tani Bethoven po më inkurajonte pikëllimin, duke më hipnotizuar me një melodi të këndshme, e cila sikur më vinte nga lart.

Por ashtu siç isha, përgatitur për një të qarë vendçe, befas më futi në pjesën e dytë, “Allegretto”-n e lëvizjes së dytë (Second Movement), dhe kjo ndodhi para se të më zhyste me kokë në një “Presto” shpërthyese. Në gjashtëmbëdhjetë minuta kalova nga hidhërimi në lumturi dhe nga lumturia në vetëmbrojtje.

Për dy javë nuk dëgjova asgjë përveç Bethovenit. Shpejt, titani më kishte pushtuar jetën. U përlesha me muzikën e tij. Luftova me dhjetëra biografi të tij. Por nuk kisha pse të luftoja më me vendimin për të shkruar romanin, që u bë “Gruaja në dritën e hënës”; tashmë kishte vendosur Bethoveni për mua.”.

Quhej kontesha Julie Guicciardi. Kur u botua për herë të parë “Sonata e Hënës”, parathënia ishte në italisht, kështu që prej asaj kohe ajo njihet si “Giulietta”.

Ajo nuk la ditarë dhe ka lënë pak letra. Munda të gjej vetëm tre shembuj të dyshimtë: një bust, një litografi dhe një miniaturë portretesh, që tregojnë një grua të re me sy të mëdhenj, buzë të harlisura dhe flokë “à la Titus”, stili më i shkurtër për kohën, i njohur në atë kohë në rrethet moderne të Vjenës. Dikur mendohej se ajo ishte “E dashura e pavdekshme”, gruaja anonime, së cilës Bethoveni i shkroi një letër pasiononte, që u zbulua pas vdekjes së tij. (Sot, kandidatë shumë më të sigurt janë miku i kompozitorit, Antonie Brentano dhe kushërira e Xhulit, Josephine von Brunswick.)

Bethoven filloi t’i jepte mësime Xhulit më 1801-shin, kur ajo ishte tetëmbëdhjetë vjeçe dhe aq e bukur sa njerëzit e quanin “La Bella Guicciardi”. Bethoven ishte tridhjetë vjeç, me sy kafe të ashpër dhe temperament të paqëndrueshëm.

Mendohet se janë takuar përmes Brunswicks, të cilët ishin njohur me Bethovenin para dy vjetësh. Halla e Xhulit kishte ardhur në Vjenë nga Hungaria për t’i gjetur burrë njërës prej vajzave të saj. Për të tërhequr kandidatë të përshtatshëm, gratë aristokrate inkurajoheshin të luanin një instrument. Violonçeli ulej mes këmbëve dhe violina kërkonte lëvizje rigoroze, të prera; pianoja konsiderohej shumë më e përshtatshme për zonjushat.

Josephine von Brunswick dhe motra e saj, Therese, e bindën Bethovenin t’iu mësonte të luanin. Ai admironte Josefinën bukuroshe, por ajo shpejt gjeti një burrë dhe Bethoveni u përqendrua te Xhuli.

Ishte një periudhë agonie në jetën e tij. Për më shumë se katër vjet me radhë vuante nga një tringëllimë në veshë, një zhurmë dhe gumëzhitje e vazhdueshme, me pasojë vështirësinë në dallimin e notave të larta. Ai kishte frikë se situata ishte e pakorrigjueshme dhe u përpoq ta mbante të fshehtë. U ngujua, nga ankthi se çfarë do të thoshin njerëzit kur të mësonin se virtuozi më i madh i pianos në Vjenë po shurdhohej. Përveç stigmës, ai e dinte që kjo sëmundje ndoshta do t’i jepte fund karrierës së tij të shkëlqyer si instrumentist.

Xhuli ndihmoi shumë gjatë kësaj periudhe dëshpërimi. Në përgjithësi është rënë dakord që ajo është “vajza e dashur, magjepsëse”, së cilës ai i referohet në një letër dërguar mikut të tij Franz Wegeler. Ai i besoi sekretin se po mendonte për martesë, por që e reja aristokrate nuk ishte në rangun e tij.

Më 1801-shin, ai e përfundoi “Sonatën e Hënës”. Data e saktë është e vështirë të përcaktohet; ai regjistroi procesin e kompozimit në librat e tij dhe shumë faqe që lidhen me “Hënën” kanë humbur. Kur u botua në mars të vitit 1802, sonata kishte një titull të përgjithshëm; titulli i saj romantik u shfaq pas vdekjes së Bethovenit. Më 1823-shin, shkrimtari Ludwig Rellstab e përshkroi lëvizjen e parë si një liqen nën dritën e hënës, përshkrim i cili i shkonte për shtat.

Megjithatë, edhe para se të njihej si “Sonata e Hënës” ose “Dritëhëna” (Moonlight), sonata ishte një hit; lëvizja e parë, aq ëndërruese, luhej aq shpesh sa që Bethoven u lodh prej saj. Ai u ankua tek studenti i tij, kompozitori Carl Czerny, se “dukej sikur, kjo pjesë ishte e vetmja që donin të dëgjonin të gjithë”.

Është e lehtë të imagjinohet se Xhuli do jetë entuziazmuar që kjo pjesë i është dedikuar asaj, por, në vitin 1852, kur Otto Jahn e intervistoi për biografinë e tij për Bethovenin, ajo tregoi një histori tjetër. Xhuli i tha Jahn që Bethoven fillimisht i kishte dhuruar asaj “Rondon” e tij në G, por, kur papritmas i duhej t’ia kushtonte “Rondon” motrës së patronit të tij kryesor, ai i ofroi Xhulit “Dritëhënën”. (Kjo histori nuk shkon fare. “Rondo” ishte shkruar disa vite më parë dhe u botua pas “Moonlight”. Ndoshta Jahn nuk e fitoi besimin e Xhuli për të dëgjuar të vërtetën. Pjesa tjetër e intervistës është relativisht jo informative – ose ndoshta, ngaqë ishte sugjeruar tashmë se ajo ishte “E dashura e pavdekshme”, Xhuli nuk dëshironte të krijonte më shumë zhurmë rreth vetes).

Në nëntor të vitit 1803, Xhuli u martua me kontin Wenzel Robert von Gallenberg, një kompozitor me pak talent e pak para gjithashtu, me të cilin u transferua në Napoli. Atje jeta e saj u bë edhe më dramatike. Ajo u takua me Joakim Murat, mbretin e Napolit dhe gruan e tij, Karolinë, motra e vogël e Napoleonit. Në tetor 1814, Xhuli u paraqit në Kongresin e Vjenës, asambleja që riorganizoi Evropën pas Luftërave Napoleonike. Sipas të dhënave të policisë lokale, ajo ishte një “emisare” për çiftin Murat, të cilët dëshironin ta mbanin mbretërinë e tyre.

Në një qytet të mbushur me spiunë, Xhuli ishte një nga të shumtët, por ajo kishte disa përparësi. Kunata e saj, kontesha Eleonora von Fuchs, ishte e martuar me një shërbyes perandorak dhe, sipas policisë vjeneze, Xhuli ishte dashnore e një diplomati të shquar sakson. Por a u takua ajo me Bethovenin gjatë këtij udhëtimi? Nuk ka asnjë dëshmi për këtë, por, në atë kohë, Bethoven ishte ylli muzikor i Kongresit, i cili dirigjonte kompozimin e tij bombastik “Fitorja e Uellingtonit” dhe “Simfoninë e shtatë” para një turme njerëzish të famshëm. Vështirë të besosh se Xhuli nuk do ta kishte hasur atë.

Rrugët e tyre u kryqëzuan përsëri më 1822-shin, kur Xhuli dhe Gallenberg u kthyen në Vjenë, ku punonte në teatrin “Kärntnertor”. “Kärntnertor” do të mbahet mend gjithmonë për një ngjarje të veçantë: premierën e vitit 1824 të “Simfonisë së nëntë” të Bethoven. A ishte Xhuli në një nga ato net për të dëgjuar shpërthyesen “Odë gëzimit”? Nuk ka prova.

Por Anton Schindler, sekretari dhe biografi i hershëm i Bethovenit, u takua me Gallenberg në “Kärntnertor”. Kjo e shtyu Bethovenin të kujtojë Xhulin: ai pretendoi se Xhuli e donte atë më shumë se burrin e saj dhe se pas dasmës së saj, ajo ishte kthyer tek ai e ngashëryer, por ai e kishte përçmuar. Duke ditur vështirësitë e saj financiare, sidoqoftë, ai kishte vendosur që përmes një miku t’i jepte Gallenbergut para.

Duket se nuk e kishte harruar plotësisht “vajzën e tij të dashur, magjepsëse”. Pas vdekjes së Bethovenit më 1827-n, miqtë zbuluan disa sende të mbledhura në një ndarje të fshehtë të një sirtari tavoline. Midis tyre ishte letra “E dashura e pavdekshme” dhe dy portrete në miniaturë. Njëra ishte imazhi “à la Titus”, që besohet të jetë Julie Guicciardi.

Patricia Morrisroe është autore e “Mapplethorpe: Një Biografi” dhe romanit “Gruaja në dritën e hënës”, që u botua në shtator të vitit 2020.

Shqipëroi: Miranda Shehu

Burimi: New York Times, 27 maj 2020

error: Content is protected !!