(Për librin “Kartela e realizmit të dënuar”)
Ështe prekës kërkimi plot pasion dhe këmbëngulje i Visar Zhitit për të vënë në dukje atë pjesë të letërsisë shqipe, që nuk e ka marrë vëmendjen e duhur. Fillimisht nuk i kuptoja përpjekjet e tij. Flitej për “letërsi të burgut” dhe pikërisht një gjë të tillë e shihja pak me çudi, gati si moskuptim. Në vështrimin tim ka letërsi, pavarësisht se kush, ku dhe kur e shkroi
Por s’është krejt ashtu. Zhiti shkruan për letërsinë shqipe, për atë letërsi që u kushtonte rëndë atyre që e shkruanin, për letërsinë e vërtetë që mbajti mbi shpatulla anën e fisme të shkrimit, në një kohë kur pjesa tjetër u vu në shërbim të së keqes.
Visar Zhiti sjell në dritë jo veç veprat dhe autorët që ka njohur galerive, por tërësinë e shprehisë shpirtërore të një kohe që nuk kishte asgjë shpirtërore. Madje më shumë se kaq. Ai përpiqet t’i japë dinjitet dhe vendin e merituar asaj letërsie. Ndërkohë që pjesa e “lirë” e letërsisë shqipe, ushqyer me urrejtje, u vu në shërbim të një dogme që vriste çdo ditë. Përfytyroni për një çast dikë që do të interesohej për këtë letërsi, pas njëqind vjetësh. Është e lehtë të merret me mend se si do të gjykohej letërsia e mercenarëve, pa vlerë e pa moral. Nuk mendoj se letërsia dhe artet duhet të jenë të moralshme. Aspak. Por artet dhe letërsia nuk kanë të drejtë të jenë të pamoralshme. E pra, fatkeqësisht, letërsia shqipe zgjodhi të ishte e pamoralshme, mori përsipër misionin e përligjjes së krimit.
Letërsia duhet ta përligjë veten me vlera estetike, duhet të na krijojë emocione, të na bëjë të vibrojmë së brendshmi. Por nuk është vetëm ky i vetmi kriter. Vlera më e madhe është pohimi i së vërtetës, humanizmi. Këtë unë e kam ndjerë te një poezi e Havzi Nelës. Mund t’i bësh vërejtje për rimën, harmoninë, kadencën, nganjëherë ndjen nevojën të futësh dorën në xhep e të nxjerrësh një laps për të korrigjuar një rrokje që del nga rreshti. Po jo për shumë kohë. Autori flet për frymën e Helsinkit. Këtu ti ndalon, ke dëshirë të ulesh, të mendosh, të shikosh rrotull. Ky poet fliste për frymën e Helsinkit kur në Tiranë të gjithë ulërinin si hiena kundër saj? Kur letërsia zyrtare mori përsipër të përligjë diktaturën e proletariatit, krimin më të papërgjegjshëm të historisë dhe në kor ulërinte kundër frymës së shpresës që frynte nëpër Europë. Dhe, më e pashpirtshmja: Ne jemi sot dëshmitarë se si përpiqen të na mbushin mendjen për vlerat “kolosale” të asaj letërsie antinjerëzore, gënjeshtare, që u këndonte shefave dhe bëmave të tyre.
Në këtë vështrim, Zhiti teksa flet për letërsinë e atyre që i paguan me jetë vargjet që shkruajtën, nuk përpiqet të nxjerrë në dritë letërsinë e autorëve të ndaluar, të paktën nuk bën vetëm këtë, por së pari ai përpiqet t’i japë pak dinjitet në tërësi letërsisë së njollosur shqipe, letërsisë që u shit, që përligji të keqen. Të tregojë se nuk kishte vetëm imoralitet, se letërsia e vërtetë, që flet për një realitet që “ajo tjetra” deshte ta fshinte, nuk kishte vdekur krejt. Se nuk ishte gjithçka anti-humanizëm, shkretëtirë e tokë ku kultivohej e i këndohej vetëm gënjeshtrës, se kishte njerëz që nuk pranonin të hipnotizoheshin, që shihnin diçka tjetër dhe, për më tepër, guxonin ta hidhnin në letër atë që shihnin: me çmimin e kokës së tyre. Ajo që në fund të fundit po përpiqet ta bëjë me kaq dinjitet Visar Zhiti, është të sjellë dëshmi se letërsia dhe misioni i saj humanist mijëravjeçar s’kishte ardhur të vdiste në Shqipëri.
Këtë bën Zhiti, në të vërtetë!