Press "Enter" to skip to content

Entela KOMNINO: Koha në të cilën atdheu përmbahej

Në kohën kur punimi bëhej libër, një lajm krejt i shkencës së saktë e pa lidhje në dukje me retorikën, ngacmoi një nga konceptimet fillestare të punimit, që ishte quajtur “Kohët e Nolit”. Shkencëtarët deklaruan se arritën të konservojnë kohën në kristal, fakt që portalet e pakta që e botuan, e quajtën shumë të çuditshëm, që u bë dhe më shumë i tillë nën citimin shkencor-filozofik se koha e baraspeshës në natyrë kishte kaluar. Transformimi i kohës së kuptuar deri tani si cilësi shoqëruese, në një materie lëndë që ndalon (siç e kuptova unë zbulimin), më vjen gati paralel me një mendim të pastabilizuar në nisje të këtij projekti, kur Shqipëria në vitet e Nolit më perceptohej sikur përpiqej të aktivizonte me veprën publicistike një kohë në të cilën atdheu përmbahej. Në orvatjen për të kuptuar substancën e kontributit të Nolit, tërheqja nga ndjesi kapërcimesh cilësore të kohës së tij përfundonte në vorbulla përpjekjesh shpjegimi për faktin e dukshëm retorik të evokimit të Skënderbeut, ku Shqipëria dhe koha që e kishte ‘ruajtur’ atë si vend, gjallonin reciprokisht njëri – tjetrin. Rezistente ndaj turqve, për vete dhe më gjerë, ‘Shqipëria e Skënderbeut’ që thirrej në kushtet skajore të mbijetesës nga publicistika në përgjithësi, e ajo e Nolit në veçanti, në një gjuhë të planifikuar për zhdukje nga të tjerët, përcillte sa edhe pësonte reagimet për të dalë prej jermit të kufijve e të drejtës historike të pretendentëve mbi Shqipërinë reale. Kjo më krijonte dhe një situatë kuptimi jashtë veprës me protagonistët shqiptarë që duhej ta ‘gjenin’ vetë kohën dhe vendin e tyre e ‘ta mbushnin’ me veti për ta jetuar, që të ishin më pas publicistë, politikanë, shtetarë ashtu si dhe krijuan kishën ku mund të dorëzoheshin prift, madje dhe auditorin për të qenë të dëgjuar e ndoshta pak të lexuar. Vetëm një kohë me çpështjellime mund të bënte të mundur atë të pamundur të materies shqiptare, kur ora e Shqipërisë kurdisej sipas citimit të treguar të Bismarkut ‘vetëm si shprehje gjeografike’, në Mesin e Dheut, në fakt. Por edhe sipas faktit tjetër që ishte shumica me liderë fetarë që e nxiti këtë me mesazhin e gabuar për Kongresin e Berlinit për një Shqipëri autonome nën Turqinë!!!! ndryshe autoritetit e largpamësisë së Abdyl Frashërit për një Shqipëri të vetme e të pavarur, kur Europa përpiqej të neutralizonte efektet që i jepnin dorë vendimmarrjeve turko-ruse në Ballkan sipas Traktatit të nënshkruar në Shën Stefan, afër Konstandinopojës që nuk thirrej ende Stamboll.

Gjetja e së vërtetës dhe të drejtës sipas folësit antik, vjen si një rregull i pamatshëm në kësi kohe e kushtesh, njëjtësisht me faktin që folësi rezulton dhe e vetmja e mundur, madje dhe ‘në këmbë’ të Shqipërisë-shtet-atdhe. Fenomeni krijues shqiptar në këto kushte është thirrur patetik në mënyrë të qëndrueshme, duke i dhënë përkundër ç’mund të ishte si i tillë edhe kuptim pozitiv, për ta ngecur përfundimisht tek vlerësimet me ‘gjithë’-gjithëpërfshirëse, të përgjithshme, gjithçka, përgjithësisht, por dhe të pakryera si megjithë…., megjithatë…..,  etj. Ndërsa Pathosi i kësishfaqur është më se i vërtetë, madje organik në kësi kohe krijimi, adresimi retorik, paraprakisht ndryshe nga të ngecurit tek pathetizmi, e qartëson si substancë atë që ia mundëson një autori edhe një realitet kësilloj për ta përshkruar duke e shkruar në kuptim të të tjerëve. Pathosi i një autori në përmbajtjen e vet skajshmërisht racionale[1] (dhe jo vetëm nga raporti i tij me logosin dhe ethosin), sipas arsyeve të retorikës, bëhet pjesë e referencës realiste të lëndës krijuese, duke (u) ligjëruar përkundrejt çdo të mundshmeje të mundshme, si ndodhi dhe si përshkrim.

Kapaciteti që e bën realist produktin emocional – mendor, rrjetëzohet në një diskutim racional të Nolit, në ndjekje të natyrës së veprës dhe përbërjes realizuese, ndërsa aksesi i retorikës edhe në këtë rast është organik për të kuptuar Nolin faktik.

 Genus deliberativum dhe Mëmëdheu në formën e një perëndie

Liria politike në përbërje të ligjërimit që në Antikitet dhe ‘Atdheu si frymë’ i fund – fillimshekullit shqiptar XIX-XX, hasin në substanca ligjërimi primare në dy skaje kohore, por rrotull të njëjtit territor, Shqipërisë. Përkimi i tyre në Rilindjen shqiptare nuk ndodh vetëm nga gjetja ose shpjegimi ynë. Por ai nuk është as thjeshtë përkim në arsyetimet për Nolin.

Formalizimi i vetëdijes politike në strukturën e të folurit specifikohet në kohë dhe hyn si i tillë në këto arsyetime, përsa këtë të fundit e trajtojmë si një ndër kushtet e lindjes së tekstit letrar[2] përfshirë dhe ‘retorikën e kohës’, por që, në rastin e Nolit, shënohet dhe me emrin e tij. Ligjërimi politik tek predikuesi modern i shekullit XX mbi një Traditë shqiptare si gojëtari e studiuar apo retorikë, por dhe materie historike, janë kapacitete referuese e, me gjasë, shpjeguese sa edhe të tjera për prurjen e Nolit si autor në prurjen përreth- dhe pas tij.

Mbijetesa për vazhdimësi e realiteteve shqiptare të kohës në raport dhe me autorët e lëvruesit e tyre është një pyetje e ngritur në kushtet e një gjuhe dhe trashëgimie më së paku të njëkohshme me kulturat e mbajtura primare për ato europiane e botërore, raporti me të cilat është po ashtu më së paku i kërkuar në rrjedhën se si është ngritur dhe si ka reflektuar nga ky thelb gjallimi shqip.

I vendosur mbi themelet e lirive politike, ligjërimi politik i ka prekur datat në mendimin njerëzor që në fillimet e tij me materie autentike.

‘Toposi retorik tradicional që lidh shtrirjen dhe lulëzimin e artit të ligjërimit në lirinë dhe në njohjen e oponencës, e ka origjinën e vet në vetëdijen e fjalimit politik, të genus deliberativum.’ [3]

Që nga përmendja e Aristotelit, Genus deliberativum, duket të hyjë në raportet tona shpjeguese në kohën kur filloi të flitej në mjedise të ndryshme për nga demokracia e të shprehurit krahasuar me ato të fillimit – poliset. Në më shumë se 2000 vjet, arsyeja kryesore e ndryshimit ka qenë niveli demokratik i shprehur me të drejtën e ligjëruar të oponencës, zhvillim që studiuesit e kanë lidhur me lëvizjet çlirimtare të popujve të kolonive. Burkhardt përfundon i bindur që;

Lirika politike e çdo lëvizjeje çlirimtare kombëtare është e lidhur me fjalimin politik dhe mjetet e drejtpërdrejta të agjitacionit dhe propagandës’[4].

Lirika politike e Lëvizjes së përgjithshme kombëtare të Rilindjes shqiptare konfigurohet me ndjeshmëri unikale në atë që formulon Mid’hat Frashëri;

‘Mëmëdheu’ ishte në ‘formën e një perëndie dhe kulti i tij’ ‘vendin e një besimi fetar[5]

Pausa për ta përtypur që prodhon dhe pas më shumë se një shekulli ‘atdheu transcendent’, është habija që kërkon shpjegim në realizmin e toneve ekzaltuese të një përjetimi fëminor për atë që në thelb ishte ekzistenca e vetme e Shqipërisë. Kapaciteti i një materieje të tillë të treguar përmes përjetimit e tregues për kohën njëkohësisht, në filtrat e sotme të retorikës jep përfundime befasuese edhe për përmbajtjet mijëravjeçare të të folurit. Substanca e hershme e oponencës në ligjërim, e kërkuar të shuhet si veprim i përgjithshëm për shqiptarët deri në fshirjen e mjeteve të oponencës (gjuhës së tyre dhe vetëm të tyre nga gjithë popullsitë e pushtuara prej osmanëve), që, sipas historive mbi Europën juglindore njësuar me Ballkan, bëhet faktike nga vendime zinxhir kundër tyre e që vazhdonte logjikën vepruese të asgjësimit edhe më pas me hipoteza të llojit ‘nëse nuk u çliruan nga turqit si dhe popujt e tjerë, nuk e deshën vetë këtë gjë’; ka prodhuar ose ritakuar nga ana tjetër një realitet mendor të paprekshëm nga asgjësimi, të proceduar shumëfish edhe për të përmbajtur sugjestivisht kapacitetet e dimensioneve të munguara, kryesisht të vendit.

Në këtë gjallim të treguar, realizmi i të jashtëzakonshmes që Pathosi sipas retorikës e përmban teorikisht[6], bën të pasqyrohet siç është, vetëm përmes rreshtave, një atdhe gati i shuar, por mu për këtë dhe therjen në palcë të nevojës, më se i vërtetë, madje dhe i adhurueshëm si zot që nuk shihet. Fantazia fëminore sa dhe dëshmia e gjendjes, e raportojnë sot realitetin e kësitreguar si një mëmëdhe-produkt të përpjekjeve që çoi minimalisht në një ekzistencë situatash në vend të atdheut-shtet me katër pushtete, ku gjenin vend si mundnin realiet e kulturave të mohuara, por të thella në kohë. Ndërsa turqit nuk e lëshonin Shqipërinë tamam si një koloni, Shqipëria ishte atje ku vazhdon të jetë dhe sot si vend, në mos i njëjti, ai shumë pranë fillimeve të ligjërimit e retorikës, ku kapacitetet e oponencës në ligjërim duhet të kenë qenë rregullative që në krye të herës, siç do kërkonte të na tregonte emri i i-lirë-ve, çka e solli si vetëndjerje po organike një liri-kë politike sa më lart që e bënte të shihej si kult perëndish atdheun e mohuar gati në shuarje. Në universin mendor të shqiptarëve koha mbi dymijëvjeçare e lirikës politike, por ndoshta edhe e një realiteti fizik territoresh e popullsie, mbështetës dhe me gjasa të ndryshëm nga ai që ka arritur në letrat e sotme, kishte mundur atë 400-vjeçare të sundimit osman, madje i treguar me shumë shqiptarë deri në majat e tij. Përkundrejt gjithë kësaj panorame, edhe pse ishin dukur me më shumë probleme me grekët, turqit i lanë këta të fundit me një çmim që duhet ta kenë paguar shqiptarët, që me shkëmbime të dyshimta popullsie, të hynin në historinë moderne me pankartën e shpikësve të vetëm të kulturës e njerëzimit, në të njëjtën kohë që gjuha shqipe nuk fitoi vetëm me një votë në parlamentin grek të drejtën që do i jepte qytetarinë e ligjshme të tregonte historinë e vërtetë të fillimit, për vete, Greqinë dhe gjithë trashëgiminë botërore.

Specifika e prurjes së Rilindjes shqiptare me evokimin ringjallës të së kaluarës reale, por e domosdoshme të ishte edhe efektive për luftën drejt ekzistencës mespërmes të drejtës së përmbysur nga turqit dhe fqinjët asgjësues e fuqitë minimalisht indiferentë e të painformuar, bëhet edhe më befasuese në gjurmën gjuhësore.

Fillimet e retorikës e të të shprehurit janë ngulitur në fjalë ende aktive shqip. Ndërsa njihet se retorika u nis të konfigurohet për të argumentuar të drejtën dhe pritur gjykimin e publikut[7], ende sot në themel të fjalës shqip që përmbledh të folurën është koncepti juridik i shkrirë në atë të të shprehurit LIGJ/ërimi. Atje ku gjuhëtarë, retoricienë e filozofë përpiqen të gjejnë fillimin e të folurës përmes pamundësisë për të ndarë rrënjën indoeropiane ‘leg’ (lidhje) që duhet të shpjegojë vazhdimin sipas ligj-it (që europianët e zhvillojnë mbi lex ose iudicium), ose leximit (les, letër), në shqip qëndron mbi të njëjtën rrënjë një koncept unik i frymës dhe letrës (mendimit si gjykim dhe shenjës) në bashkëjetesën e parë, të dhënë ose arritur të tyre – ligjërim.

Fjala e mbajtur nga kushdo, thirret sot në shqip ligjërim, ligjëroj, bashkë me derivatet ligjërues, i/e ligjëruar. Kuptimi i saj jep si efektin e të bazuarit mbi procedimin gjykues, ashtu dhe daljen nga ky procedim me të vërtetën e ligjëruar njëkohësisht edhe si mbajtje fjale edhe si vendim i publikut a institucionit gjykues, për të mos shkuar më tej me faktin që dhe vetë ‘fjala e mbajtur’ është dykuptimëshe mbi kryerjen e të folurës dhe atë të të përmbajturit ndaj asaj që premtohet ose apelohet, që do të ishte kapaciteti i ekzekutimit. Mbiemri madje, kërkon një sqarim të posaçëm për t’u ndarë nga kuptimi ‘i ligjshëm’, si proces juridik– ligjor, ndërkohë që varianti më ‘-ëruar’ e tregon më shumë procesin. Por emërzimi i mëtejshëm ‘ligjërues’ ka zhvilluar më shumë kuptimin e të folurës duke sjellë dhe profesionin për të në të njëjtin kapacitet që shënon dhe lëndën e kryer të ligjërimit ‘LIGJËRATË’, i lidhur më tej në kontekste edhe muzikore si ‘ligjëro si bilbil’, por duke i vënë vulën kapaciteteve të fjalës me përdorimin si rit kur ‘qan me ligje’. Gjuha shqipe që, në këtë rast, ashtu si dhe në raste të tjera, të njohura e të panjohura për shqipfolësit dhe joshqipfolësit, ka ruajtur sa në heshtje aq me domethënie përpunimin mistik të një sistemi komunikimi bartës të historisë së fjalës që tregon fjalën – ligjërim si kapacitet komunikimi, ekzekutimi dhe rregullshmërie-, e referon në rrënjë kapacitetin kritik të të shprehurit ose forcën e gjykimit sipas Kantit, ku fjala e parë e gjykimit -‘krisis’ (greqishte e vjetër) ose ‘kris’ në shqip- më kujton se mund të ketë derivuar në ‘kritik’. Sensi i përforcuar dhe nga njohja që shumë studiues i bëjnë potencialit të krisjes së normës retorike në një sërë procedimesh për realizimin e efektit sipas thyerjes së pritmërisë së publikut, është një tjetër vërtetim në lëndë gjuhësore i asaj që është kuptuar me veprimin e kapacitetit kritik të ligjërimit e retorikës (iudicium).

Marrëdhëniet paralele të mendueshme me latinishten nga rrënja leg- ere (leggere it., por lire frëngjisht) që në ato gjuhë ka dhënë leximin, për një kryqëzim edhe më intrigues, e ka ndarë ‘leximin’ në shqip duke e lidhur me ‘lex’ (latinisht ligj) që në gjuhët perëndimore ka kaluar me kuptimin e ligjit. Leximit në anglisht ‘read’ i referohen sipas norvegjishtes së vjetër ‘Rada’ dhe sanskritishtes ‘radha’ pa shkuar dot më thellë me një kuptim që në shqip është edhe sot me të njëjtët tinguj ‘Radha’. Shpjegimi i mëtejshëm i ‘radha’ e lidh detyrimisht me gjuhën nënë të tyre gjermanisht ‘Rat’ (këshillë), që krijon sipas nesh dilemën nëse leximi është i vendosur në këshillë apo në radhë. Shkëputja e frëngjishtes gjithashtu nga gjuha nënë latine duke e treguar leximin me ‘lire’ tingëllueshëm me fabulën e të kënduarit të muzave me lirë nga ka rrjedhur lirika, bën po ashtu një degëzim që shpërndan ndryshe shpjegimet e dhëna deri tani nga gjuhëtarët e filozofët për mbirjen dhe zhvillimin e kulturës njerëzore. Ndërkohë log-os (si një nga trajtat e ‘leg’[8]) duket të jetë ‘inskenuar’ si fjalë ose anasjelltas (nga praktika) me vendin – log, ku burrat në malësitë shqiptare ku/vend/onin e fjala zinte vend për të marrë vend/ime.

Ekzistenca e një fjale tjetër nga latinishtja për kapacitetin kritik– iudicium (si trajta të ius, ku shumësi i iunga -xhunga ose nyje në shqip ndoshta si adresim i tokësorëve ‘ju’ brenda kapacitetit të ekzistencës së tyre, ndërsa nga produkti nyje është konkretizimi i organizimit mbi lidhje në sistemin gjuhësor)- mbi të cilin është derivuar gjithë karakteri kuptimor i drejtësisë dhe pushtetit të saj në ditët tona në gjuhët perëndimore, i përforcon zanafillat origjinuese sa më lart. Për të mos folur për emrin e perëndisë së drejtësisë Themies që tingëllon shumë pranë ‘të thënës’ ashtu si dhe Athina, as të afërisë tingullore të fjalës ‘legjendë’ me rrënjët e mësipërme, po sidomos të ‘digesti komisioneve’ të Iustinianit (funksionalisht për dëgjesë), një fjalë që në gjuhët perëndimore sot e gjen të lidhur me trajtimin, ndërsa përgjegjësja e saj e greqishtes së vjetër – Pandekta me emrin e së cilës njihet ligji (ligji i Pandektës) është aktive në shqip si ‘pandeh’ për proceset mendore dhe ‘i pandehur’ për ato ligjore.

Kapacitetet e ligjërimit si më lart janë provuar dhe në këtë zhvillim të gjatë  të materies shoqërore të përfaqësuar si substancë analitike në gjendjen e sotme – pushteti i masmedias (gjykimi i publikut) si pushtet i katërt në krah të pushtetit të drejtësisë (gjykimi i institucionit), madje dhe pushteti politik (gjykimi sipas kapacitetit të lirisë e ekzekutimit të fjalës). Kjo na lejon që përfundimisht  fillesat praktike e teorike të retorikës të përmbajtura që në hershmëri të shqipfolësve në gjuhën ende aktive sot, të motivojnë shkencërisht përputhjen tingullore të variantit THEO të dhënë deri tani në greqishte të vjetër për Zotin duke pasqyruar njëkohësisht të folurën ose përthyerjen e mendimit. Thellimi historik i shpjeguar e i vërtetuar e lidh ‘mendimin’ anglisht pikërisht me këtë rrënjë (thi/(s)nk) e ku e vërteta është shënuar me ‘tru’ (-e, -th), por duke iu referuar greqishtes së vjetër që nuk dihet se si nuk ia ka dhënë dot greqishtes së re të gjitha kuptimet që ‘Zoti’ ka krijuar në shqip duke ‘thënë’, duke u aftësuar (i zoti), duke ‘dhënë’ e zotëruar (pronë e aftësi) madje dhe duke u zotuar për ta bërë ‘zotëri’.

Me fusha kuptimore, fabulë historike e tregimtare dhe shkallë evolucioni natyror e të mendimit, fillimet dëshmohen në shqip sipas fjalësh aktive në përdorim, të paofruara në shpjegimet thelbësore të historisë së fjalës, përveç rastit kur për rrënjën ‘leg’ (lidhje) japin mbledh të shqipes, ndërkohë që vetë leg ka vazhduar të zhvillohet në këto gjuhë pavarësisht kuptimit me të cilin e lidhin sot. Sipas nesh, fillimi i vetëdijes nuk ka lindur nga e lidhura, por nga konstatimi prej krahasimit dhe karakteri kritik a gjykimi në një proces të mpleksur me mendimin, ku kufijtë se kur mendimi është bërë mendim dhe kur është veshur me gjuhë që u bë vetë me kohë sistem i lidhur, rri po aq në terrin e misterit sa dhe kur leu, aq saç mund të jetë po aq i vërtetë sa e jep legjenda ose endja e ligjit (kontekst i pranueshëm për lidhje) si një proces shumë më kompleks se lidhja. Njësitë gjuhësore dhe fjalët janë lidhur në sistem sipas parimit sintagmatik dhe paradigmatik dhe lexohen duke u radhitur në fjalë, fjali, paragrafë e faqe deri në volumin e zgjedhur nga autori, gjë që e ofron fillimin me rregullshmërinë konvencionale, e ku retorika ka referencë të lartë.

Këto radhë që, për mua nisën prej konteksteve të Nolit, por trondisin njohuritë e pranuara a përgjigjet e padhëna për fjalët e para të shenjave që u bënë gjuhë bashkë me mendimin dhe gjykimin, kanë qenë të pamundura për të mos u proceduar kur janë shfaqur si zhvillime furnizuese e krejt të ndryshme të lëvrimeve shqip sidomos për atë që është mbajtur sinonim i Nolit- ligjërimi.

Si koncept ose si kompleks tingullor, rregulli që duket të mos përkojë rastësisht me realitetin e qartësuar global të një shteti dhe zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, bëhet kapacitet aktiv në shpjegime të kësaj natyre dhe sidomos për thuajse unikalitetin e një ashtuekzistence shqiptare publicistike dhe, edhe kjo, mjaftueshmërisht e kufizuar, në shekujt që e sulmonin me asgjësim pa u ndalur edhe kur pothuajse nuk ishte.

 

[1] Plett, V., Heinrich ‘Einfuehrung in die Rhetorische Textanalyse’ Helmut Buske Verlag, Hamburg 1983, fq. 18

[2] Hans-Christof Koller, ‘Schluesselerlebnisse. Zur Rhetorik autobiographischer Erzaehlungen und ihrer Bedeutung fuer Bildungsprozesse’, në Sabban, A und Christian Sch (Hrsg.) Sprachlicher Alltag. Linguistik-Rhetorik-Literaturwissenschaft, Tuebingen: Niemayer 1994, fq. 247

[3]Ueding/ Steinbrink „Grundriss der Rhetorik’, fq. 172, J. B. Metzlersche Verlagsbuchhandlung, 1986, Stuttgart

[4] Jacob Burckhardt, ‘Weltschichtliche Betrachtungen’, Stuttgart, 1935,

[5] Butka, U., ‘Kthimi i Mid’hat Frashërit’, Shërbestari i Shqipërisë, fq. 3, Phoenix 1997

[6] Plett, V., Heinrich ‘Einfuehrung in die Rhetorische Textanalyse’ Helmut Buske Verlag, Hamburg 1983, fq. 18

[7] Ueding/ Steinbrink „Grundriss der Rhetorik’, fq. 15, J. B. Metzlersche Verlagsbuchhandlung, 1986, Stuttgart

[8] It is the hypothetical source of Greek legein “to say, tell, speak, declare; to count,” originally, in Homer, “to pick out, select, collect, enumerate;” lexis“speech, diction;” logos “word, speech, thought, account;” Latin legere “to gather, choose, pluck; read,” lignum “wood, firewood,” literally “that which is gathered,” legare “to depute, commission, charge,” lex “law” (perhaps “collection of rules”); Albanian mb-ledh “to collect, harvest;” Gothic lisan “to collect, harvest,” Lithuanian lesti “to pick, eat picking;” Hittite less-zi “to pick, gather.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

error: Content is protected !!