Press "Enter" to skip to content

Xhemë KARADAKU: Pellgorja ndryshe

Emёrtimet Arat e Pusit, Kroi i Pusit dhe madje Vorri i Hazir Pusit, thua nuk kishte ditё nё fёmijёri qё nuk i zinim nё gojё. Pёr shembull, nё mbrёmje kur babai mё pyeste: “Kah i kullote sot delet?”, pёrgjigjja mund tё ishte: “Nё mёngjes i lёshova te Arat e Pusit, pastaj kah Livadhi i Gatё, dikur mё vonё u dhashё ujё te Kroi i Pusit. Pasdreke i ngjita pёrpjetё kah Shortat, i kullota nё Lёndinё te Vorri i Hazir Pusit, pastaj i lёshova kodrёs kah Mali Pёrmbi Udhё…”.
Lёndina ku ishte varri i Hazir Pusit, ishte ngjit me Kodrёn e Vorreve. I ndante njё gardh i madh, pёrgjatё tё cilit kishte shumё therra, murriza dhe kulumria. Gardhi kishte mbetur ashtu mё tepёr si njё vijё ndarëse kufiri, se sa kishte ndonjё kuptim pёr tё penguar kalimin nga njёra anё nё tjetrёn, sepse ishte thyer nё disa vende dhe në ato zgrapcyra, tashmë, lopёt, delet, kuajt e qentё mund tё kalonin andej-këndej, pa pengesa. Mё tepёr ishte njё relikt i njё gardhi të njё kohё të shkuar, i cili dukej se dikur kishte qenё i pakalueshёm.
Njёherё e pata pyetur babёn lidhur me kёtё varr tё vetmuar, qё e quanim Vorri i Hazir Pusit, por ai nuk e zgjati shumё, mё tha se para shumё vitesh nё kёtё pjesё tё fshatit jetonte njё familje me llagapin Pusi. Duke qenё se kishin ardhur mё vonё nё fshat, ata kёtu i kishin nisur Varrezat e tyre tё reja. Por, nuk ndejtën shumё gjatё, sёrish u shpёrngulёn…
Varri i Hazir Pusit ishte dёmtuar nё masё tё madhe me kalimin e kohёs. Dy gurё tё gjatё nё njё largёsi thuaj dy metra, tё vёnё te koka dhe te kёmbёt, tregonin vendndodhjen e tij, ndёrsa dheu brenda kёtyre dy gurёve ishte shafitur e bёrё si lugajё, aq sa kur binte shi, me ditё tё tёra krijohej njё farё pusi me ujё. Plakat thoshin se nuk ishte mirё tё silleshim fort afёr atij varri tё mistershёm.
Pёrgjigjja e babait tregonte njё pjesё tё vёrtetё lidhur me kёtё familje, por mua mё gёrryente dëshira të dija historinë lidhur me Hazir Pusin. Atёherё fillova kërkimet. Tё parёn ngacmova gjyshen ditёn kur dolёm bashkë tё shëtisnim kah Molla Verore. I thashё:
-Kёta të familjes Pusi, qё jetonin dikur kёndej, ishin njerёz tё mirё, apo si ishin?
Ajo u bё se nuk dёgjoi, por kur ia pёrsёrita pyetjen mё tha:
-Hiqu, tyne! Pus ma!
Kjo “hiqu tyne” sikur mё nxiti edhe mё shumё tё mёsoja historinё e tyre.
-Ishin njerёz, interesantё, – tha dikur, – secili e kishte nga njё rrem, po kyfarё Haziri ishte kapaku i tyne…
-Pse? – i thashё.
-Ёshtё histori e gatё, – ma ktheu. – Harroji ma mirё, se mos po i bje nё vesh babёs qё po interesohesh pёr ta… Hajt hyp nё mollё e mbёrrimi do, – sikur deshi tё dredhonte bisedё ajo.
Molla Verore ishte skaj malit mё tё mirё qё e kishim, tё cilin e quanim Pellgore, por mё mirё ta quanim Shkozishtё ose Ahishtё. Thonё se emrin e kishte marrё nga njё pellg i vogёl dikur afёr malit, e i cili nuk shteronte dimёr as verё… Baba, Pellgoren e kishte blerё nga Pusёt, kur ata ishin shpёrngulur. Ajo tashmё kishte ndryshuar aq shumё sa i ngjante njё parku, me drunj tё gjatё shkoze dhe ahu. Ai menjёherё i kishte prerё therrat, murrizat, krekёzat e ndonjё dru tjetёr tё shtrembёr. Do bimё i kishte shkulur me rrёnjё dhe i kishte djegur… I kishte lёnё vetёm drunjtё e drejtё, trupat e tё cilёve sikur kishin mёsyrё qiellin dhe verёs formonin kurora degёsh me gjethe tё shumta.
Njё ditё, isha ulur nёn hije tё Mollёs Verore. Delet kullosnin tutje. Dielli pёrcёllonte. Atёherё me fyell, siç bëja shpesh, ia pata nisur njё melodie baritore. Zёri i fyellit jehonte pёrtej Pёrronit tё Alisё deri nё Djegurinё dhe kthehej mbrapa si jehonё.
-Hahha, haha. Je bёrё me kёtё fyell si Hetё Pusi, – mё tha Telalli i Paskodrёs, tё cilin nuk e kisha hetuar se kishte ardhur ngat meje.
U ngrita nё kёmbё i trembur. E pёrshёndeta. Telalli ishte nё moshё tё shtyrё. Mё i vjetёr se baba. Por goja i bluante si çakallё mulliri. Unё nё shenjё respekti i thosha “Axha Telall”. Ai ma kthente: “Mos mё thirr axha Telall. Më quaj shkurt: Telall!”. Mundohej tё fliste nё gramatikё.
Gati e kisha harruar punёn e Pusëve dhe me vete mendova se ishte rasti i mirё tё mёsoja diçka të re pёr ta.
-Kanё qenё tre vёllezёr, – ia nisi Telalli. – I madhi, Xhepi, ishte zot shtёpie. Ishte punёtor i madh, por ngucakeq. I dyti ishte Heta, dembel qё nuk prekte punё me dorё, por veç i binte fyellit ngado qё sillej. I treti ishte Haziri… Mallkuar qoftё!
-Pse mallkuar qoftё? – pyeta unё i habitur.
-Ishte i mbrapshtë. Shëtiste fushave e kodrave me disa rroba tё shqyera. Sytё i kishte me do rrema tё kuq. Njerёzit nuk i ngucte, por ata kishin nisur tё frikoheshin prej tij. E pinte njё duhan tё sertё, tё cilit i vinte erё e rёndё njёqind metra larg. Thoshte se e pёrziente me bagla tё kuajve. Por, kjo ishte rrenё e kulluar. Zoti e dinte çfarё duhani ishte. Pёrditё e pinte edhe njёfarё çaji qё e quante drogёsht dhe natёn nuk fuste gjumё nё sy. Here-herë e kishte njё forcё tё jashtёzakonshme dhe plakat thoshin se djalli kishte hyrё nё trupin e tij.
Njё ditё e mbaj nё mend kur te Guri i Madh u fjalos me babёn tёnd. Askush nuk guxonte tё matej me Hazirin. Tё gjithё i iknin diqysh. Por babai yt, ishte i ri, sapo e kishte kryer ushtrinё dhe pa njё pa dy e kapi nё rruzё, e ngriti peshё dhe e rrёzoi nё kokёrr tё shpinёs. Haziri i dha zor, por kot. Dikur u dorёzua. U ngrit duke shkundur gjethet dhe barin i cili iu kishte ngjitur pёr trupi e u lёshua kodrёs teposhtё… Herё pas herё e kthente kryet sikur dёshironte tё thoshtё diçka, por asgjё nuk foli. Ndoshta shante vetmeveti.
-Po, pastaj?
-Pas njё kohe nisi tё dilte mё rrallё nga shtёpia. Kishte nisur tё dobёsohej tej mase. Flitej se ushqim hante shumё pak. Duhanin nuk e ndalte. Disa herё nё ditё e pinte atё çajin e mallkuar qё e pёrgatiste vetё. As gjumё nuk mund tё bёnte, vetёm kur lodhej e rraskapitej.
Njё natё kishte dalë nga shtёpia pa u hetuar. Tё nesёrmёn e kishin gjetur tё vdekur diku nё mes tё Pellgores, nё njё rogё tё rrethuar me gardh, ku i rriste do bimё tё cilave askush nuk ua dinte emrin. Pastaj familja e varrosi aty ku e ka varrin…
Telalli nuk e zgjati më shumë. Iku menjëherë, sikur u pendua që më tregoi këtë histori për Hazir Pusin. Ndoshta mendonte se unë do t’i tregoja babës, e ai mund të fjalosej me të. Por jo, unë doja të mësoja edhe më shumë. Veprimet e Hazir Pusit kishin ndonjë shkak… isha i bindur.
Një ditë shkova në mes të Pellgores. Dëshiroja ta gjeja atë rogën ku Haziri rrinte shpesh sipas Telallit. Po Pellgorja tashmë kishte ndryshuar shumë. Megjithatë diku e gjeta një pjesë ku drunjtë ishin ndryshe, më të vegjël. I kishte mbjellë baba më vonë. Sikur të humbiste gjurmë. Më dukej se kërkoja një tjetër kohë… Disa hapa u dëgjuan nga larg dhe më trembën. Ishte xha Remi me një sëpatë në krah. Nga larg më pyeti:
-Çka po bën aty?
-Po kërkoj kërpudha, – e gënjeva
-Aty mund të gjesh vetëm rrënjët e bimëve të Hazir Pusit, nëse ka mbetur ndonjë.
U bëra se nuk dija gjë, por në bazë të fjalëve të xha Remit, aty ishte roga në të cilën Haziri e kalonte kohën me bimët e tij.
-Pse, ti e ke njohur Hazirin, – e pyeta unë pastaj…
-Po more, si s’e kam njohur? Kam qenë i ri, por e mbaj mend shumë mirë.
Pastaj xha Remi më tregoi shumë gjëra për të. Më tregoi se Haziri një kohë kishte jetuar në Bullgari. Thonë se kishte qenë i martuar me një bullgare, e cila e kishte futur në do ujëra të pista. Pastaj i kishte mbajtur disa vite burg dhe bullgarët i kishin dhënë një “balgarski çytek ” të mirë. Bile, kur e patën përzënë nga atje, nëse nuk jam gabim, edhe gazetat patën shkruar për të!
-Kur erdhi në shtëpi, – vazhdoi xha Remi, – kishte ndryshuar shumë, ishte bërë tjetër njeri. Tërë ditën e kalonte këtu në mes të malit. Këtë rogën e dikurshme e pat thurur me një gardh të naltë, ia pat bërë një deriçkë përmes së cilës hynte dhe dilte. Askënd nuk e linte aty të ofrohej. Thoshte se kush do të hynte aty përveç tij, menjëherë do të vdiste. Bëhej se komunikonte me do qenie të padukshme. Herë pas here vinte këtu natën, qeshte, këndonte e bërtiste në kupë të qiellit. Kur i kthehej jehona e zërit të vet nga kodra përtej, thoshte se ishte zëri i jashtëtokësorëve që po i përgjigjeshin… Hajt, axhës, kulloti delet, lexo ndonjë libër e mos u merr me Hazir Pusin, – më tha xha Remi në ikje.
Unë u nisa në drejtim të deleve që kullosnin më tej. Ishte hera e parë që më erdhi keq për fatin e tij të mjerë… Megjithatë sikur doja të dija më shumë arsyen e ndryshimit të tij.
Një ditë në shkollë, arsimtari i biologjisë na njoftoi se orën tjetër do të dilnim në natyrë, më konkretisht do të shkonim në një pyll me ahe, pasi që do të mësonim për këta drurë gjetherënës. Të gjithë njëzëri i thamë: të shkojmë në Pellgore! Arsimtari i biologjisë e pranoi propozimin tonë, pasi që Pellgorja nuk ishte shumë larg nga shkolla. Si për habinë time, arsimtari zgjodhi pikërisht rogën, ku dikur kishte jetuar jetën e vetë Hazir Pusi. Për pak desha të shkretoja, t’ia përmendja emrin, por u përmbajtja. Në Pellgore po luhej dramë e paparë, mendova, por isha i bindur se ende kishte akte të tjera…
Për një çast, kur arsimtari kishte marrë në dorë një degë ahu me gjethe, më tha t’ia mbaja librin e biologjisë. U habita kur e pashë me çfarë pedanterie e kishte mbështjellë me gazetë, që të mos i dëmtohej. Dikur e rrotullova librin nga mbrapa dhe sytë më zunë një titull ku shkruante: “E përzënë, por djalin nuk ia lënë”. M’u duk titull interesant. Rashë mes dy zjarresh, të dëgjoja arsimtarin apo të vazhdoja leximin. Kjo e dyta, si një mister, sikur më nxiste më shumë. Vendosa ta lexoja artikullin. Gati sa nuk bërtita kur kuptova se bëhej fjalë për Hazir Pusin… Aty tregonte se si e kishin përzënë nga Bullgaria pas lirimit nga burgu, se si gruaja nuk ia kishte lënë djalin e vogël, se si ia kishin ndaluar të takohej me të deri sa ai të arrinte moshën e pjekurisë, për shkak se e konsideronin person të rrezikshëm etj…
Me vete thashë: Ra perdja në Pellgore.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!