Press "Enter" to skip to content

Ervin NEZHA: Persiatje mbi vëllimin poetik “Palcë dhe frymë”

Vëllimi poetik “Palcë dhe frymë”, i autorit Arti Lushi, vjen pas dy botimeve të mëparshme në prozë “Humus” dhe “Gjakime”, prozë tejet sqimatare, e shkruar mbi truallin neutral të prozës së shkurtër dhe tregimit. Pra, e thënë ndryshe, ky vëllim poetik, plotëson profilin poetik të Artit dhe sjell një befasi në poezinë shqipe, atë me “P” të madhe, ndaj uroj që ky libër të mos kalojë pa vëmendjen e duhur.
Në poezinë e Lushit spikat një kombinim metrik i çlirët, gati eksperimental, një kombinacion i çiltër formash e kuptimesh. Qartësia dhe cilësia e imazheve është gati kirurgjikale, ndërsa lëvizja e tyre është marramendëse, si pemët që bredhin përkundrathi drejtimit, të vëzhguara nga dritarja e trenit. Ato janë imazhet që krijohen në kokën e një maratonomaku dhe shpërndahen përmes frymëmarjes së rënduar nga vrapimi.
Në poezinë e Arti Lushit mbizotëron një frymë objektive, krejt e veçantë dhe e guximshme për t’u përdorur në tekstin poetik, që eliminojnë sheqerosjet e tepërta, subjektive, rrisin tonin e unit rrëfimtar dhe u mvesh një karakter mistik. Poezitë e “Palcë dhe Frymë” përdorin të tashmen, për të nxjerr në pah dilema ekzistenciale, të nxitura nga koncepti ynë i kufizuar për kohën, përvoja që na vendosin brenda një rrafshi ku gjenden të selektuara qindra imazhe, përvoja e rrethana të sikletshme, duke na nxitur që të rrokim çastin përmes një loje brilante estetike.
Këto poezi janë një burim i vazhdueshëm imazhesh; ato ruajnë të virgjëra lidhjet me poezinë moderne shqipe, me folklorin, me përditshmërinë, me qytetërime të humbura, me enigma të lashta, me kultura të panjohura e me popuj ekzotikë. Vargjet e tyre janë sa moderne, aq tradicionale, sa të hershme aq edhe të lashta, por thellësisht emblematike!

Ja një prej poezive të këtij vëllimi:

Të kesh një ëndërr

“Të kesh një ëndërr..’ është temë që trajtohet në shkollat fillore;
Të kesh një ëndërr është thikë me dy presa thonë të moçmit;
Të kesh një ëndërr është sjellje e trashëguar nga engjëjt zevzekë;
Të kesh një ëndërr është të zgjohesh me tinguj e Woodstock
Dhe të nisesh për në banjo me pantofla të ndryshme;
Të kesh një ëndërr është kënaqësia e fëmijës prapa vrimës së çelësit;
Parakusht për të patur një ëndërr është të jesh vetë ëndërr dhe ta pyesësh Hyun:
“Sa ka shkuar çmimi i zhgënjimit mor burr’ i dheut?”;
Të kesh një ëndërr është një befasim me aromë keku të sapopjekur;
Të kesh një ëndërr do të thotë të shohësh përtej shikimit,
Të dashurosh përtej jetës,
Të vdesësh thjesht për kulturë turistike;
Të kesh një ëndërr është të mbjellësh luleshpresë në hijen e fjalëve të Luther King-ut;
Të kesh një ëndërr është seksi (shprehej shoqëria civile në një slogan);
Të kesh një ëndërr është besëtytni e domosdoshme për romantikët e sëmurë;
Të kesh një ëndërr është zgjedhimi hyjnor i foljes ‘jam’;
-Ëndrra është tangjentja e shpirtit në Zbulesë, fiks në 5:04-
Të kesh një ëndërr vlen më shumë se një mbretëri dhe më pak se një buzëqeshje.
Të kesh një ëndërr është specialiteti i ditës në mensat e Qytetit Studenti;
Të kesh një ëndërr është shartimi i paqortueshëm i nusepashkës me puthjen e parë;
është, gjithashtu, vallja mitike në gojën e ujkut.
Të mos e zbukurojmë më tepër seç duhet:
Të kesh një ëndërr nuk do të thotë të ëndërrosh në qiell të hapur
Të kesh një ëndërr mund të jetë edhe rrëshqitja prej duarsh e sapunit
Dhe e jetës.

 

Të tjera poezi nga ky autor mund t’i lexoni në ciklin poetik botuar te Revista Letrare:

Arti LUSHI: Cikël poetik

 

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!