Press "Enter" to skip to content

Arti LUSHI: Cikël poetik

Dy dashuri

Në Zagreb dhe në Korçë është përgjithmonë Vjeshtë.

Qytete që i dua dhe më mungojnë:
njëra krypë e ngrohtë, tjetra kanellë pikante.

Dy dashuri,
njëra më ther bukur,
tjetra ther Bukurinë.

 

Dueli

Është një qoshe nën Gurrajë
Ku vlagë e hije zdirgjen.
Shko mblidhi mirmidonët e tu
E shihemi aty.

Për një çast harroi hallet e ditës
Kredinë, tiroidet, gjellën në zjarr
Dhe bëhu i gjallë.

Një padrejtësi, një gjëmë ka ndodhur
Mijëra vjet më parë, ndoshta,
E ne për hise na ka ra’
Nyjet e këtij absurdi me i nda’.

Pse?!

Sepse përherë kam besuar te mundësitë e dyta
Ndonëse edhe shpresa është marri në vetvete.

Shpresa ime i përngjet vështrimit dallgëthyes
Të një profeti zezak që ende s’ka lindur;
Të një profeti të forte e megjithatë zbathur;
Të një profeti që s’i mungon dashuria, as urrejtja;
Të një profeti gjithë virtyt e mençuri
Por pa shtrojë, pa të nesërme, pa të djeshme;
Të një profeti që ulet këmbëkryq me vetminë e shkretëtirës
Dhe natën gjuan sfinksa ujorë me shtiza hëne;
Të një profeti që duke kërkuar thellësitë e oqeanit
Pa dashje i çan pëlhurën qiellit;
Të një profeti që është aty, por unë s’e shoh;
Të një profeti që më thërret, por unë s’e degjoj;
Të një profeti që ekziston e ndoshta nuk ekzistoj unë.

Mejtime karantine

Po plugon d’borë në Suedi
Dhe unë dëgjoj “ABBA”
Nën diellin e trishtë ballkanas.

Njoh shqiptarë të mirë
Që rrojnë në at’ truall vikingësh.
Njoh edhe Shqiptarin-
Poet, psikolog social
Me shpirt e vetëdije sociale.

“O Tano ma bëj edhe një makiato.
Me pak qumësht të ftohtë.
Sa me e thy’…

Po thoja…
Bie borë,
Në Suedi a gjetiu
E mua m’ka marrë malli:
Jo për borën,
Ndoshta për një kujtim a ndjesi
Që ngjizet me të.

Shkrimtar mender jush.

Kafen e pi pa sheqer.
Zeher ma do shpirti.
Zeher ma do trupi.

Ndërkohë bora bie.
Ju lutem,
Le ta lëmë të bjerë.

 

Kthimi i dytë

Ty, që heshtur si hajdut a si lypës do rikthehesh
Përunjësinë dhe vuajtjen e sojit tim të shpërblesh
Derën hapur do ta lë, buj pa drojë; mos u vono
Veç një mollë të kafshuar ke me gjet’.

Ty, Demiurg me peshore të rëndë sa fati yt
Që ligësinë e sojit Kain vjen të korrësh më në fund
Me plot lavde e gosti madhështore po të presin
Kujdes ama, me mishin e tët biri mos nginjesh!

Leyla Moses-Ones

Triumf logjik i një ëndrre që kemi zgjedhur të besojmë.
Bukuri e plotë, gocë kinge, “tough girl”,
E kur s’e pret, pas gjithë atyre birrave dhe qyfyreve
gjatë fundjavave në “Georgetown”
Trajektorja dhe ekonomia e fatit të degdisën këtu
“E ngarkuara me punë e SHBA-së në…”.

God bless America!
Kurajoze, e kolme, funksionale.
Përtej veskut të blue jeans, baseball e Coca-Cola
Thjesht një shqetësim estetik më pengon të pranoj idenë e dikujt me aq vizion,
buzëqeshje, rrokje duarsh me senatorë dhe, medet,
befas të përballet me emra si Gramoz
E gjithsa gramozëria përfaqëson në Shqipërinë tonë të vogël,
të varfër e -hajt po i bëjmë qejfin vetes- të bukur.

Leyla Moses-Ones,
Gocë bobe,
“In God we trust”
Por unë besoj tek ti.

Beso edhe ti te ne.
Me një besim racional e funksional,
Jo si guvernatori i Judesë
Që kur i paraqitën njëfarë nazaretasi, tha:
“Puna juaj, zgjidheni mes jush”.

Beso Leyla.
(Mund të të drejtohem kështu?)
Se besimi është e vetmja valutë që na ka mbetur,
Mes rrumpallës, tragjikes dhe groteskut.

Në një foto që kishe zgjedhur ta ndaje në Facebook,
po shijoje hedhjen me parashutë, me syze veshur, kasketë dhe pajimet përkatëse.
Beso dhe shijo aventurën e një misioni:
Edhe Shqipëria është një sport ekstrem.

 

*Friendly people

Jelena dhe Marek,
Një ankth larg të tridhjetave,
Ai krijues, me këmbë në tokë.
Tifoz i zjarrtë i Slavias së Pragës,
Çrregullimin seksual
Me audion e tenisit të femrave në sfond
E kuron

Janë mirë.
Jena mirë

E, ndërkohë, edhe pse nuk njohin Olimpia Smajlajn apo Gjergj Kastriotin
Zgjodhën Thethin për pushime.

Kola, nga ana tjetër,
Kafshë seksuale me njëzet e një centim pallën
Pakogjë ka të qartë dhe kërkon prej jetës:
Një katolike të mirë,
Barkun t’ia mbushë
Dhe një investitor që të interesohet për tokat e tij.

Jelena, para do vitesh ka lexuar një libër të Kadaresë dhe ëndërron,
ndër ngërçe muzgjesh, që Patrick,
Kanadezi me sensin e humorit të një lavatriçeje,
me një propozim konkret të trokasë.

Të dy dinë ta bëjnë shqiponjën me duar-
njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë pëlqime kish marrë fotografia në Facebook.

Janë njerëz të mirë.
Të përkorë
Ende gjallë dhe të gjallë…
Edhe për Kolën.

Tundet dhalla para përdorimit.
Ashtu edhe ndërgjegjet e tyre.

Jena mirë,
Jena mirë.

 

Letra higjienike me aromë pjepri

Dy muaj pasi ajo e braktisi
Me lehtësinë që e harrojmë një keqkuptim
Apo sëmundje,
Kishte mbetur vetëm një-
Psoniste ajo për kësi gjërash.

Dhe burri nga ana tjetër mbahej i fortë,
Që do të thotë:
Pak gjumë, ushqim i keq dhe shumë alkool.

Atë mbrëmje u dorëzua,
Bashkë me dëborën jashtë që nuk po shtronte
Për qamet.

E mori rrotullamën e fundit në gji
Dhe ashtu, në ethe a zjarrmi,
Gjumi i mbramë e mori.

 

Shamani

(Homazh për Gilman Bakallin)

Kryp’ gozhdë e rranjë hithrash
Forcën me na e shtue.

Tarabosh, uthull e not,
Të ligën pra, me e zbyth andej kah vjen.

Xhaz, Bajern e raki Boboshtice
itash me e fjetë mendjen nji herë e mirë.

 

Gruaja

Gruaja ma dredh me njëfarë Zoltan Esterhazi.
Atashe kulturor i Hungarisë-
Sipas terminologjisë së luftës së ftohtë,
Një eufemizëm për spiun.

Pa drojë kapen përdore në publik,
Sipas një zakoni të ngrohtë romantik.
Ai e shpie në qoshe të bukura jete-
Opera, shëtitje me tren, piknik në parajsë.
Burrë fjalëpak tjetri, burrë me substancë.
I dëgjueshëm ndaj dramave e saj gjithaq të pazëshme.

Në dhomën e gjumit, zgjedh të besoj,
Se nuk ngjet kushedi çfarë mes tyre
Dhe kjo e bën edhe më tmerruese
Besnikërinë që ajo shfaq ndaj tij.

Kureshtja për jetën e tyre i ka zënë vend xhelozisë-
Spiuni jam bërë unë tashmë.
Di që ai i gatuan me Lhasa de Selën në sfond.
Ai ia kreh flokët e gjatë
Dhe është po ai që sugjeron çfarë të veshë të nesërmen në teatër,
deri edhe të brendshmet.

Pas teatrit, ata kthehen në banesë,
Gjithë heshtje nate, parfum dhe shi.
Pas teatrit, nuk më mbetet tjetër veç
Të kthehem edhe unë në shtëpi.
Me një dorë të zgjatur në terr dhe angështi
Duke ëndërruar “Ah sikur gruaja ime të ish ajo!”.

(Ky cikël u shkëput nga vëllimi me poezi “Palcë dhe frymë”)

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!