Press "Enter" to skip to content

Ornela MUSABELLIU: Shën Valentin i kuq

Atë vit, Shën Valentini qëlloi të dielën. Im shoq premtoi se do të më bënte një surprizë, që do të më linte me gojë hapur. Ia arriti qëllimit. Në fakt, edhe më shumë nga ç’kisha imagjinuar. Jo vetëm që u habita, por, për ca orë, nga emocionet e forta, rashë pa ndjenja. Në buqetën me lule që më kishte lënë mbi tavolinën e vogël të rrumbullakët, të mbushur me foto nga udhëtimet tona, pikasa një pusullë, që me shumë gjasa do më shpjegonte hapat që duhej të ndiqja deri në zbulimin e surprizës. E lexova me padurim e me një frymë:
“Të premtova një surprizë të madhe. Ti e di që e mbaj fjalën. Por kam edhe diçka më të vyer: e dëgjoj përherë këshillën tënde. Të kujtohet kur para një viti bëmë sherr për kokëkuqen që takuam në plazh e më the: “Zhdukmu nga sytë e u djegsh në ferr bashkë me të!”? Ja pra, po shkoj të digjem në flakët e ferrit të saj. E di që thellë-thellë mezi ke pritur të lirohesh nga unë. Mirëmbetsh!”.
Qesha. Me letrën në dorë e kërkova në çdo cep të shtëpisë, duke e thirrur me fjalë të ëmbla, e bindur që më kishte kurdisur rreng e po luante.
“Zemër, ku je futur? Çamarroku im i ëmbël, mos luaj me mua…”. Kur nuk e gjeta askund, i rashë telefonit. E hapi që me zilen e dytë. Nga ana tjetër behu zhurma e një atmosfere të hareshme, ekzaltuese; një festë. Të qeshurat nuk ndalën edhe kur u përgjigj:
– Mos kam harruar të paguaj ndonjë faturë para se të ikja?
Një e qeshur gruaje kukurisi mes haresë. Ndjeva të më përmbysej bota; u plandosa në tokë dhe…
Tani do mendoni se ajo ngjarje ka ndikuar keq tek unë, se kam kaluar net e net me shami në dorë e mëngjese plot duke radhitur në garazh shishet e verës a gjithfarë alkooli; se grisa të gjitha fotografitë tona; flaka çdo gjë që tradhtari kish lënë pas e ua mora shpirtin shoqeve me ankesat dhe të qarat e mia; se më zinte gjumi duke mallkuar tim shoq dhe kokëkuqen që të thyenin kokat në ndonjë greminë! Këtë të fundit e imagjinoja me detaje, si skenar filmi.
“ATA dalin nga një lokal nate, ku janë dëfryer e shkarravitur me njëri-tjetrin për orë të tëra mes avujve të alkoolit dhe ritmit të muzikës. AI i hedh krahun në qafë e ashtu, duke iu marrë këmbët, e puth deri te makina. AJO e lut të shkojnë te hoteli në krah të pabit, me atë tabelën gjysmë të thyer, ku dritat e mbetura fiken e ndizen, me një zukatje si kuisja e një vaji ngjethës. I thotë se është e vdekur e nuk mundet të vijë më vërdallë me makinë. AI, gjithnjë duke e puthur, e kundërshton me ëmbëlsi dhe i thotë se princesha e tij meriton një vend më luksoz e jo atë vrimë miu. AJO bindet dhe zë vend në kadillakun e zi, duke u përkëdhelur si një koketë e ëmbël. Por AI nuk e di se me çfarë kurve është mpleksur. Makina ndizet. AI i jep gaz, por nuk i reziston dot buzëve të saj të trashura me gjilpëra. Pa i hequr duart nga timoni, turret ta puthë herë pas here. Qeshin e luajnë me njëri-tjetrin si dy adoleshentë të palluar në ekstazi. Rruga fillon të gjarpërojë me kthesa. AI tendoset paksa mbi timon, por mendjen e ka tek AJO. Pas kthesës së fundit, kur rruga shtrihet vijë e drejtë si e hequr me vizore, AI zbërthen pantallonat e AJO var kokën me një buzëqeshje tinëzare. Jargaviten si kërmijtë pas shiut. Nga kënaqësia, AI hutohet, makina del nga rruga e të dy përfundojnë në humnerë.”.
Jam e sigurt se ti lexues mendon që jam treguar e dobët e kam humbur në përjetime të errëta. Në fakt, ke plotësisht të drejtë, përveç faktit se ky më sipër nuk është skenar. Por, për habi, kështu u ndodhi vërtet. Ama, betohem që nuk i vrava unë! As kokëkuqen…

Lajmin që im shoq kishte vdekur, ma dha policia. Vdiq si shkelës kurore, me zuzkën e tij, se ende nuk i kishim nisur procedurat e divorcit. Ndodhi fiks një muaj pas Shën Valentinit. Një nga agjentët e policisë i ra qark shtëpisë, pa shishet e radhitura në garazh dhe më pyeti:
– Bëni koleksion shishesh zonjë?
– Po! Që prej ditës kur më braktisi zuzari, – iu përgjigja me qesëndi. Edhe në ato momente isha gjysmë e dehur, pa shkuar akoma ora dymbëdhjetë.
– Jua thanë si vdiq?
– Aksident me makinë!? – pyeta më kot si me sugjerim.
Ma kishin thënë në telefon në fakt, para se të shkelnin në shtëpi dy agjentët e policisë. Por edhe sikur të mos e dija, aq herë sa e kisha ripërsëritur me mend skemën e vdekjes së tyre, isha gati-gati e bindur që ashtu do ndodhte.
– E dini që makina e tij kishte pësuar defekt?
– Këtë nuk e di, por ama e dija që do të vdisnin të dy në makinë, – i thashë e qetë.
Më pyeti i habitur më tej dhe pa drojë ia shpjegova hollësisht parashikimin tim. Ëndërrimet me sy hapur i përshkova si vegime. Polici nuk foli fare. Diç komunikoi me kolegen e tij, i erdhën edhe pak qark shtëpisë e u larguan.
Mbusha gotën me uiski e teksa i shihja të shkonin drejt makinës, nuk dija nëse po pija si vazhdimësi e dhimbjes së braktisjes apo e gëzimit të zbythjes së tyre nga jeta. Këtë konstatim ia thashë edhe psikiatres më pas, në spital, ku më çuan, pasi e njëjta agjente më vizitoi edhe ca herë të tjera. Nuk e di se si iu shkrep policisë të mendonte se makinën ia kisha sabotuar unë. Ato kohë isha gjithmonë e dehur, por të gjithë vendosën që isha e çmendur.
Kështu pra, tani jam në spital. Por, ama, e di që më gënjejnë. Më thanë se dy dashnorët vdiqën bashkë, por, në fakt, kokëkuqja më erdhi në dhomë që ditën e parë. Hiqej si infermiere, por e njoha menjëherë. Sa herë hynte në dhomë, më kapnin kriza paniku. Ulërija e bëhesha aq agresive, sa mjekët detyroheshin të më vishnin një këmishë me mëngë të gjata, që lidhen pas shpine.
Në atë gjendje e urreja për vdekje atë buçen kokëkuqe, që ma kishte nxirë jetën. Jo vetëm më kish marrë burrin, ia kishte marrë jetën, por tani po më torturonte edhe më shumë, duke më buzëqeshur si e pafajshme poshtë petkut të bardhë. Më bënte gjilpëra të çmendesha vërtet. Aq e urreja sa doja ta hiqja qafe, por jam krejtësisht e paaftë të vras njerëz.
Megjithatë, kjo nuk më pengonte të mendoja çdo natë për vdekjen e saj, siç bëra një muaj resht për tim shoq.
Shkruajta dhe skenarin e filmit tim më të dashur të atyre ditëve:
“AJO hyn në dhomën time me atë buzëqeshjen e saj rrëzëllitëse, që më tërbon. Kjo ndodh pas një kohe që jam sjellë mirë e nuk ma veshin më këmishën e forcës. E mbaj përbrenda gjithë zemërimin që ndiej kur shoh vrasësen time. Po, po, vrasësen time! Se e di që, pasi më vrau shpirtërisht, kërkon të më heqë qafe edhe fizikisht. Pasi më pyet se si ndihem, nuk nguron të më shprehë pakënaqësinë e saj. Medemek, AJO e ka kuptuar që unë sillem mirë me gjithë të tjerët, përveç saj. “Përse më ke kaq inat?”, më pyet gjithë duke buzëqeshur, por ama ia kuptoj ngërdheshjen. Ia lexoj në sy inatin që i vlon brenda dhe dëshirën për të më mbytur. Kështu, më afrohet si me të mira, më bën injeksionin në krahë e, pasi ma fërkon lehtë vendin e shpuar, më sheh drejt e në sy krejtësisht e shpërfytyruar e bëhet gati të më ngulë në qafë shiringën e madhe. Por unë e di, e pres këtë veprim, ndaj shmangem menjëherë, ia kap dorën për vetëmbrojtje dhe mundohem ta largoj. Në përpjekje e sipër, agia e madhe i shpon tejpërtej zemrën dhe AJO plaset në tokë. Më sheh me sy të zgurdulluar e përpëlitet si peshku në të thatë, pas përpjekjeve të kota për t’u zvarritur drejt derës. Zgjat njërën dorë drejt meje e lutet për ndihmë. Mua gati-gati më vjen keq, ndaj vendos ta ndihmoj. I ngjesh jastëkun mbi fytyrë e kështu vuajtjet e saj marrin fund më shpejt. Tek e fundit, nuk i shoh dot të vuajnë njerëzit!”.

Më në fund më lejuan prapë të kem laps dhe letër. Mjekët më kanë me sy të mirë e thonë se, nëse vazhdoj të sillem kështu, shpejt mund ta lë spitalin. Sot që po shkruaj është katërmbëdhjetë shkurt. Kanë kaluar pesë vjet nga dita kur Shën Valentini qëlloi të dielën. Këtu e mbajnë sekret këtë datë, por ma kujtoi Davidi. Është ai qerosi, që më vardiset prej kaq kohësh. Netëve, kur infermierët nuk e kanë mendjen, nuk di si ia bën, por vjen e më futet në shtrat. Por unë s’e kam pranuar më qëkur më tha se ka vrarë gruan. Nuk shoqërohem me vrasës unë!
Sot që në mëngjes herët më tha se do të më bënte një surprizë për festën, por ende nuk ka ardhur. Le të mos vijë! Dita është shumë e bukur e dielli i pazakontë i këtij shkurti të ftohtë po më shijon shumë. Nga stoli ku jam ulur, këtu në kopshtin që ka nisur të gjelbërohet pak nga pak, shoh një ambulancë, ku po fusin me barelë një njeri të mbështjellë me çarçaf. Sa keq! Do kishte mundur edhe ai t’i shijonte këto rreze të mrekullueshme!

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!