Press "Enter" to skip to content

Manjola BRAHAJ: Humori serioz dhe serioziteti naiv

Reflektim për përmbledhjen me tregime “Libri i fundit”, të Gëzim Aliut 

Gëzim Aliu, autori i romaneve “Në klubin e të shëmtuarve”, (vlerësuar me çmimin si romani më i mirë nga Ministria e Kulturës) “Katedralja pa kryq”, “Gosti në natën e parë të vjeshtës” (vlerësuar me çmimin “Rexhai Surroi”), i tre studimeve shkencore “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë” (2007), “Romanet e Ismail Kadaresë, 1963-1990, retorika e tekstit dhe narracioni”, (2016) (vlerësuar me çmimin si libri më i mirë studimor në Çmimet Vjetore Kombëtare për letërsi), si dhe “Proza shqipe e viteve 1920-1944” (studim). Ky autor, tashmë është i konsoliduar dhe serioz për shkak, jo vetëm të kontributit të dhënë deri tani për letërsinë dhe për zhvillimin e saj, por edhe për shkak të llojit të letërsisë që kultivon dhe nivelit estetik të saj. Autori në fjalë, sipas gjykimit tonë, përgjatë ndërtimit të këtij udhëtimi të tij letrar, ka dëshmuar se i përket një letërsie e cila kërkon vëmendjen dhe kulturën e duhur për t’ju qasur, kërkon një kujdes të veçantë për të kuptuar simbolikën dhe gjuhën ironike të tij, të cilat formojnë kështu origjinalitetin e pangatërrueshëm të romancierit. Mirëpo Aliu është edhe autor i një përmbledhje me tregime që mban titullin “Libri i fundit” dhe që është botuar në (2012), me të cilën ka dëshmuar se është edhe një tregimtar i shkëlqyer.

Tregimet e ironisë dhe humorit të pamëshirë

Tregimet e Gëzim Aliut janë tregime të humorit dhe të ironisë, këto janë “armët” e autorit, të cilat ai i përdor për të goditur çoroditjen njerëzore të mshehur nën maskën e pseudointelektualizmit, automatizmin e mendimit bosh, pandjeshmërinë karshi shkatërrimit shpirtëror, mungesën e lirisë seksuale për shkak të injorancës dhe komplekseve të mendësisë së prapambetur shoqërore e kulturore. “Libri i fundit” është një libër përveçse ironik, edhe prekës dhe i ndjerë, tek narracioni i të cilit vëmë re, herë vëzhgimin shigjetues të intelektualit dhe herë të tjera sytë naivë e pyetës të fëmijës. Autori me mjeshtërinë e rrëfimit gërryen thellë në mendësinë e një shoqërie të përmbysur kokëposhtë, të automatizuar dhe të lehtëparashikueshme, që jeton për fasadën dhe ngre pseudovlerat në piedestal, që shënjon injorancën me intelektualizëm, pa ditur, në fakt, se ku qëndron vërtet kufiri mes këtyre të dyjave. Vëzhgimi, shpalimi dhe demaskimi i të gjitha këtyre plagëve të kësaj shoqërie të përçundnuar, të maskuar dhe të mbushur me paradokse, autori e realizon nëpërmjet ironisë dhe humorit, mjete të cilat ndihmojnë edhe në përjetimin e një lloj katarsisi , për çdo gjë që ndodh aty, në atë “skenë të absurdit”. Kurse me anë të misterit dhe të habisë arrihet krijimi i lojës dhe përsosjes estetike të veprës, në të cilën lexuesi bie si në një kurth, prej të cilit nuk dëshiron të dalë, sepse i pëlqen tashmë, e përpin dhe e deh.

Ironia e strukturuar

Tregimi që hap përmbledhjen është më ironiku, sipas gjykimit tonë, më i godituri dhe i realizuari, për nga gjuha e zgjedhur, detajet e struktura e tij, për të cilin shoqëria jonë ka pasur nevojë me kohë. Por edhe tregimi që mbyll përmbledhjen nuk është larg të parit, sepse është një ironi që i bëhet pritshmërisë së receptuesit, kësaj radhe për një film, ndryshe nga tregimi i parë që i kushtohet rrjetit komunikues lexues – libër – autor. Ku Aliu me këtë tregim, e ironizon logjikën krijuese e vlerësuese të letërsisë dhe artit që është mbizotëruese në shoqërinë tonë, sipas së cilës shkrimtari duhet të shoqërohet patjetër me mbiemrin “i madh”, po ashtu edhe vepra me mbiemrin “e madhe” dhe temat natyrisht që nuk duhet të bëjnë përjashtim edhe ato duhet të jenë “të mëdha”, për t’u krijuar një letërsi dhe një art “ i madh”, “madhështor” sepse e pret një shoqëri “e madhe”, por pa lexues. Kështu, marrë në tërësi përmbledhja me tregime fillon me një shkallë të lartë të talljes, pastaj gjatë kalimit nga njëri tregim tek tjetri drejt fundit, ndihet më shumë, jo vetëm ndryshimi i tonit, por edhe i ndjeshmërisë, për të cilën folëm pak më sipër. Pra, renditja e tregimeve dhe strukturimi i tyre nuk është bërë duke marrë parasysh aspektin simbolik të numrave, por është bërë duke u bazuar tek përmbajtja dhe ritmi i tyre.

Humori serioz dhe serioziteti naiv

Sa i përket tematikave për të cilat shkruan Aliu, mund të themi se janë kryesisht tema të vështirërrokshme, në kuptimin e trajtimit letrar dhe realizimit estetik të tyre. Aliu parapëlqen të shkruajë për çmendurinë, vdekjen dhe bukurinë dhe për trajtimin e tyre ai përdor mjeshtërinë e duhur narrative, përvojën e pjekurinë shkrimore. Këto tema i gjejmë të trajtuara me humorin serioz dhe seriozitetin naiv (në rastin kur narrator është fëmijë) dhe të parashtruara në mënyrë të atillë që befasinë gjithmonë e gjejmë në fund të tregimeve. Ndaj mund të themi se Aliu është një tregimtar i befasisë dhe humorit të pamëshirë. Po ashtu vëmë re se në paraqitjen e këtyre temave dhe në karakterizimin e personazheve, shpesh rrëfimi merr trajtat e fantastikes, duke të dhënë përshtypjen e botës së ëndrrës dhe të magjisë. Kështu në këtë realitet letrar, çmenduria është jetë dhe jeta paradoks, kurse vdekja është si një ikje e beftë. Ndërsa kategoria estetike e së bukurës vihet re se është një shqetësim i përhershëm i autorit, dhe letërsia e tij në tërësi trajton dhe ka në qendër të saj para së gjithash çështjet estetike (si te “Në klubin e të shëmtuarve”), sepse siç duket sipas tij njeriu nuk mund të jetojë pa të bukurën, ndonëse shpesh është në “luftë” me të, nuk gjallon dot pa pushtetin dhe praninë e saj me të gjitha format dhe përmasat në jetën tonë (referuar romanit “Katedralja pa kryq”). Kurse  bukuria te këto tregime shfaqet e zhduket si mirazh, ajo mbetet larg si pjesë e ëndrrës, e krijuar vetëm sa për t’u admiruar.

Pa muzikë nuk ka prozë

Në këto tregime vihet re edhe prania e muzikës, ngjarjet në shumicën e rasteve zhvillohen me një kolonë zanore në sfond, e cila e plotëson kuadrin kuptimor. Me raste është një muzikë e lehtë, por në të shumtën e herëve është klasike, kryesisht Bethoven, çka dëshmon edhe për kulturën muzikore dhe pëlqimet e veçanta të autorit, të cilat i japin letërsisë së tij një tjetër shije, një tjetër rafinim origjinal e që të mbetet në kujtesë. Kjo arrihet sepse në secilën faqe duket sikur luhet ndonjë sonatë apo ndonjë prelud e kur “muzika përfundon më një çjerrje saksofoni” përfundon edhe tregimi i fundit i përmbledhjes, duke na bërë të kuptojmë domosdoshmërinë e muzikës dhe të ritmit në prozën e shkurtër të Gëzim Aliut. Sepse siç duket, për të rrëfimi vazhdon për aq kohë sa vazhdon edhe muzika në sfond, pra, pa muzikë nuk ka prozë.

Një univers i ri – një thirrje për reflektim  

Universi i këtyre tregimeve i ndërtuar nëpërmjet  ngjarjeve, muzikës e simboleve estetike ka rregullat e veta, shenjat e veta unike, të pakrahasueshme me të tjera. Këtu seksi është dashuri, e dashuria ndryshim biologjik, njeriu mekanizëm e vrasja është vetëvrasje. Dhe brenda këtij universi absurd e të çuditshëm, ku gjallojnë këto qenie, ndihet e përçohet me anë të ritmit në të rrëfyer, detajit në të përshkruar, por edhe këndvështrimit narrativ, një ndjenjë e pikëllimtë për shkak të gjendjes pa rrugëdalje, për shkak të realitetit të pandryshueshëm, që siç duket e trishton autorin. Po kështu, në raste të tjera mbizotëron toni therës e i ashpër, që here – herë bëhet edhe i butë e i dhembshur, duke u përshtatur me temën, këndvështrimin dhe situatën narrative. Ky univers i ri i shfaqur përpara nesh nëpërmjet një bote estetike, nëpërmjet personazhesh simbolikë, në fakt nuk bën gjë tjetër veçse na ndihmon që të shohim pak më qartë realitetin në të cilin edhe ne vet si lexues jetojmë, na bën të shihemi në pasqyrë, të reflektojmë dhe të kërkojmë veten, të hulumtojmë dhe të vëmë pikëpyetje mbi veten së pari, pastaj edhe mbi tjetrin. Kështu, “Libri i fundit” bëhet  një përçues estetik i demaskimit e luftimit të së keqes, të mbrapshtës, të pseudokulturës, të pseudoshkencës dhe pseudointelektualizmit, të letërsisë medoemos madhështore, të bujës boshe dhe të famës së pa vlerë, të ashpërsisë që zë vend mes dashurisë dhe jetës, duke i bërë ato që të jenë në zgrip të përhershëm, në mjegullnajën e misterit. “Libri i fundit”, është një thirrje, një thirrje e brendshme, për ndryshim rrënjësor të brendshëm e të jashtëm. Një thirrje për kthim tek njerëzorja, tek fëmija brenda nesh, larg boshësisë e shkëlqimit të krupshëm që mbyt të bukurën e shpirtit dhe përditshmërisë sonë.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!