Press "Enter" to skip to content

Kujtim MORINA: Pas trokitjes së derës

Zyra ime nuk është larg asaj të shefes. Pasi mbaroj një shkresë, shkoj te dera dhe trokas. Më duket se dëgjoj një zë nga brenda që thotë: “Hyr”. Ul dorezën dhe shtyj derën, por është e mbyllur. Si ka mundësi? Më bëjnë veshët apo shefja mund të jetë brenda, ka mbyllur derën dhe s’do ta hapë!? Më ka ndodhur kështu edhe herë të tjera. Kthehem në zyrë dhe pas dhjetë minutash i bie telefonit të zyrës së shefes. Këtë herë ajo ngre receptorin dhe përgjigjet. Çudi, kur u kthye kaq shpejt!? Nuk guxoj t’i them gjë. S’i kërkohet llogari shefes apo shefit.
Kur më ndodh të dëgjoj jehonën e zërit nga brenda zyrës, pas trokitjes së derës, filloj e mendoj me vete: a mos është brenda shefja dhe nuk do ta hapë? Ç’do jetë duke bërë vallë? A mos është me ndonjë të dashur dhe për të qëndruar rehat, mbyllin derën dhe ia këpusin një muhabeti të ëmbël, duke harruar shkresurinat e mërzitshme? Pastaj imagjinoj që, pasi bëjnë muhabet mirë e mirë, fillojnë të ngacmojnë njëri-tjetrin. Pas prekjeve të para, atmosfera nxehet; fillojnë puthjet, që ngjisin si mastiç. Femrat i kanë të gjitha rraqet me vete nëpër çanta; fshijnë buzët përpara se të fillojnë këngën, pastaj këngëzojnë e luhaten në bregun e dashurisë dhe, në fund, hapin çantën, lyhen prapë dhe çdo gjë duket si më parë. Për një sy të vëmendshëm mund të ndjehen vibrimet e buzëve apo hutimi i lehtë, por, sidomos kur je shef ose shefe, vartësit nuk kanë shumë guxim të të shohin në sy. Edhe nëse të shohin, nuk ta thonë hapur. Sidoqoftë, fjala del.
Pastaj imagjinoj se, pas nxehjes, të dyja palët nuk durojnë më dhe bëjnë një teke të fortë. Apo nuk kanë divane tani zyrat e drejtuesve. Perdet e puthitura mirë nuk të lejojnë të shohësh asgjë nga brenda edhe nëse afrohesh te dritarja. Kushte normale për atë punë. I pëshpëritin njëri-tjetrit të mos rënkojnë me zë të lartë dhe fillojnë rrokjen e trupave, derisa ia shtrydhin mirë kënaqësitë seksit. Nuk është si në hotel, por kënaqësia është më e madhe dhe më e shkurtër në kohë. Kjo i kënaq edhe më tepër. Në vende të ndaluara, të bësh punë të ndaluara. S’ka më mirë! Ngrihet pastaj çifti, duke mbajtur përkrahu njëri-tjetrin, derisa trupat e tyre ftohen ngadalë dhe fillojnë e i rikthejnë gjërat në formën e mëparshme. Kohë kanë, se kurrkush s’mund t’ju kërkojë llogari. Rregullojnë flokët, fshihen, bëjnë pak tualet, ndreqin zyrën, divanin, rrobat që mos të dallohen palat e zhubravitura dhe çdo gjë të duket si më parë, duke i vështruar gjërat me sy të vëmendshëm tani. Nuk e zgjatin shumë muhabetin. Me një puthje që s’është më e nxehtë, por më shumë kortezie, ndahen nga njëri-tjetri. Shefja kthehet prapë te kompjuteri. Në fillim, sytë i ka të micëruar dhe i shfaqen ca si bulëza mjegulle në kompjuter. Gradualisht, pamja fillon t’i qartësohet dhe i rikthehet punës normale. Vijojnë prapë telefonatat, konsultat në zyrë etj., etj.
Pastaj mendoj: jo, jo, s’guxojnë të bëjnë të tilla gjëra në zyrën e shtetit, se po u kapën në flagrancë e paguajnë rëndë. Por një zë i brendshëm më thotë: këto janë bërë e do të bëhen. Të gjitha thashethemet, që vërviten korridoreve dhe kafeneve, nuk janë pa gjë. Po kush u kap në flagrancë? Shumë, shumë rrallë, edhe nëse ndodh, të tretit i premtohen dhurata të majme ose kërcënohet të mbyllë gojën, ndryshe e piu e zeza. Pastaj ai e bren veten duke folur me gurët e drurët dhe vetëm pas shumë vitesh ia tregon ndonjë shoku apo shoqeje të ngushtë me zë të ulët, duke iu lutur të mos ia nxjerrë sekretin. Jo, jo, them, s’ka mundësi të ndodhin të tilla gjëra në zyrë. Ndoshta po bisedojnë shtruar, thjesht bisedë; shefja me ndonjë shoqe apo shok kanë porositur nga një kafe në katin e parë të institucionit dhe e kanë mbyllur derën që të mos bezdisen nga të tjerët. Ndoshta janë mbyllur për ndonjë bisedë të rëndësishme, çështje biznesi apo korrupsioni. Ata e dinë se kur vartësit trokasin në zyrë dhe shefi nuk është, atëherë edhe për ata fillon të fryjë era e lirisë; ikin në ndonjë kafe për shtatë palë qejfe, telefonat e zyrës i lënë të hapur, kuptohet, dhe kur kthehen, edhe nëse shefi i ka marrë në telefon, justifikimi është gati: “I rashë derës, por nuk ishit në zyrë, ndaj dola për një kafe të shkurtër.”.
Mirë, them, që e ka mbyllur derën, por pse thotë nga brenda “Hyr”, apo më bëjnë veshët mua?! Nuk kam as probleme dëgjimi.
Nejse, pasi rri maksimumi gjysmë ore në zyrë, shkoj prapë te dera e shefes, trokas, por kësaj here nuk dëgjoj zë. Them me vete se paska ikur për sot, por, për siguri, e ul dorezën e derës dhe, pasi e shtyj pak, dera hapet. Duke u hapur dera, dëgjoj zërin e shefes që më fton të hyj. Dhe unë hyj duke e përshëndetur. Jam i papërgatitur tani për t’i thënë diçka në lidhje me punën, sepse kjo trokitje ishte më shumë testim i derës dhe i vetvetes gjithashtu. Megjithatë përpiqem ta marr veten dhe gjej ndonjë shkak për të biseduar ose i referohem një shkrese që më vjen ndër mend rastësisht, për të mos rënë në sy. S’i them gjë që i rashë derës më përpara. Është joetike. Vijojmë me punët e zakonshme, madje kësaj here më mban më shumë në zyrë. Përpiqem të mbaj një qëndrim sa më korrekt. Edhe kur shikimet tona ndeshen, jam unë i pari që i paloj sytë, ia hedh në trup, por s’guxoj ta vështroj gjatë; kam frikë se mos i bie në sy e jo më t’i them ndonjë gjë nga ato që mendoj.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!