Press "Enter" to skip to content

Ervin NEZHA: Të lexosh një “Extra Time”

94Shares

Nëse e shkuara dhe e ardhmja ekzistojnë, askush nuk e di ku janë ato!

Kompozicioni i romanit varet zakonisht nga fakti se çfarë roli merr përsipër të luajë në vepër toni personal i autorit. Karakteristika themelore e shkrimtarit të vërtetë qëndron në aftësinë e gjallë, por edhe të fjetur, për të kuptuar gjithmonë, pavarësisht nga mendimet personale, çdo situatë njerëzore.
Në romanin “Extra time”, të Durim Taçit, autori del fare nga skena, duke ia deleguar të drejtën e rrëfimit jo thjesht vetës së dytë gramatikore, siç duket në pamje të parë, por vetes së dytë, një “uni” tjetër të fshehur brenda vetes.
E gjithë përpjekja, për të rrëfyer si “tjetri”, atë që mund të rrëfehej lehtësisht përmes vetës së parë, zbeh rrëfimin subjektiv, të zakonshëm në roman dhe i mvesh rrëfimit një ton gati-gati objektiv. Kjo rrit besueshmërinë te rrëfyesi në raport me ngjarjen, por, nga ana tjetër, e favorizon autorin-rrëfyes në lojën e tij si personazh qendror për të lëvizur lirshëm brenda romanit.
Kështu, brenda romanit sigurohen dy regji paralele për të mbajtur gjallë vëzhgimin. E para, mikro, që lidhet me atë se ç’ndodh brenda kokës së personazhit, dhe e dyta, makro, e cila jo vetëm paraqet mjedisin ku lëviz ngjarja, por, njëherazi, edhe raportin e personazhit-rrëfyes me vetveten, mjedisin që e rrethon apo me personazhet e tjerë, duke e abstenuar në mënyrë kategorike lidhjen me lexuesin. Veta e dytë në romanin e Durim Taçit nuk është një truk letrar apo një formë e re eksperimentale rrëfimi, e futur për hir të eksperimentit, por duhet parë si një zgjidhje pragmatike, për të vjelë sa më mirë dhe më qartë formën sintaksore.
Mendimi, në romanin “Extra Time”, tentohet të vilet bruto, ashtu siç qëndron në kokën e personazhit-rrëfyes, i hapërdarë, duke lëvizur i lirë nëpër rreshta. Kjo i fal veprës spontanitetin dhe lirshmërinë e nevojshme, pasi, duke luajtur me kohën, duke e zgjeruar dhe ngushtuar lakun e saj, sipas rastit, njëherazi zgjerohet edhe hapësira brenda romanit, shmanget mendjengushtësia.
Në qendër të romanit qëndron një bir i humbur, një personalitet fisnik, që mbërthen vëmendjen tonë, ndërsa “shorti” i tij i keq shkund plot dhembje tërë ndjeshmërinë e qenies sonë.
I mbetet lexuesit kureshtar të zbulojë marrëdhëniet personazh/rrëfyes me birin dhe personazhet e tjerë.
Ajo që më ka befasuar ndër të tjera te romani i Durim Taçit, është loja me kohën si nocion metafizik, që rrjedh nga të gjitha drejtimet, ku e tashmja qëndron si pikë stabilizuese, pasi është ajo që orienton si të ardhmen përmes ëndrrave, ashtu edhe të shkuarën përmes kujtimeve. Është pak a shumë ideja e Thoma Akunit, që për të legjitimuar “të tashmen” thoshte se, nëse e shkuara dhe e ardhmja ekzistojnë, askush nuk e di ku janë ato!
Forca e këtij romani nuk qëndron vetëm te përmbajtja e tij, por edhe te thjeshtësia e formës, larg fjalëve të shumta apo ndërlikimeve subjektore, në unitet dhe koherencë të rreptë veprimi.
Një keqardhje mund të jetë se autori, në momente të caktuara, vetveten/personazh e ka vëzhguar së jashtmi teprisht, duke mos mundur të ndriçojë kështu të gjithë dramën që luhet në thellësitë më të mëdha të qenies së tij. Mbase kjo është një zgjedhje personale ose një lloj frike që libri, pa të drejtë, mund të lexohej si një autoroman.
Maniera letrare e Durim Taçit është interesante dhe e radhit autorin në ata shkrimtarë që lexohen me kënaqësi. Sigurisht, në vlerësimin tim, format ekspresive të të shprehurit, tipike post moderniste, nuk qëndrojnë në shijet e mija të ngushta estetike. Kjo për arsyen se, hera-herës, fjala del e papërthyer estetikisht, duke krijuar imazhe të zbehta, të cilave u mungon aftësia e plotë të shumëzojnë njëri-tjetrin.
Mirëpo, pyetja që më lindi në kokë, qe e tillë: pavarësisht gustove të mija letrare, pse “Extra Time” mbeti i këndshëm deri në faqen e fundit?! Së pari, mendoj se kjo lidhet me ADN-në e shkrimtarit, me stilin e pangatërrueshëm, që nuk ia imponon me forcë lexuesit mendimin e tij. Dhe, e dyta, duhet të lidhet me çiltërsinë e romanit, metodën për të qenë jo kopja e rëndomtë e një grupi shkrimtarësh klasikë, thuajse të pakopjueshëm, por me synimin për të ardhur i freskët dhe i kulluar në lëndinën e rrëfimit të vet, i kujdesshëm dhe inteligjent, për të pastruar veprën nga klishetë bajate, nga mesazhet pompoze e moralizuese, që zakonisht romanin e shndërrojnë në një art të shkruari lustrativ, me karakterin vulgar. Sepse thelbi është pikërisht ajo që thotë diku Woody Alen:
“Nëse vepra letrare shkruhet për të përcjellë një mesazh, në vend të saj do mjaftonte vetëm një SMS!”.

Të tjera nga ky autor:

94Shares