Refleksione mbi “Extra Time”
(Vetja jote e dytë)
Durim Taçi, botimet Fishta, Tiranë 2019
“Extra Time” është një përvojë leximi e rrallë. Lexuesit e këtij romani do kuptojnë shpejt që në faqet e para se nuk bëhet fjalë për një subjekt me personazhe lineare, me shpalosje, ngritje e zgjidhje të një nyjeje konflikti. Lexuesve, që lypin tekste të tilla, u këshilloj t’ia bëjnë dhuratë këtë libër ndonjë miku. Romani e ka një pikë kondensimi të dramës, ka peshën e një tragjedie që mbahet në sfond, por lexuesit i shpaloset koha. Personazhi kryesor udhëton.
Romani nis me një udhëtim, që shndërrohet menjëherë në udhëtim të lexuesit. Si në çdo udhëtim, qoftë edhe jashtë letrar, një ndjenjë rreziku pluskon ngado. Kjo s’e ka penguar kurrë njeriun të niset. As Durim Taçin të rrëfejë në këtë roman ato që koha ka gdhendur në hard disc-un e tij. Rrëfimi në veten e dytë ka një urgjencë urdhërore e nuk lejon shumë dalje reflektive apo filozofime mbi jetën dhe personazhet. Në vetën e dytë të rrëfimit kërkohet aksion, veprim. Kjo “vështirësi” e bën, siç duket, autorin të përdorë teknika të skenarit të filmit, shpjegimin e imazhit për kamerat e filmimit, duke ia lehtësuar edhe imagjinatës së lexuesit përmasat dhe thellësinë, këndin e shikimit dhe të dritës ose të mungesës së saj mbi ato që rrëfen. Po! Autori rrëfen vetveten. S’ka asnjë hile stilistike që e fsheh këtë të vërtetë, deri në atë pikë sa të gjithë personazhet kanë emrat realë, raporte e lidhje reale me rrëfyesin. Kjo do të ishte e lehtë, sikur personazhit të mos i duhet të jetojë edhe jetën e të birit …dy jetë në një për të treguar… e kjo është fort komplekse, sepse jeta e tjetrit, e birit, përveçse duhet rrëfyer, duhet edhe të jetohet. Të jetohet përmes imazheve, qofshin të lidhura drejtpërdrejt me të, si çasti i lindjes, i rritjes, i shkëlqimit etj. ose, e mbi të gjitha, edhe si ‘ekstra time’ me birin. Në rrëfim, njëkohësisht ndërmerret edhe koha pararendëse deri te biri. E kjo nis larg, nis në një pyll fshatrave rrëzë Tomorrit, kur në Luftën e Dytë Botërore vritet gjyshi, bari, për të kaluar te një bari tjetër, që vendosë të mbrojë qoftë edhe duke vrarë delet e tij, në fillim të viteve 1990. Vetë Atisi, në mitologji, ishte një bari i bukur, që shkon shpejt. Për të vazhduar në qytet shqiptare e italiane në fillimin e shekullit XXI. Kjo hapësirë kohore vjen në rrëfim përmes një kapilariteti të pabesueshëm, që i jep rrëfimit një thyeshmëri të thellë, një pasuri ngjarjesh e personazhesh, në dukje jo fort të dobishme për ngjarjen, por po aq jetike për kohën. Sepse, autori me kohën e ka duelin. E i duhet ta fitojë. Sepse i duhet të rrëfejë.
Në një roman modern si ky hetohet lehtë mungesa e tendencës së hapur për të rrëfyer në mënyrë lineare, po aq sa ndjehet urgjenca e brendshme për të fituar kohë, për të qenë aty ku ndodh diçka, qoftë edhe duke e jetuar kohën e të tjerëve. E siç përmenda më lart, personazhi rrëfen luftën, me një ngjarje, vjen në mesin e viteve ‘60 në hapat e parë si fëmijë, në mes të viteve ‘80 si student, e në fillim të viteve 1990, si personazh publik e politik. Ai ndodhet njëherësh në kamionë e biçikleta, në anije e vetura, në trena e avionë, si nxitje për të ecur shpejt, për të qenë aty, aty ku i pëlqen të jetë, krah birit, duke vrapuar buzë detit. Në këtë mënyrë i jepet lexuesit, me një bujari e përpikëri admiruese udha e njeriut shqiptar, e një njeriu që synon e arrin të bëjë ndryshimin, ndryshe nga ata që e kanë kohën si kalendar për të shënuar dy data mbi një pllakë varri.
“Ti po përpiqesh të jetosh një të tashme të përjetshme…, një kohë pa kohë, që vazhdon në trajtën e një përvoje të ngjeshur jete e imazhesh”, shkruhet diku në libër. Kjo gjendje vë në pah paaftësinë tonë të përgjithshme për të kapur sinjalet e saj, na jep të kuptojmë se vështirësia e komunikimit me këtë “kohë pa kohë” vjen nga mungesa e një kodi, nga një jogjuhë, e paaftë të deshifrohet nga syri apo shqisat e tjera.
Leximi i këtij romani të shënjon dyfish: së pari, është një roman, që nga ana e shkrimit vjen si një risi e konsoliduar letrare, për të dëshmuar talentin e padiskutueshëm të një autori bashkëkohor dhe, së dyti, është roman i një intimiteti prekës, që na bën të kuptojmë se sa të ngjashëm jemi, sa të brishtë e njëherësh të pathyeshëm na bën koha, ajo që përjetojmë brenda një jete, një sekonde apo atyre “shtatë sekondave ‘extra time’”, që kërkon t’i jepen e i përjeton autori.
Të tjera nga ky autor:
- Liqen i mbyllur në një roman të hapur
- Hija e objektit të munguar
- “Të dua!”, nga Xhovani
- “Një prani në ikje” botohet edhe në italisht: fragment nga libri në shqip
- Durim TAÇI: Nga një derë tjetër
- Durim TAÇI: Kali i kuq i Tare Çelës
- Durim TAÇI: Të vësh një emër (“Extra Time”)
- Durim TAÇI: Një prani në ikje (Fragment)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e tretë)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e dytë)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e parë)
- Shtëpia ‘Markarian’
- Ervin NEZHA: Të lexosh një “Extra Time”
- Mes botëve që njohim e nuk njohim – pas leximit të “Extra time” e “Një prani në ikje” të Durim Taçit
- Supet
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare