Press "Enter" to skip to content

Shkëlzen ZALLI: Vjersha për fëmijë

Shkëlzen Zalli është fitues i çmimit kombëtar për vitin 2019 “Letërsia më e mirë për fëmijë” me librin “Kartolina e zileve”. Ai është një nga autorët më përfaqësues të letërsisë për fëmijë. Ka punuar në Radio-Tirana në programet e letërsisë shqipe për fëmijë, ku u bë shumë i njohur me emisionet: “Mikrofoni i qershizave”, “Kolovajza e pasdites” dhe “Në vallen e rritjes sonë”.
U nda nga jeta më 18 maj 2020.

Libri më i mirë

Më tha një poet,
sa “zbriti” nga rima,
si nga një balonë,
që ledhaton rryma.

-Shkrimtarët, me vite
penat i kanë shkrirë…
Gjer më sot s’u shkrua,
libri më i mirë.

Por, të gjithë fëmijët
e bëjnë, pa dyshim,
po t’ua mbledhësh ëndrrat
thjesht në një… vëllim.

Puplat magjike

Pëllumb-profesori,
me syze optike,
në studio ka shpikur,
ca pupla magjike.

S’janë “antiskifter”,
as “antiplumb”…
veshur do t’i mbajë,
ditën çdo pëllumb.

Si temperaturën,
zhivë e termometrit…
regjistrojnë me ngjyra,
ndotjet e qytetit.

Pupla antindotje,
zverdhet si banane,
kur makina “vjell”,
tymnajën e madhe.

Pa i thonë shoferit,
O, “Ndotje” e nxehtë,
ne të thyejmë xhamin,
me sqepin e mprehtë.

Ndotjen e buzëlumit,
me mbetje plastike,
krahët e tregojnë,
me ngjyra toksike.

I “shkruajnë” qytetit,
vargjet që vijojnë,
“Jeto, por na lër
dhe ne të jetojmë”.

Gjyshi skulptor

Gjyshi im skulptor,
daltën mban në dorë,
nga trungu i vjetër,
nxjerr cullak një dhelpër.

Tullac prej mermeri,
i nxjerr krah skifteri,
dhe e bën freskore,
te faqja bulore.

Nga uji që ka kova,
akull sjell te dhoma,
e gdhend me biçak
e m’dhuron një “cjap”

Por, në ditën tjetër,
gjyshi – “art i vjetër”,
i ngrin si kloun,
mustaqet me shkumë.

I kujton çdo natë,
gjyshes fustangjatë,
-Po m’i preke, thotë –
thyhen si karotë.

 

O bir i yllit

O bir i Yllit,
Mos ki frikë nga Toka,
Zbrit nga Hapësira,
E bëhu fëmijë,
I këtij Liqeni,
Ku pikturon Trofta,
Me njolla lulore,
Bregoren e tij.

O djal` i Yllit,
Zbrit nga kometa,
E më përqafo,
Në ballkonin tim.
Kur buzëqesh Toka,
Fëmijët janë Drita.
Nga rrudhat e Dheut,
Buron gjelbërim.

 

Çast feste në kopsht

Çfarë duartrokitje,
Kur zbret nga foleja,
Rosa kaçurrele,
Me pupla të reja.

Farfurinë si flladi,
Mbi gushë e jelek,
Gjerdani me rika,
Kapur sqep me sqep.

E thotë: Ju kam sjellë
Një këngëz të zgjuar,
Për gjyshen e lagjes,
Që s’na ka harruar.

Për Marsin e Ri,
Na e bëri folenë,
Edhe një zotim,
Që nuk e ka lënë:

“Dhelpra, po t’i sulet,
Çerdhes në shkurrishte,
Përballë do të ketë,
Gjyshen pensioniste.

Sqepi i harkuar,
E kthetrat e frikshme,
T’i dorëzohen rojës
Si armë të rrezikshme”.

Se e kemi gati,
Ligjin antifrikë,
Sajuar nga gjyshja,
Ku voton çdo rikë.

Fëmija pëllumb

Thonë, ka edhe UFO,
As nuk e besoj,
Por një shtojzovalle
Erdhi më takoi.

Nuk hyri si hije,
Por, me hijeshi,
Në vend të neonit,
“Ndezi” njërin sy.

Mesnatës m’u duk,
Si pluhur… mëndafsh…
Më bëri me krahë,
Më nxori përjashtë.

N’vendin ku u linda,
Më shpuri pastaj…
Ajo si kometë,
Unë gërshet’ i saj.

Na uli mesnata,
Si nga një balonë,
Ku kish erë myku,
Por edhe aromë…

Dorë e shtojzovalles,
Si gjethe u shkund,
Një fëmijë i vogël,
Zbret nga një pëllumb.

Sikur e pi buza,
Vesën nëpër fllad…
Nëna driton pragun,
Dhe e puth nga larg…

Zonja shtojzovalle,
Më puthi në flokë,
Këtu, tha, të gjeta,
Kur erdhe në tokë.

Ti, fëmijë-pëllumb,
Me ngjyra në duar,
Kërkoje dritaren,
Kullës së rrëzuar.

Rritu edhe ca…
Nesër… ku ta dish…!
Kulla, i mbledh gurët
E ngrihet sërish.

 

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

error: Content is protected !!