Press "Enter" to skip to content

Ramiz GJINI: Rrëfim mbi të fshehtat

Në sallën e leximit asgjë nuk pipëtinte. Bukuroshja Evis përshkoi korridorin e gjatë duke shkelur mbi tapetin ngjyrë bezhë dhe u afrua pranë skedarit të librave të albano-balkanologjisë. Aty hapi një sirtar dhe nisi të shfletonte kartelat. Si mori nga personeli i shërbimit materialin që i duhej, vajti e zuri vend pranë një tavoline bosh. Prapa shpine kishte sallën të mbushur plot me njerëz. Të gjithë të ulur në vendet e tyre; disa lexonin, disa të tjerë shkruanin në heshtje, secili në hesap të vet. Pranë saj, nga e djathta, një djalosh me sy të kaftë, shfletonte i qetë një revistë kinematografie. Teksa secili merrej me punën e tij, askush nga të pranishmit nuk e vuri re se si e nga hyri një flutur në sallë. Qe një flutur e madhe, e bukur, me krahë të shkruar, të brymët. Bukuroshja Evis e vështroi teksa endej duke rrahur flatrat. Herë-herë, ajo bënte ndonjë kthesë të beftë dhe ndryshonte drejtim. Djaloshi me sy të kaftë e pikasi i dyti. Përmes derës gjysmë të hapur, që lidhte sallën me një tjetër korridor, vinin tingujt e lehtë të një violine dhe, nën ata tinguj, flatrimet e fluturës u kthyen në një si vallëzim në ajër. Por atmosferën e krijuar e prishi për vajzën një zhurmim i lehtë pranë këmbëve të saj poshtë tryezës; një zhurmim, si ai që bëjnë gjethet e pemëve kur bien në vjeshtë! Ishte një pusullë e palosur në katërsh, që s’u mor vesh nga erdhi, po ajo nuk u përkul fare ta merrte e ta lexonte. Nga e majta e saj, një mesoburrë me mustaqe i kish ngulur një palë sy prej pushti dhe po e vështronte paturpësisht nga këmbët. Instinktivisht, vajza kaloi dorën përgjatë fustanit, që i binte pak i shkurtër. Kuptoi, me të prekur, që përveç këmbëve kishte të zbuluar edhe një pjesë sipër gjunjëve. Si tërhoqi fustanin me dorë, për të mbuluar disi bardhësinë e kofshëve, uli kokën dhe u përpoq të përqendrohej në lexim. Ato çaste, dikush lëshoi një kollitje të stisur. Qe një burrë rreth të dyzetave, me flokë të pakrehur, i veshur me një pardesy të zezë, ana e përparme e së cilës i shkëlqente nga lyrosja; dhe kishte një turi të madh si turi kali. Djaloshi me sy të kaftë ktheu kokën dhe i hodhi një vështrim përçmues. Flutura, që tashmë i pati rënë sallës disa herë përqark, zuri vend mbi një tablo, ku binte në sy një shtëpi gjysmë e rrënuar, përskaj mureve të së cilës qenë rritur e kishin lulëzuar mëllaga. Dikush, që ishte ulur nga e djathta e saj, u ngrit të dilte nga salla. Teksa kalonte aty pari, i la mbi tavolinë bukuroshes një tjetër pusullë, tashmë të hapur, ku qe shkruar: “Në sallë nuk ka qetësi”. Bukuroshja Evis ktheu kokën të shihte burrin që po dilte, por i kapi vështrimi një student të shkollës së arteve, që u zu gafil teksa po e vizatonte me laps mbi një fletë të bardhë!
Në karrigen që kish lënë bosh i sapolarguari, erdhi dhe u ul një i moshuar i verbër në njërin sy. Një tip kuqalashi me pamje akademiku fliste ngadalë me mikun e tij për kushedi çfarë teme shkencore, që kish vendosur të mbronte; gjithnjë me vështrimin të hedhur herë pas here nga vajza. Edhe të tjerët, teksa shtireshin sikur lexonin apo shkruanin, i hidhnin përvjedhtas bukuroshes së re vështrime tinëzare! Nuk kishin kaluar as dhjetë minuta, kur një tjetër pasazh i shkruar në letër erdhi fluturimthi e ra në tavolinën e saj – një emocion i papërmbajtur, i përcjellë kushedi me ç’lloj magjie përtej dashurisë. Ndërkohë, djaloshi me sy të kaftë ishte ngritur nga vendi dhe, duke ecur ngadalë e gjithë kujdes, po afrohej pranë tablosë së varur në mur, ku qëndronte flutura. Ia kish shkrepur ta kapte, por flutura e ndjeu, ndaj u ngrit e nisi të endej sërish fluturimthi hapësirës. Të pranishmit në sallë u vunë në siklet prej veprimeve të djaloshit, që ndiqte fluturën. Megjithatë, ata nxitonin të shkruanin në fletët që mbanin përpara. Madje, edhe ata që pak më parë vetëm lexonin, tashmë kishin nisur të shkruanin me sytë e vëmendjen të përqendruar mbi vajzën. Kuqalashi, që pretendonte të mbronte atë temën shkencore, iu hakërrye sykaftit:
-Këtu nuk jeni në ndonjë lëndinë pylli, ku mund të vraponi si një çamarrok pas fluturave! – i tha.
Por sykafti as që e mori mundimin t’i kthente përgjigje. Pastaj u afrua aty një grua nga personeli i shërbimit, që i solli bukuroshes një tjetër pusullë. Ia hodhi në tavolinë e tha:
-Ma dha ai flokëziu i shëndoshë, që është ulur tek tavolina pranë dritares! – dhe si u përkul, i pëshpëriti mu te veshi: – Të gjithë kanë nisur të shkruajnë të fshehtat e tyre në lidhje me ty!
Vajza e vendosi pusullën sipër asaj tjetrës, që ia pati hedhur në tavolinë tipi që doli nga salla, dhe, bashkë me habinë, ajo pati edhe një lloj keqardhje. Gruaja e shërbimit bëri të largohej, por bukuroshja Evis e ndaloi.
-Ju lutem! – i tha. – Provoni t’i mblidhni të gjitha pusullat me të fshehtat e tyre në adresën time dhe m’i sillni!
Tjetra pranoi me një buzagaz të lehtë, ngase kjo ide iu duk interesante. Djaloshi me sy të kaftë, që ndiqte fluturën, u kthye për t’u ulur në vendin e tij. Teksa kalonte pranë tavolinës ku qe ulur bukuroshja Evis, ai tha:
-Në fakt, ekziston një magji për të joshur.
-Po! – tha vajza. – Të gjithë e kemi, por nuk dimë ta përdorim!
E kishte fjalën në lidhje me fluturën, por djaloshi i buzëqeshi me sytë që i shndritën, a thua se e kish gjetur magjinë pikërisht në ato fjalë. Kur ktheu kryet nga gruaja e shërbimit, bukuroshja Evis vuri re që jo të gjithë po i dorëzonin pusullat me të fshehtat në adresë të saj. Disa nga të pranishmit e kundërshtonin gruan. Medemek nuk kishin asgjë të fshehtë në lidhje me bukuroshen që gjendej në sallë.
-Çfarë po thoni kështu, moj zonjë?! – bënte të habiturin një studiues i fushës së antropologjisë. – Për çfarë të fshehtash e keni fjalën?! Ju lutem tani! Më lini rehat në punën time!
Në fare pak minuta, gruaja e shërbimit u kthye duke mbajtur në duar një kuti kartoni të mbushur plot pusulla me të fshehtat që kish mundur të mblidhte. I shprazi në tavolinën para saj e i tha:
-Janë njëqind e pesëdhjetë e shtatë pusulla!
-Kaq shumë?! – pyeti e habitur bukuroshja Evis. – Si ka mundësi, sepse në sallë nuk ndodhen kaq njerëz?!
-Keni të drejtë, – i tha gruaja e shërbimit, – por duhet të dini që më të përvëluarit më kanë dorëzuar nga tri-katër pusulla me të fshehtat e tyre. Vajza e falënderoi punonjësen, që u largua e qeshur. Dhe, si ta dinte që ato pusulla me të fshehta kishin, pa përjashtim, pothuajse të njëjtën përmbajtje, i fshiu me parakrah dhe i hodhi në dyshemenë poshtë këmbëve të saj. Djaloshi me sy të kaftë e pa këtë skenë. U ngrit nga vendi ku qe ulur, u afrua pranë saj dhe i pëshpëriti pranë veshit të fshehtën e tij. Çuditërisht, e fshehta e tij ndodhi të ishte një kopje e përsosur e të fshehtës së saj! Bukuroshja Evis u ngrit dhe, si hodhi çantën krahëve, që të dy u nisën të dilnin nga salla, duke marrë nëpër këmbë të fshehtat e të tjerëve mbi parket.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!