Press "Enter" to skip to content

Ahmet PRENÇI: Cikël poetik

Përsëri për ty

Sot kam pirë pafund verë
Si gjak Krishti gjer në të gdhirë,
I bërë tapë i gjithi vrerë,
E krejt i dëlirë, e krejt i mpirë…

Ti ike, u zhduke si kometë,
Krahët m’i ktheve përgjithmonë;
Dhe flisja me qiellin, me yjet, retë
I vetëm, i dehur gjer natën vonë.

Pastaj të vijnë Zanat e malit,
Pafund të derdhin lot e mëshirë,
Unë prapë me ty do ta mbyll qepallën
E prapë me ty si pëllumb i lirë.

Në sy dhimbje, brymë dhe lot,
Heshtja si qiri fikej përtej,
Me hënën do të pi në një gotë të thyer,
Një gotë të thyer si ty do ta gjej.

1991

Pylli me pisha
– Në kujtim të babait –

Pylli me pisha të moçme
Si xhaketa e babait varur në gozhdën e kreshtës,
Nëna ia ka kthyer dikur jakën,
Jakën e rrjepur nga kripa e djersës.

Pishat e moçme me jakën e kthyer
Nga e gjelbra në jeshile,
Aty xhaketa e babait
Ka mote që bën hije!

Pylli me pisha të moçme
Anuar nga era e luginës si kërrabë,
Rrudhosur si xhaketa e babait
Në acar dhe në vapë.

Rralluar pylli me pishat e moçme;
Rrudhur e rrjepur si xhaketa e babait
Pa portofol, pa xhepa e pa kopsa…

 

Rima prej bore

E paqtë, e butë, e lehtë, e pafajshme
Mbuloi mëkatet në mal e në fushë,
Në borë s’ka frikë, mbi borë s’ka pritje,
Siç presin të dashuruarit puthjen në buzë.

E kam pritur borën si një ëndërr të mbrame
Me gushkuqët strukur nën hatulla e çati,
Nesër nëna ime s’do të veshë nallane
Por triko të leshtë, çizme e sargi.

E kam pritur borën si mikun te dera,
Që mollëzat e tokës enkas t’i zbardhë.
E çiltër kjo bora, si vajza ime Era
Eriona e mirë – e urta, borëbardhë.

E paqtë, e butë, e lehtë, e pafajshme
Shkrin në gjurmët e mia pastaj…

 

Ngricë

Pellgje të acarta këto ditë janari,
Kanali pranë shtëpisë kallkan gjithsesi,
Kënga e bretkosave ka rënë në të shurdhët,
Kam frikë se kanë ngrirë nën akullin e zi.

Pellgjet si pellgjet, janë për bretkosat
E unë ashik i djegur për ty…

 

Mbrëmja në fshat

Para se të perëndojë dielli
Njerëzia shpejton të sosë punët e ditës:
Zogjtë për gjumë shtrojnë dyshekët me pupla;
Kuajt shkundin pluhurin çokollatë të udhës;
Lopët mbushin grushtet me qumësht;
Nëna për vaktin e darkës kripos groshët;
Motra fsheh nën qepallë të parën puthje;
Shelgjet në buzë lumi varen si gërsheta;
Bleta në koshere me lloz mbyll deriçka;
Pulat flenë si pulat;
Merimangat, si merimanga struken në skuta,
Mushkat flenë në këmbë si mushkat;
Derën e avllisë së fundmi e mbyll babai…

Kur hëna-klloçkë të mbledhë zogjtë-yje
Niset për në qiell ëndrra ime…

 

Era është zëri im

Era është zëri im,
Mbaj vesh
Se si suferina thyhet nëpër lisa
E dega e manit bëhet violinë;

Burimi është vështrimi im,
Vështro
Se si djerra bëhet kopshti i Edenit
E zalli tel për violinë;

Guri është qëndresa ime,
Beso
Se heronjtë, të rënë e të gjallë
Po këndojnë mbi violinë;

Udha është eshtra ime,
Udhëto
E në më shkele në gjurmë
Do ta kemi shpirtin njësh në violinë;

E nesërmja është stacioni im,
Jeto
Se ëndërrat nuk vdesin kurrë
Janë zogj që nusërojnë në violinë…

(Shkëputur nga vëllimi poetik “Udhë në pasqyrë”)

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

error: Content is protected !!