Press "Enter" to skip to content

Alisa VELAJ: Cikël poetik

“Shtjellë reje, shtjellë zjarri” është fitues i çmimit kombëtar të letërsisë për vitin 2019, “Vëllimi poetik më i mirë”.

Sonte i dua tërë dashuritë e mia

Sonte i dua tërë dashuritë e mia, Maria,
tërë dashuritë e mia.
Nën urën e lumit Lethe ujërat rrjedhin e rrjedhin,
si rrjedh koha jote dhe e imja, Maria.
Kohë e mbingopur nga gurët dhe dashuria!

Maria, e ndjen atë gurgullimë?
Është dashuria ime e parë përgjumur këtyre ujërave.
Më shumë se mua, kuptoi vetveten…

Dashuria e fundit është ai peshk nën urë.
Të lutem vështroje, vështroje, Maria.
Ajo më kuptoi më thellë se tërë dashuritë e mia…

Por ndjeu vapë, s’i mjaftoi i veti trup.
Një të shtunë ndaj të gdhirë u krodh po në këtë lumë.
Mua më la fillikat, fillikat, Maria.
Krejt fillikat më la dashuria…

Tani, tek endem mëngjeseve përmbi urë,
lumi Lethe hesht dhe s’më spërkat thuajse kurrë,
veç në mua ndez një dritë për çdo muzg,
një flakë si qiri për tërë të harruarat e mia…

Të lutem mos trego, mos trego, Maria.
Lumi Lethe betohet që unë jam e bija!

Unë as nuk iki, as nuk vij i dashur.
Unë jam përherë aty si pema.
Pres e përcjell gjithë stinët e tua.

Nëse vjen rrëmbyeshëm si erë vjeshte,
si shi i marrë dimri papritur nëse ia beh,
degët e mia pa gjethe do të kesh fushëpamje!

Unë as nuk kam ikur, as nuk kam ardhur, djalë.
Hënëzat e mia fshehur nëpër mjegull
kuqëlojnë prajshëm pranverës gjuhëzjarr.

Trungu im harbon si ujëvarë ujëshumë,
kur ti as nuk mbërrin, as nuk shtegton,
por shtrihesh qenies time si kjo brymë mëngjesore,
E ëndërrt, e pafund, si qielli mbi oqean…

Humbësi më i bukur

Sy të verbër, të përgjumur,
dimrave të botës.
Sy të perënduar humnerave të lulëzuara, humbësi im.
Vështroje për pak diellin ndaj të gdhirë ̶
është llambë më e fortë se bebëza e syrit…

Humbësi më i bukur, me tre fenerë nëpër duar.
Asnjë i marrë s’u kthjellua nën dritë hëne.
Ujqërit pranverorë thinjen krejt si njerëzit,
dëborës pa u shquar dot nga asnjë gjahtar!

 

Shtjellë reje, shtjellë zjarri

Avull
mbi qelqet e prajshme
të ditëve
avull.
Ajo shtjellë reje
më rrëfen për diellin.
(Diellin e humbur
natën e stuhisë).
Mardhje
ndanë flakëve të shuara,
mardhje.
(Thëngjinjtë e tu
s’ngrohin më as veten).
Ajo shtjellë zjarri
më nxit ta ndjek pas.
Avull fryme, avull
në brendi të mjegullës.
Bari i tharë çative
ende pa u rritur!

 

Ku mund të të gjej?

Ku mund të të gjej?
Ku mund të të kërkoj për t’i thënë të vërtetat?
Ti vjen përherë në muzg, dashuria ime.
Vjen dhe mbjell sy nëpër shtegun e mbrëmjes.
Sy që më shtangin dhe më lënë pafjalë.
Ku mund të të gjej përveçse në muzg?
Do re mi fa sol la si…
Si shtatë notat në pentagram mungesa jote.
Gishtat e tu të gjatë luajnë me hijet e natës nëpër tastierë
dhe prekin kurmin tim me butësi prej drite.
Nuk pëshpëritin kurrë fjalë dashurie gishtat e tu.
Për asnjë nga gratë që ke dashur nuk kanë pëshpëritur.
E pse duhet?
Kur ti vjen e ikën qenies time sikur koha.
Përherë e dëshiruar.
Përherë e pangopur.
Nëse më zënë pritë të tjera dashuri,
ti shfaqesh në udhëkryqe për të më rrëfyer
ndonjë të pathënë, i dashur!

 

Gjethet ndanë Vardarit

Mos guxo t’i zgjosh
gjethet ndanë Vardarit!
Mëngjes i vonë vjeshte;
gjumi po aq meskin
sa mjegulla mbi pemët cullake…
Janë shpirtëra më shumë se gjethe,
janë shpirtëra…
Mos i lëndo t’u rrëfesh
kufijtë mes tyre dhe lumit…
Vardarin ngjatjetoje në gjuhën amtare.
Mërmërimën e tij bekim do ta kesh!

Shkup, kalimthi, më 30.01.2019

 

Rivdekje
(Shlimanëve modernë)

Të vdekurit e mi vdiqën sërish sonte
mbytur në një lugë diell,
të vetmes lugë zbuluar nga qytetërimi i fundit.
Ai i pavërteti që kujtuam se ish i vërteti,
ndërkohë që pluguam në kohë më të lashta.
Të vdekurit e mi ndjenë trishtim.
Shlimanin* s’do e thërrasin më bir nga sot…
U mbytën në një lugë diell të vdekurit e mi.
Jezus, kurrë s’kam dashur t’ua lëndoja gjumin!
Më beso, imzot, më beso!


  • Shliman (Heinrich Schliemann, 1822-1890) – Duke besuar në vërtetësinë historike të Iliadës së Homerit, kreu gërmime arkeologjike për Trojën në Hisarllëk, si dhe në Mikenë e Tirinë, ku zbuloi një ndërthurje jo-lineare qytetërimesh.

Të tjera nga ky autor: