Press "Enter" to skip to content

Agim BAJRAMI: Poezi

Etyd për çadrën dhe shiun

S’e mora çadrën, pse ta marr?
Edhe pse shiu do nisë pas pak
Unë vetë jam shi, s’kam frikë ta shpall
Që nga lëkura gjer në gjak.

S’e mora çadrën, e lashë varur
Ajo s’e mbron gjithë trupin tim
Nën strehë të saj më duket vetja
Si liliput dhe anonim!

S’e mora çadrën, e braktisa
Ç’më duhet vallë çadra mua?
Unë i kam miq të gjithë shirat
Ata s’më lagin, nëse s’dua.

S’e mora çadrën, e urrej
Dhe pse më flet shpesh ime bijë
Kur bie shi, unë dal kërcej
Dhe trupin tim e lë të shkrijë.

S’e mora çadrën, e bëj shpesh
Ndonëse një ftohmë po më mundon,
Gjithë shirat janë zëdhënës resh
Dhe kjo me qiejt më afron.

S’e mora çadrën…

 

Kohë pandemike

S’besoj të shihemi kaq shpejt,
Është shumë i egër ky dhjetor,
Ngado një erë si brisk të pret
Dhe pritet prapë të bjerë dëborë.

Kam kohë që s’dal më nga shtëpia
Sa kam harruar që të ec
Rrethuar keqas nga mërzia
Dhe ky peizazh i ngrirë, memec.

Gjithë kafenetë i kam braktisur,
Por dhe shëtitje dal më rrallë,
Mbas kthesash pret kovidi i krisur
Dhe vdekja shtrigë, që vjen vërdallë.

Në sytë e njerëzve qëndron strukur
Një ankth dhe frikë në ngjyrë të zezë,
Sot mund të gdhihesh mirë e bukur,
Por mund të ngrysesh në varrezë.

Tek rrotullohem përqark shtratit
Dhe pres që ora të kalojë,
Më ngjan se kam diçka prej natës
Dhe më as vetes s’i ngjasoj.

S’besoj të shihemi kaq shpejt
Ndaj këshilloj, të shkosh më mirë
Këtu mund të vrasë dhe ajri vetë
Dhe aq më shumë, ky ankth i ndyrë.

 

Pas pak

Pas pak do të nisë një erë e fortë
(Mundet të ketë dhe reshje)
Ti do të duash të ikësh, por s’do mundesh dot
Dhe do vuash në heshtje!

Do ngrish si pema në dritare
Me sytë e ngulur pa adresë
Dhe fik e ndiz pa fund cigare
Gjersa paketa bosh të mbesë.

Pas pak do nisë një furtunë
Dhe shiu do lagë pastaj çdo gjë
Ti mendjen do ta çosh tek unë
Dhe veten do mallkosh pa zë.

Ska gjë, se fajet i ka moti
Që ta nis shiun kur s’e pret
Ti rast kërkon të bësh ca sherre
Gjersa t’i zbrazesh nervat krejt.

Pas pak do nis një erë e fortë
Dhe unë pa fjalë do të pres në shesh
Unë i kuptoj nervat e tua
Po heshtjen time s’e marr vesh!

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.