Press "Enter" to skip to content

Marash MIRASHI: Cikël poetik

Plagë mbi lëkurën e trungut

Pema e vjetër në oborr,
Qan pleqërinë
Me fërfërimë gjethesh të pakta
Nën mëshirë dimri.

Një bimë kacavjerrëse
I ngjitet lart
Dhe i fsheh plagët
Mbi lëkurën e trungut.

Fjongo mbi qytetin e dikurshëm militar

Nuk ka më ushtarë që shëtisin rrugëve
Me kapelë palosur në rripin e mesit
Me qafore hequr
Në përpjekje për të joshur
Vajzat e qytetit.

Një jehonë e vjetër gavetash
Një trok këpucësh të rënda me kambale
Endet rrugëve
Në qytetin pa ushtarë.

Në qiellin blu,
Mbi qytetin e dikurshëm militar
Endet si fjongo në kujtesën e grave
Një qafore ushtari, e bardhë!

 

Gracka

Shelgu përkulet mbi lumë
Përvuajtshëm i derdh
Filizat e hollë, të brishtë
Mbi ujë.

Gjatë natës
Lumi ngrin akull
Dhe zë në grackë
Filizat delikatë të shelgut.

Vejusha bën “shopping”

E ka shkurtuar fundin, sipër gjunjëve
Ende të rrumbullakët.
Harliset në rrugën e bukur
Të dyqaneve të modës.

Provon fustanet prej linoje
Para pasqyrës së madhe.
Manekinet e veshura bukur në vitrinë
Bëjnë thashetheme.

Sfiduese shfaqet përsëri në trotuar.
Në çantën që mban në dorën e djathtë
Ka mbyllur
Kujtimet e ditëve të trishta.

Vejusha ndalon të blejë një palë taka.
Burri që nuk është më
I adhuronte
Këpucët e sheshta

 

Makinisti i vjetër

Në stacionin e dikurshëm të trenave,
Që s’është më
Mbështetur mbi shkop,
Shfaqet makinisti i vjetër.

Nën asfaltin e bulevardit të ri
Flenë përgjithmonë kujtimet,
Pritjet, ndarjet, përcjelljet
Lotët, malli, puthjet…

Makinisti
Merr frymë thellë,
Një frymë gulçuese,
Si uturima e një lokomotive të vjetër.

Moratorium

Për dhjetë vjet me radhë
Moratoriumi ndaloi rreptësishtë gjuetinë,
Prerjen e pyjeve.

Rezultati ishte befasues.

Në qytet
U shtuan
Egërsirat.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.