Press "Enter" to skip to content

Ervin NEZHA: “Fabula Rasa” – gjurma më e dallueshme e romanit “eksperimental” shqiptar

Nga format bazë të romaneve, ku në thelb të gjithsecilës qëndron “të menduarit” si proces tërësisht i brendshëm, dallohen tre lloje romanësh, që ndryshojnë qartazi, sidomos nga teknika e të shkruarit (proces i jashtëm i hedhjes së mendimit në letër). Për arsye hapësire, ne do t’i përmendim shkarazi, me qëllimin për t’u ndalur te veçantia, që karakterizon manierën letrare me të cilën është ujdisur romani “Fabula Rasa “ i Agron Tufës. Në fakt, ky roman vjen si një përzierje teknikash, që të ndërmendin romanin e madh rus të fundshekullit të XIX dhe fillim shekullit XX, me subjekt të gjerë, me linja e nënlinja subjektore vertikale e horizontale, me sheshpushime e përthyerje kohore, me poezi e vargje brenda romanit, me copëza tregimesh, që i mveshin narracionit, natyrshëm, efektin e nxitimit dhe vonesës, e të tjera elemente stilistikore, në rrafshin e formës sidomos e masandaj të kuptimeve, që stolisin tiparet e një romani eksperimental në kulturën shqipe, duke shmangur dhe shtangur njëherazi dy format më të zakonshme të shkruajtjes së një romani, që përkatësisht emërtohen si romani i incidentit (që në thelb ka efektin verbalizues të ngjarjes ) dhe romani i aksidentit (që në thelb ka efektin skenografik të ngjarjes). Shto këtu rrëfimin pa vetor, si mjetin e mjeteve për skanimin e vetvetes, ku përmes një rrëfimi/kujtesë, e le personazhin kryesor të bjerrë një varg hamendjesh, dyshimesh, brengash e iluzionesh, pa mundur të gjykojë dot as për to, as për shoqërinë ku jeton, as për botën. Ky vetë-rrëfim apo kjo hemorragji psikologjike, që buron drejtpërsëdrejti nga koka e personazhit, përmes vëzhgimit minimalist dhe një deduktimi të hapur (ndoshta si te “Adoleshenti” i Dostojevskit), ka për qëllim të japë një informacion që i atribuohet vetëm vetvetes, duke e përgatitur rrëfyesin/personazh në ndryshimin e pashmangshëm të sjelljes, për t’u dhënë kuptim gjërave ose së paku për t’u përshtatur. Nga ana tjetër, ky roman do të ishte i paplotë pa personazhin e Edip Haverit, i cili, në gjykimin tonë, jo vetëm që nuk vepron si një identitet më vete, por është “e kithta” e Martin Ballës, heroit njëherazi antihero të romanit, që shërben si zgjatim, si plotësim i së tërës, çka lë në roman gjurmët e zbehta të një romani pikaresk, por të paplotë. Ndërsa romanthi brenda romanit i Bitak Ballës i jep nuancat e një romani agregat, i ndryshëm nga forma dhe stili (kujto “Mjeshtri dhe Margarita”, Bulgakov ), i cili nuk shërben vetëm si një zgjatim brenda romanit të madh, por si një stabilitet moral, kohor dhe hapësinor njëherazi, për të garantuar besueshmërinë e Botës së Trilluar, ku lipset të lëvizin personazhet. E parë kështu, ne mund të kuptojmë dobinë dhe dëmin që shkaktojnë identitetet, qoftë bashkëkohorë, qoftë historikë, karshi njëri – tjetrit. Kjo vjen si pasojë, se efekti i qëndrueshmërisë së personit nuk vjen vetëm nga bota që e rrethon (po të qe kështu Martini duhet të qe vetëvrarë), por edhe nga qëndrueshmëria e identiteteve të tjerë të papranishëm (ose të munguar), të ndërthurur në roman, qofshin këta edhe persona jo pjesëmarrës në ngjarje (rasti i Habedin Ballës, Bitak Ballës apo mësuesit kurajoz të letërsisë). Ndërthurja e jetëve të personazheve të këtij romani është gati-gati sintetike, ku përmes veprimeve të jashtme, secili shpalos një sistem vlerash dhe, me anë të shfaqjes së tyre haptazi përmes personazhit/rrëfyes ( psikologjikisht ), ndikojnë të ndryshojnë diçka tek të tjerët. I vetmi që qëndron thuajse i patjetërsuar në këtë histori, është vetëm Martin Balla ose le të themi më saktë se ai arrin me sukses ta ruajë karakterin e tij të papërlyer, mirëpo garanci për këtë nuk ka, sidomos në roman, ku vëzhgimi ka karakter të fragmentuar dhe mjafton vetëm një shkumës i ndodhur rastësisht në xhepin e personazhit për të hequr një vijë të pakapërcyeshme për të tjerët, e cila do ta ndihmojë atë të këmbejë identitetin, larg vëzhgimit të tjetrit. Personazhi më enigmatik, mbase më i paplotë, mbetet Lilita, kjo femër, jo paqëllim e quajtur Lilitë (sipas mitit hebraik së gruas së parë, e cila u shkatërrua nga zoti për karakterin e saj imoral), me karakterin pervers, por ndoshta më të përshtatshëm për të ngallosur përfundimisht dështimin e Martin Ballës, i cili humbet pikën stabilizuese, iluzive që do të mjaftonte për të garantuar qëndrueshmërinë individuale, në një mjedis të paqëndrueshëm.
Duhet të kemi parasysh se ajo që i jep inerci ngjarjes, është shoqëria e pasinqertë që çarmatoset përballë sinqeritetit të një adoleshenti, që mund të jetë në shoqëri një, njëqind, njëqind mijë, mirëpo kurrë në madhësinë e turmës. Qasja alegorike është forma më e përdorur, por njëherazi më e sigurt për të zgërlaqur një sistem utopik, me vlera morale të rrënuara, ku perversiteti është fjala më e pamjaftueshme për ta etiketuar.
Si shpresa e fundit për të denoncuar këtë shoqëri, në kohën reale, është fitili i ndezur mbi kokën e Martin Ballës, mirëpo ky fitil fiket, ashtu siç u fik fitili i një shoqërie të tërë për gati gjysmë shekulli e ndoshta edhe për tridhjetë vjet pluralizëm. Dëshmi për këtë është largimi i Martinit nga fshati. Epilogu i romanit shërben vetëm për të përforcuar bindjen e lexuesit, me një informacion që lexuesi e ka të qartë që në krye të herës. Ky burrë është një “Bosh”, një Rasa, ndërsa Fabula e tij mbeti atje në shtëpinë e ngallmuar, në shtratin ku shoku Krenar qëndronte “një përmbi një” mbi të ëmën dhe i panjohuri ( që mund të ishte praktikisht kushdo, përveçse ai) me të dashurën e zemrës, Lilitën. Në fund, ajo që mbetet është vetëm lumi i një komenti psikologjik, i cili vërshon pa mëshirë dhe rrëmben e shpërlanë mbeturinat e një shoqërie të falimentuar…

Të tjera nga ky autor: