Press "Enter" to skip to content

Durim TAÇI: Një prani në ikje (Fragment)

0Shares

Romani “Një prani në ikje” është i dyti, pas “Extra Time”, në projektin e asaj që autori e quan ‘Trilogji e leximit’. Është në proces romani i tretë, që do të botohet muajt e parë të vitit që po troket. Ai titullohet “D&B (Dashuri & Bijim)” dhe do ta përmbyllë këtë cikël romanesh. Pas suksesit të “Extra Time” në Itali dhe në Shqipëri, reagimet e para për romanin e ri janë në të njëjtën linjë.
Po botojmë një fragment prej tij:

Prolog

Jeta duket se ushqehet me një vijimësi grimcash të mbetura pezull nga një shikim i fundit. E ndaj tani të bëhet sikur gjithçka zë fill – së paku ajo që ka lidhje me këtë ngjarje që do të rrëfesh – nga vështrimi i një gruaje të ashpër, me duart e rrëgjuara nga vragat që lënë punët e rënda në bujqësi, lëkurën e përzhitur nga dielli i fushës, teksa ty të paraqitet në zyrë si librare e Lushnjës, një qytet rreth njëqind kilometra në jug të Tiranës.
Të thotë emrin, po ti nuk ia vë veshin, vijon të vëresh duart e saj, të çarat, thonjtë pa përkujdesje e nuk je aspak i përqendruar në atë që po të thotë e, atëbotë, ajo e merr vesh ndërdyshjen tënde e pret shkurt:
“Po e marr vesh, keni nevojë të dini më shumë nga e shkuara ime, zoti Donat”.
Nuk është se ke ndonjë farë kureshtje të shtuar, në të vërtetë, por e lë të flasë. Kjo që vëren, të mjafton të njohësh fytyrën e qartë të varfërisë, pavarësisht nga format e tjera të mundshme në të cilat ajo mund të paraqitet, por ende nuk vë re hiç gjë tjetër.
“Shisja libra rrugëve, fitoja sa për një copë bukë”, dëgjon të thotë. “Librarinë e hapa në janar të vitit ’97. Eh, kisha zgjedhur kohën e gabuar, e pafat, të them. Disa muaj më vonë shpërthyen trazirat. E mbrojta me këto duar!”. Ti i vëren sërish ato duar të plasaritura nga punët e fushës dhe ende nuk arrin të kuptosh çfarë lidhje kanë ato me librin.
“I frikësoja hajdutët me kallashnikov. Kot, se nuk dija ta përdorja. E kush na linte ne si të persekutuar të preknim armë me dorë dikur!”
Ja që paskeni pasur një të mirë edhe ju, mendon.
“Se kam vuajtur në internim më parë, në Grabjan, për njëzetë vjet. Më çuan të re, asokohe punoja përkthyese…”
Me sa duket, do ta kesh të pamundur ta ndjekësh gruan në këtë rënie të lirë drejt së shkuarës. Këto kohë nuk janë të paktë ata që shpallin veten të persekutuar të regjimit të shkuar dhe vijnë e i kërkojnë para shtetit për bizneset e tyre private. Ju, si drejtori e librit, keni një buxhet të kufizuar, punoni këto kohë vetëm në fushën e legjislacionit e në ndonjë projekt tjetër që ia dilni ta realizoni në bashkëpunim me ente brenda e jashtë vendit, që ju ndihmojnë me financime. Ti e di, tek e fundit, që mund të verifikosh gjithçka në një moment të dytë dhe e lë gruan të flasë, kur ja, fraza e fundit që ajo nxjerr nga goja tërheq menjëherë vëmendjen tënde.
“Kam studiuar në Berlin…”
“Në Berlin?”, e ndërpret i befasuar.
“Po, në Berlin”.
Përfundon paraqitjen e saj pikërisht në çastin kur ti doje të dije më shumë. Tani, vështrimi yt kërkon të hetojë mirë fytyrën, sytë në një nuancë të vagullt jeshile të errët, tiparet e rregullta, flokët djegur nga dielli, në një përzierje ngjyrash bakër e baltë e thatë, pak a shumë, por voluminozë. Nuk arrin të gjesh dot moshën e saj të saktë, por duket që i ka kaluar me kohë të pesëdhjetat.
“A mund t’ju pyes, e nderuar zonjë, mbi qëllimin e vizitës suaj?”.
Pa e hapur më gojën, ajo nxjerr një fotografi, të paqartë, grisur keq me ata gishtërinjtë e trashë nga një gazetë, bardhë e zi dhe ta zgjat. Është e 28 tetorit 1961. Një ushtar amerikan vrojton me dylbi mjetet e blinduara sovjetike pranë “Checkpoint Charlie”.
“Ah po, e kam parë këtë foto, e njoh mirë”, thua dhe çohesh nga vendi. “Këtë foto dhe disa të tjera. Është e koleksionit historik të CIA-s amerikane. Do t’i tregoj edhe ato që kam unë? Prit, se mua më kanë dërguar kopje autentike, riprodhime në cilësi të lartë dhe pikërisht këto ditë. E dini besoj që do të ketë festime të mëdha me rastin e dhjetëvjetorit të rënies së Murit. Edhe është shkruar. Pastaj jemi në prag të mijëvjeçarit të ri. Për sa na takon ne, librit, po përgatitet një projekt i madh…”.
Tani zhvendosesh për të kërkuar një dosje. E ke lënë përmbys mbi radhën e librave në raftin e zyrës. Zakonisht kështu bën me librat që do t’i kapësh patjetër në dorë. E merr dhe kërkon ta hapësh me kujdes te vendi i fotove, por gruaja të vërsulet befas dhe ta merr nga dora, si të ishte një send i saj. Ka në fytyrë shenjat e zemërimit të një vajze të vogël, që njeh kukullën e saj në duar të tjera.
“Afrohu! Është ai! Ja, këtu po! Këtu duket gjithçka”.
E ka ngritur zërin shumë. Duket e ringjallur, rrudhat e saj janë shtrirë, qafa i është zgjatur përpara e tek ty ndizet një dritë, e shikon të re, të hajthme, me atë profil perëndeshe antike. E ndjek se si ngrihet e përshkon me një trok të zhurmshëm gjithë zyrën, se do të hapë dritaren, në kërkim të një ndriçimi natyror.
“Epo, sigurisht, cilësia e fotos, kjo që kam unë, është tjetër, nuk krahasohet me riprodhimin në gazetë”, i thua i krekosur teksa e ndjek me sy dhe e vëren se si po ikën drejt një realiteti tjetër; ka zmadhuar sytë, frymëmarrja i është rënduar.
“Eja, afrohu, shikoje në dritë! Këtë ushtarin që po vrojton”.
I shkon pranë te dritarja, më shumë për edukatë, se je i bindur që nuk do zbulosh kushedi çfarë. Atë foto, bashkë me shumë të tjera, e ke parë sa e sa herë këto ditë.
“Përqendrohu!”, gati të urdhëron ajo. “Ndiq vështrimin e ushtarit, shiko atë që vrojton ai. Përpara, atje ku janë tanket sovjetike. Po mos iu largo fushëpamjes së tij, se nuk është aq e gjerë, nëse përqendrohesh tek objektet. Lart, nga e majta, në fund të atij sheshit të vogël, duket një ndërtesë me gjashtë kate, që formon qoshen në kryqëzimin e rrugëve “Zimmerstrasse” dhe “Friedrichstrasse”! A e shikon?”
Të rrëqeth shqiptimi i saj i përsosur i gjermanishtes. Atëherë qenka e vërtetë. Po kjo është ajo mor… përkthyesja… si e ka emrin… Ta tha emrin. E ke humbur dhe nuk e ke mendjen kur ajo bën një lëvizje të beftë e të shkel keq këmbën.
“Entschuldigung!”. Të kërkon falje në gjermanisht dhe nuk e ka vënë re fare.
“Asgjë!”.
Ftillohet nga përgjigjja jote në shqip, nënqesh pak, por rikthehet shpejt në botën e saj, ndryrë në atë foto.
Tani ti i ke ulur sytë drejt këmbës që po të dhëmb fort, në kërkim të burimit të asaj vuajtjeje të beftë dhe vështrimi të shkon tek thembra e saj, këqyr llojin e këpucës që ka veshur, janë të vjetra, me takë të ulët, nga ato që bliheshin në dyqanet demode dikur, ka veshur çorape najloni në ngjyrë mishi, me vija, të grisura pak, aty-këtu. Drejton shpinën. Do t’i kërkosh më shumë informacion nga periudha e qëndrimit të saj në Berlin, por të ka përfshirë një si ndrojtje dhe nuk e di mirë, për mirësjellje apo nga një si frikë, nuk do ta ndërpresësh pikërisht tani. E ndjek me vëmendje.
“… është kjo dritarja e mbyllur, e vëren? Po ta zhvendosësh shikimin paksa më majtas duket dritarja tjetër, e hapur, e errët… Aty brenda është dhoma ime”.
“Dhoma jote?”, e pyet me shumë kureshtje.
Gruaja lë për një çast foton dhe kthehet plotësisht përballë teje.
“Po. Është fund tetori. Kemi marrë urdhër të zbrazim ndërtesën. Vihej në dispozicion të ushtrisë. Por nuk ishte kaq e thjeshtë, më beso. Puna nuk priste. Rreziku ishte real. Vajzat e tjera të kampit socialist, nga të gjitha vendet, mor çeke, polake, bullgare, ikën në kohë e u tha se do ktheheshin prapë, sa të kalonte kriza. Kurse unë, e dija, do lija Berlinin përgjithmonë. Shqipëria prishte marrëdhëniet diplomatike me Republikën Demokratike Gjermane, si aleat i ngushtë i Bashkimit Sovjetik, me të cilin kishte ndërprerë raportet një vit më parë, më 1960-n. Dihen këto gjëra. Nuk e kisha përgatitur ende udhëtimin tim të kthimit. Nuk dija me çfarë mjeti transporti do ta lija Berlinin Lindor. Prandaj m’u desh, në fakt, të fshihesha edhe ca ditë aty brenda, sa për të fituar kohë. Flitej se grykat e zjarrit të tankeve amerikane ishin dhjetë; u ndalën mu përballë dhe mund të qëllonin nga një moment në tjetrin. Tmerr. Natën nuk më zinte gjumi. Dhe e di, edhe kur më linte frika e, nga lodhja e gjatë, gati më mbylleshin sytë, ishin dritat verbuese të amerikanëve që ndriçonin gjithçka, kurse mua më linin sidoqoftë zgjuar. Mezi prisja t’ia mbathja nga atje. Mbetej vetëm ardhja e postierit që do më sillte biletën”.
E pe që heshti pak dhe pate atë shtysën e zakonshme që e kemi të gjithë rëndom: teksa tjetri flet, ne dëgjojmë pak, aq sa na duhet të kapemi pas fjalëve të tij për të ndërkallur aty me dhunë historinë tonë. Deshe t’i dëshmoje erudicionin tënd, t’i lije të kuptonte se je i informuar mirë, doje t’i kujtoje fillimin e krizës së Murit të Berlinit: casus belli ishte ndalimi, në anën lindore të qytetit, i një funksionari civil amerikan për të parë një shfaqje teatrore, shoqëruar nga gruaja.
Nuk e bën. Mbase edhe ngaqë gruaja tani të ka kthyer shpinën, e lodhur, me ato supet e rëna. Ka veshur një triko leshi të zbardhët, që nuk i dihet më ngjyra, dhe shikon ngultas jashtë nga dritarja, sikur të përjetonte edhe një herë atë përvojë të largët, kur ja tek kthehet befas.
“Një reflektim i fortë i diellit në xhamin e dylbisë së tij, më tërhoqi vëmendjen. Shikoja jashtë ndonjëherë e fshihesha shpejt, kur në një nga këto dalje e pashë. Më bëhej se po ma kthente edhe ai vështrimin. U ndala në parmak. Ja kështu!”, imiton ajo gjestin e një vajze me fytyrën e mbështetur mbi krahët e kryqëzuara përpara. “Budallaçkë fare, po ta mendosh rrezikun. E ndiqja pastaj duke u tërhequr brenda, me orë të tëra dhe dilja sërish. Dikur më kaploi një ide e marrë, se besova vërtet që edhe ai po më vështronte: u tremba, u lumturova, harrova ku ndodhesha, zura të kërceja nëpër dhomë”.
Gruaja u kthehet sërish fotove. Tani po shfleton edhe të tjerat e tund kokën, bëhet gati të thotë diçka, pastaj hesht, e mbyll dosjen dhe drejtohet befas nga ty:
“Projekti? Po flisnit për një projekt, zoti Donat. Kam lexuar diçka në gazetë. Është ai i trenit të shkrimtarëve, që do përshkojë Europën. Drejt? Dhe ndalesa e fundit do jetë Berlini!”.
“Po. Gjithçka do mbyllet në Berlin. Në ditën e fundit do bëhet një vizitë në Panairin e Librit në Bebelplatz, që i bie të jetë fare afër vendit në fjalë, ku janë shkrepur këto foto, në “Checkpoint Charlie”. Aty do bëjnë edhe ceremoninë përmbyllëse.”.
E vë re që është shumë e interesuar. Të shikon drejt e në sy. “Nuk jemi ne që e organizojmë”, i thua si përgjigje në këtë dialog vështrimesh. “Dihet, ne nuk kemi fonde. E organizon një institut nga Berlini. European Cultural Observatory, quhet”.
“Observatory?”, vë re gruaja. “Ah, na qenka një observator, një vrojtues, që u marrka me këtë punë!”
Ta merr mendja se ku do të dalë me këtë vëzhgim. Ka në kujtesë imazhin e ushtarit. Për të, ai ka mbetur aty duke vrojtuar, përgjithmonë.
“Ky vrojtuesi na qenka zbuluar si Shën Patriku vetë!”, shton ajo pas pak.
“Ah, e keni lexuar! Po, quhet Patrik Hense, drejtuesi i projektit”, i thua dhe e kupton ku do të dalë, Shën Patriku është mbrojtësi i udhëtimit. Nuk të kishte shkuar mendja!
Tani ke dëshirë t’i drejtohesh siç e meriton, me respekt, duke ja shqiptuar qartë emrin, t’i shpjegosh më tepër, por ngaqë nuk po të vjen në mend, se ti vuan në fakt nga harresa e emrave të njerëzve, sidomos të atyre që nuk të ngjallin menjëherë interes, si dhe ngaqë nuk guxon ta pyesësh sërish, gjithë sa do thoshe të shtjelluar e shndërron në një parashtrim dialogu.
“Po, po punohet që prej një viti për këtë projekt!”.
“Do ketë edhe shkrimtarë shqiptarë, ma do mendja!”, vë re ajo në formë pyetëse. Me sa duket diçka paska lexuar nëpër gazeta, mendon ti.
“Po, po, por ju thashë që është projekt europian. Ata kanë kritere të rrepta për zgjedhjen. Shkrimtarët e përfshirë duhet të jenë të botuar edhe jashtë vendit të tyre. Si me thënë, mekanizmi që lëviz trenin janë këto tekste që nuk mbeten të izoluar në të folmet amtare, por arrijnë të kapërcejnë kufijtë gjuhësorë të europës”.
“Kuptoj, përkthimi!”, komenton ajo.
“Më falni?”.
“Përkthimi bën që tekstet të mos mbeten të izoluara në gjuhët e tyre amtare!”, e përfundon ajo mendimin.
Ti nuk ke e nuk do të kesh një koment për këtë. Pason një heshtje e, më në fund, ajo kthehet edhe një herë te hyrja e bisedës.
“Sidoqoftë, jam kureshtare të di: kush mund të jetë ky vrojtuesi?”.
“Më falni?”.
“E kush na qenka ky vrojtues kaq i vëmendshëm, që ngulmon të shikojë matanë edhe pas rënies së Murit? Nuk e lodh asgjëja që ka përpara. I lumtë! Paska durim të madh, vërtet shumë durim. Besoj që ka një barrë të rëndë, por mbase edhe një peng të madh!”.
Çohet, nuk të lë të flasësh, bën për nga dera.
E shoqëron dhe kur del jashtë, pa e shkelur ende tapetin e kuq të Ministrisë së asaj kohe, ke një zbrazëti, do ta pyesësh në ka diçka tjetër për të thënë. Nuk e ke marrë vesh cili ishte qëllimi i vërtetë i kësaj vizite. Nuk të lë kohë ta bluash gjatë, kalon pragun tanimë, kur ja tek të vjen në mend emri i saj. Kësaj radhe edhe me një informacion shtesë. Quhet Marta Kokalari, njëra nga përkthyeset e njohura të gjermanishtes. O Zot, sa paska rënë! E shkreta! Por, duket e gjallëruar. Sapo ka bërë hapin e parë të kthimit nga ferri i vet, nga balta e fushave ka hyrë në një librari.

Të tjera nga ky autor:

0Shares