Press "Enter" to skip to content

Vaid HYZOTI: Cikël poetik

Ti kurrë nuk do të jesh e imja

Kurrë nuk do të jesh e imja, ndonëse duhemi kaq shumë,
kurrë nuk do të prek e të frymoj poreve të lëkurës tënde të brishtë,
kurrë s’do t’i pi sytë e tu të thellë,
kurrë nuk do të të thith gjoksin tënd të fildishtë!
Kurrë s’do të mbytem në humnerën ku shuhet çdo burrë,
kurrë nuk do krenohem për rënkimin e orgazmave,
kurrë nuk do të fryj flokëve kur të fshihem në gushë,
kurrë nuk do çmendem e të them në vesh fjalët e të marrëve.

Nuk do gëzojmë bashkë, se unë nuk jam i plotë,
nga vetja dhashë gjithçka dhe mbeta me gjysmë zemre.
Dhe ti më je aq larg në vite e në vende.
Më ktheve gati krejt një pako mungese.
Më bëre të besoj se vetëm shpirti duhet,
veç ende nuk e di në shpirt unë kam akoma…
Prej ëndrre të krijova, prej shijesh e ndjesish,
Gëzo, se kurrë s’do shihemi. Nuk dashuron kufoma…

Kam mbetur larg

Kam mbetur aq larg prindërve të mi…
Ka mbi njëzet vjet që dhe varret s’ua kam parë!
U blemë mermerin më të shtrenjtë
dhe prapë (më thonë),
ka plasa në damarë…
Kur do përmbysem, në një përqafim,
të nxjerr një lot,
të shërohem duke qarë…

Kam mbetur larg,
Sa lojë e ndyrë jeta!
Fëmijë u ikja nga duart,
para tyre vrapoja unë…
Prapë para meje ikën kaq herët.
Shpesh fajtor ndihem:
mos u vonova shumë?

 

Nuk i njoh gjarpërinjtë̈

Nuk i njoh gjarpërinjtë që falin helmin për mua,
helmin që më duhet për ilaçet e zemrës…
Nuk ua njoh pyllin, vendin dhe fshatin,
nuk e di ku flenë:
rrëzë gurëve a majë pemës…
Nuk di a ushqehen me kafshë të egra,
nuk di a gjuajnë për minj apo hardhuca,
mbase ne bahçen me barë të dendur,
ku ka shtëpinë,
ajo sygjarpërushja…
Nuk di sa vazhdojnë të më bëjnë dhuratë,
helmin që më duhet të qëndroj në jetë.
Mbase deri kur helmi të kthehet në mjaltë,
deri kur sygjarpërushja
të më mëkojë vetë…

 

Lumi

Një lumë ka lënë shtratin bosh në vendlindje,
As gjeologët, sizmologët nuk e dinë̈ pse…
Një lumë që thyen malet, që gërryen fëmijërinë time,
vetëm emrin ka lënë atje…

Pata lëshuar britmën e mallit,
dhe maleve ku rrjedh iu krijuan të çara,
dhe pemët pa mua në buzë të lumit,
janë pa gjethe, krejt të thara…

Një lumë që unë e thirra të lëvizte në vena e kapilarë,
ka gjetur poshtë deteve dhe oqeanit një udhë të fshehtë,
të më bëhet kompresë kur digjem në ethe,
të më mbajë në jetë… e lëviz në deje, të mbajë…
në jetë!

 

Fli

Duhet të flesh, më mirë se të heshtësh,
të presësh një fjalë, një shenjë nga unë…
Ti je një xhind,
e çmendur ti je,
sa shumë më flet,
kur më vë në gjumë!

 

Epitaf

Asgjë s’kam qenë,
asgjë s’do jem…
Në jetë më sollën
të pi pak helm…

 

Vajza e ëndrrës

U shfaq vajza e ëndrrës së një jete,
ajo që jeton pas malit të syve të natës sime.
Tani kam frikë se do vijë të më takojë,
tani kam frikë se kurrë
s’do përkundem në ëndërrime.

E kam krijuar vetë dhe është aq e rrallë,
kudo e kam veshur me petale…
Firmat famoze të modës rrinë kryeulura,
mijëra punëtorë do të dalin
në rrugën e madhe…

Asnjë sallon bukurie nuk merr përsipër,
të modelojë flokun e saj aq të rëndë…
Flokët që e ruajnë aq shumë mendjen,
që zemrës i merr
fjalën e pathënë…

Më sheh në sy dhe unë zë frikësohem,
rrezja e vështrimit tej e tej i shkon malit.
Ah po të vinte, eh ç’dasëm do të bënim,
me lot, me lule për mua dhëndrin,
në… shtëpinë e funeralit!

 

Ke mbyllur derën

Ke mbyllur derën nga brenda dhe ke humbur çelësin,
të mos dalë asnjë ofshamë nga dhimbja përtej mureve.
Ai që doli e përplasi fort dhe të fyu,
të tjerë trokasin
dhe të ftojnë me lutje…

Dhe ti troket fort dhe ke dëshirë të dalësh,
por askush nuk dëgjon përpëlitjet e shpirtit,
askush nuk të sheh zbukuruar petalesh,
trokasin, jo për ndjenjë,
veç për shijen e… mishit!

Ndaj rri derëmbyllur nga brenda e nga jashtë,
e s’do t’i përgjigjesh asnjë trokitjeje…
Në shpirt ti vazhdon të jesh ende vajzë,
që do një përkëdhelje
para rendjes për rritje…

Të tjera nga ky autor: