Press "Enter" to skip to content

Ervin NEZHA: Refleksione mbi romanin “Biri”

Të ringjallësh “Birin” përmes një bote estetike

Në tregimin e mrekullueshëm “Rrënoja rrotullare”, J. L. Borges krijon një botë hipotetike, ku personazhi kryesor ringjall “Birin” sipas shëmbëlltyrës së tij, përmes ëndrrës. Borges, pra, në thelb, është i bindur se ekzistojnë shumë mënyra për t’i risjellë në jetë ata që kanë ikur ose ata që nuk kanë ardhur kurrë. Mjafton vetëm dashuria për ta bërë këtë.
Këtë parantezë e bëj për të legjitimuar karakterin e thellë estetik të romanit të fundit të shkrimtares Flutura Açka, “Biri” dhe të mos ta trajtojmë atë padrejtësisht si një vepër me karakter autobiografik. Së pari, duhet të pohojmë faktin se pavarësisht tronditjes së thellë psikologjike që i shkakton qëndrueshmërisë individuale leximi i këtij libri, respekti ndaj cilësisë estetike dhe strukturore të kësaj vepre, na shtrëngon që ky shkrim të jetë një vështrim “i ftohtë” mbi romanin “Biri”, i bindur se në rrafshin irracional, atë të shprehjes së ndjesive, mund të bëjmë shumë pak për të komentuar, pas asaj që ka bërë vetë autorja në roman.
Shkrimi i një romani të tillë nuk duhet të ketë qenë një punë e lehtë, madje, siç thotë diku Paul Valeri, për të shkruar për gjëra të tilla duhet të futesh nën vete, i armatosur gjerë në dhëmbë.
Nëse më sipër shkruajta se Borgesi solli shembullin e krijimit të “Birit”, pasardhësit, përmes ëndrrës, Flutura Açka e ringjall “Birin” përmes kujtimeve. Edhe pse përmban nota biografike të forta, romani “Biri”, falë gjuhës së qashtër, kulturës së shkrimit, mendjegjerësisë në ndërtimin e rrëfimit dhe situatave, hapësirës dhe kohës, përbën një vepër tejet universale dhe guxoj të parashikoj se është vetëm çështje kohe që ky libër të shndërrohet në një “Bestseller” i vërtetë, në kuptimin e shëndetshëm të fjalës.
Açka rrëfen historinë e trishtë të birit të saj, pa letrarizma të ekzagjeruara, pa lajle-lule, pa patetizma emocionalë, pa dëshirën për të mitizuar kujtimin e birit, por vetëm me një qëllim: të rrëfejë ashtu siç ngjau betejën e një luftëtari me vdekjen. I shkruar pjesërisht në formën e një ditari e pjesërisht në formën e një romani modern, ky libër zhbiron thellësitë më të mëdha psikologjike të individit, që e shikon vdekjen në sy. Mendoj se askush tjetër nuk ka arritur kaq larg në kufirin midis jetës dhe vdekjes në letërsinë shqipe, sidomos e një lloji vdekjeje që konsiderohet “aksidentale” (në kuptimin e largimit të hershëm nga jeta), aq sa për të gjetur një trajtim, të dytë, të vdekjes si aksident, do na duhet të ktheheshim te novela “E madhe gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit dhe ekzaktësisht të ndaleshim te personazhi i Kalies, vdekja e së cilës përbën dramën e madhe të Tat Tanushit. Drama e Açkës është e një lloji tjetër, ndoshta më e thellë në trajtën e përjetimit personal, sepse, nëse te Kuteli, bota e tij e trilluar ka ekzistuar më parë vetëm e vëzhguar, tek Açka, kjo botë, së pari, është e përjetuar e mbasandaj e vëzhguar. Kjo botë hipotetike është historia e një Ajkune moderne, që nuk e gjeti “Birin” pa frymë në pyllin e vdekjes, por një nënë që e ndoqi fatin e patjetërsueshëm të “Birit” hap pas hapi, deri në frymën e fundit.
E pabesueshme është kuraja me të cilin Mr.J e përballon fatin e tij të përcaktuar. Kjo qëndrueshmëri e palëkundur individuale, që shfaq ai për të normalizuar jetën, kur vdekja i qëndron mbi krye si hije, si grua me fytyrë të zezë, thotë Açka diku në libër, shkakton një efekt tronditës në psikologjinë e lexuesit. Ndien frymëmarrjen tek të rëndohet dhe një vel trishtimi të ndjek këmba-këmbës edhe pasi e ke ndërprerë leximin. Kjo tronditje shkaktohet nga forca me të cilën transmetohet forca e dhimbjes, nga abstenimi që i bën autorja lidhjes normale rrëfyes- lexues, duke ruajtur vetëm lidhjen intime rrëfyes-personazh, çka bën që, në shumicën e kohës së leximit, lexuesi të heqë paralele ndërmjet jetës së garantuar të tij dhe jetës së ndërprerë të “Birit”, por edhe paralele simetrike ndërmjet jetës së tij të qetë dhe gjendjes së trazuar të autores, si nënë “e pabirë”. Pra, lexuesi, dëshpërimisht, herë rreket të identifikohet me autoren/rrëfyes e herë me “Birin”/personazh, çka e shndërron mendjen e tij në një “karosel” gjigand, çoroditës, të shkaktuar nga fati tragjik i përcaktuar dhe në kokë të nguliten gozhdë dy pyetje të njëpasnjëshme, që gati të tjetërsojnë identitetin: Po të isha unë Biri? Po të isha unë Flutura?
Mirëpo, ashtu siç thotë Tomas Man në romanin emblematik “Mali Magjik”, është vetë sëmundja dhe është vetë vdekja ajo që e pajis të sëmurin me psikozën e pranimit të fatit. Ne të tjerëve thjesht na takon të vazhdojmë jetën me psikozën e rreme të të qenit “të pavdekshëm”.
Më tepër nuk kam si të futem në roman, për të mos ju rrëfyer atë që nuk mund t’ju rrëfej dot, edhe sikur të bëja përpjekjet më mbinjerëzore, ndaj më mbetet veç t’ju ftoj në leximin e romanit “Biri”.

Të tjera nga ky autor: