Press "Enter" to skip to content

Flutura AÇKA: Biri (fragment)


Gjatë njëmbëdhjetë vjetve të para në Shqipëri, prej sjelljes sonë ndaj të huajve, që shpesh ka një tepri politese dhe që lidhet edhe me traditën e njohur të mikpritjes shqiptare – “Shpija e Shqyptarit asht e Zotit e e mikut”, Kanuni i Lekë Dukagjinit, ndalesa 602, Nye i nandëdhetegjashtët, Krye i tetëmbdhetët – Biri ndihej më shumë holandez se shqiptar. “Holandezi”, e thërrisnin dhe kjo ndikoi shumë tek ai në vitet kur jetoi mes shqiptarëve. Kur i thoja se ishte gjysmëshqiptar dhe gjysmëholandez, ai këmbëngulte se ishte vetëm një e katërta shqiptar dhe kur me shaka i kërkoja të dija sesi i dilte kjo llogari, më thoshte krejt serioz se përveç gjysmës së plotë holandeze të të atit, ai kishte dhe gjysmën e gjysmës sime holandeze, pasi veç gjuhës së mangët holandeze, askush nuk më dallonte në Holandë se nuk isha vendase: Isha spontane si shqiptarët dhe e kthjellët si holandezët, pa harruar flokët që i mbaja gjithnjë në tonet e biondes. Por, kjo logjikë nuk shkonte me të atin, ai nuk kishte asgjë shqiptare, thoshte. “Veç virusit shqiptar”, qeshja unë.
Kur fliste shqip, Biri dallohej menjëherë, jo aq prej një theksi fare të lehtë që kishte, por prej politesës së tepruar. Ky veçim që i ndodhte mes shqiptarësh, e mërziste ndonjëherë dhe më kërkonte që t’ia mësoja për t’i shqiptuar drejt frazat, pasi nuk donte që njerëzit të kthenin kokën nga shqipja e tij. Dhe unë ia shpjegoja: “Po ja, kur t’i thua ‘më lër vetëm’, e përkthen atë drejtpërdrejt nga ‘leave me alone’, por në shqip thuhet ‘dua të rri vetëm’. Ose, kur do që të blesh diçka, ti pyet ‘çfarë është çmimi i kësaj?’, në vend që të thuash ‘sa kushton kjo?’. Edhe fraza jote shqip është, por nuk është shqip-shqip.”
Më vonë, gjatë viteve në Holandë, vërejta se si holandezi shqiptar u kthye në shqiptarin holandez, rrënja e fortë shqiptare e bënte atë të kishte diçka që të tjerëve rreth tij iu mungonte, diçka vetmëvetëse, siç vëren edhe njëri prej mësuesve të tij në librin e ngushëllimeve të shkollës. Nga Holanda i vinte kultura, liria, edukimi perfekt; nga Shqipëria i vinte krenaria, ndjeshmëria e lartë dhe thelbi i vërtetë i jetës, shpesh e ashpër, pa zbukurime dhe ambalazhin europian.
Në muaj e parë të shkollës në Hilversum, diku nga vjeshta e vitit 2011, në një nga takimet e prindërve, im shoq më përcolli habinë e mentorit të klasës, i cili i kishte thënë se shquante te djali ynë diçka ndryshe, por nuk e kuptonte dot se çfarë qe, se ishte një fëmijë me një logjikë krejt ndryshe nga nxënësit e tjerë dhe pyeste se nga i vinte kjo vallë?! Kur im shoq, edhe ai i habitur nga vërejtja e mësuesit, më pyeti se çfarë mund të ishte kjo gjë ndryshe e djalit tonë, unë i shpjegova se ai fëmijë thjesht kishte parë dhe dëgjuar gjëra ndryshe në Shqipëri: rrëfimet e së ëmës për fëmijërinë e saj në diktaturë, trokitjen e ndonjë fqinji në mbrëmje vonë në portën e apartamentit që lypte para sa për të blerë paracetamol për fëmijën me temperaturë, politikanë që çirreshin në ekran, për të cilët e ëma thoshte se i shihnin më shpesh se burrat e tyre, se ishte rritur në një vend ku njeriu lind valltar, një vend në kryqëzim të Mesdheut dhe në zemër të civilizimeve të lashta dhe të gjitha këto nuk mund ta linin pa shenja një djalë të ndjeshëm, qoftë edhe me një fëmijëri të lumtur si ai. Aq i fortë ishte ky ndikim, sa kur dikush e pyeti ende fëmijë se çfarë dëshironte të bëhej kur të rritej, ai i tha: “Politikan i pakorruptuar shqiptar”. Biri mori më të mirat e të dyja kulturave, ndoshta edhe sepse ishte një qenie kureshtare, e hapur, pranuese dhe me një shkallë të admirueshme analize. Dhe maturie. Dhe racionaliteti. Dhe mbindjeshmërie. Dhe inteligjence. Dhe mirësie.
A po e heroizoj pa kuptuar tim bir, siç rrezikoj e mpirë nga dashuria dhe malli kozmik për të? Jo, besoj se jo, por po e dizenjoj siç ishte heroin e jetës sime dhe ndoshta sepse ishte kështu, ishte edhe jetëshkurtër, më thotë ndonjëherë tmerri i humbjes së tij.
“Unë jam shqiptar”, thoshte me këmbëngulje nga dita që shkeli në Holandë, siç ua thoshte edhe atyre që ia vinin në dyshim gjatë kohës që ishte në Shqipëri. Dikur, në një nga ditët e para kur ende fëmijë, nisi të thyente drojën e të shoqërizohej me botën përtej familjes dhe rrethit të ngushtë të të njohurve, u ndodhëm në një nga tregtoret e mëhallës sonë në qendër të Tiranës, ku ai kaloi njëmbëdhjetë vitet e para të jetës, ku mësoi të shkruante, të lexonte dhe të fliste shqip mrekullisht edhe pse me atë theksin që ia “tradhëtonte” shqipen e pastër. Shitësi, një lagjjar i vjetër, tek merrej dhe jepte për disa minuta me fëmijën – i cili nuk i njihte mirë paratë dhe nuk e kuptonte dallimin “lekë të reja e të vjetra” – krejt i kënaqur që po e thyente rutinën e ditës, në fund më tha: “Zonjë, ky fëmijë nuk është shqiptar, kurrë në jetën time nuk kam marrë kaq shumë faleminderit në kaq minuta”. Unë qesha, por Biri ia preu: “Unë jam shqiptar, por jam edhe holandez. Unë po flas shqip”. Nga ajo ditë, klienti i vogël shqiptaro-holandez ishte një burrë shumë i nderuar në sytë e nikoqirit tonë lagjjar.
Po, Biri ishte një shqiptar prej vërteti, pasi rrallë kam parë ndonjë fëmijë shqiptar të moshës së tij, një tetëmbëdhjetëvjeçar, që ta njohë dhe ta ketë shkelur Shqipërinë si ai, kam aq shumë foto si dëshmi të kësaj: mërzitjen se nuk morëm dot leje të hynim në traverbankët e Trepçes, mrekullimin pas shijes së pogaçes në Prishtinë, ecjen nëpër pyll në Bogë të Rugovës, vizitën në shpellën pranë burimit të Drinit të Bardhë, ndalesën në Rrozhajën e një dite festive, shpotitja mbi bifurkacionin minor të Ferizajt, udhëtimet në Alpet tona, kënaqësia në lisharësin dhe fotot me Altinin mes leheve të domateve të thara në Fishtë dhe biseda e gjatë me Vasilin në poçerinë në Krajen, shfryrjen disaminutëshe se përse në hyrjen për në Qafë-Botë nga Greqia nuk kishte asnjë tabelë se nga shkohej për në Shqipëri, edhe pse pika kufitare ishte mu aty pas kodrës, të provokuarit e kamerierëve në Parga që na ktheheshin shqip sapo i thosha atij enkas formulën magjike që kishim vendosur të përdornim për të zbuluar shqiptarët në Çamëri “Mam, a do kos me mjaltë?”, fotot e panumërta të shtëpive të vjetra shqiptare në Prevezë, kupat që blemë me shkrimin shqip në Paramithi e që shitësi i nxori nga brenda shtëpisë kur dëgjoi shqipen tonë e deri te një mbrëmje, në kërkim të urës së vjetër në Artë.
Ah, sa Shqipëri kishte – ka ende – brenda teje, Bir!

Të tjera nga ky autor: