Press "Enter" to skip to content

Manjola BRAHAJ: Cikël poetik

Vetun

Kem’ mbetë vetun
si gojë të thame prej mungesës së puthjeve,
si sorra të zeza në rrema t’thatë,
kanë mbetë pa përqafime gjokset e ngratë.

Kem’ mbetë vetun,
fillikat
si sytë e ngulun në kush e di cilin qiell
tue dëshirue nji diell,
sall nji diell,
që me mujtë me i nxe eshnat e qenies,
që me mujtë me këndue refrenin e jetës,
si nji simfoni të heshtun dhe të qetë.

Vetun kem’ mbetë
si duer të zgjatuna e t’ngrime n’ajri
si kapërcyej të thyem me pamundësi,
si vetja jonë e lanun diku pa e dvetë,
si qielli i shituem mbushë me zogj të zi.

Vetun të ndamë me metra,
bashkë të ndamë me kufinj,
tue pa jetën na doket andërr tjetra,
që dikur pa dashtë na rrshiti ndër gishtrinj.

 

Asht mëngjes

Asht mëngjes
dhe unë jam zgjue herët
për me t’i pa sytë tek flen prajshëm,
ani pse tan natën kam luftue me andrrat e tua,
i kam përzanë me nji puthje në ballin tand të kandshëm
të ligat
e i kam ftue me nji prekje në flokët e tua të buta
të mirat.

Asht mëngjes
dhe unë shtrihem afër teje – lëndinë
bari e lulesh të njoma,
mbushë andje për me shijue erën e jetës
e me drojë se po shtypi qenësinë e luleve,
rritjen e tyne.
Unë due me qenë toka e atyne luleve,
se ti je era që më mban gjallë;
të prek dhe më shtohet jeta, më rrjedh ndër deje,
të nuhas dhe kaloj përtej vetes e teje.

Asht mëngjes
dhe botën e shoh përmes përqafimit tand.

 

Koncert i heshtun

Mes tokës e qiellit duket si me u pasë këputë fielli.
Na ndihemi të sigurtë të kapun pas nji fije dylli.

Koha si shpirt i papërcjellun na ka mbetë në dorë.
Po lypë shpagim, jetë a kunorë?!

Pëlhurën e pendimit nuk e kem’ thurë me vakt.
Po na vjen Odiseu pa ia ba yrrnekin pa e matë për shtat.

Veten s’po dimë me e ba a me e zhba?
Kur sytë e pranverës s’po mujmë me i pa.

Varkat po presin për me na çue përtej lumit.
Andrrat po presin me na çue përtej fundit.

Nji kangë e pa fjalë po këndohet për ne.
Nji valle vorresh prej toke në re.

Në Tokë po mbahet nji koncert i heshtun.
Veç shpirti e di me ç’tinguj asht i veshun.

 

Manjola Brahaj (Tropojë, 1986) është profesoreshë universitare, poete, studiuese
dhe përkthyese. Ka doktoruar për letërsi në Universitetin e Tiranës dhe është profesoreshë e letërsisë në UBT, Prishtinë, dhe e angazhuar në universitetin “Fehmi Agani”, Gjakovë. Aktivitetin e saj akademik dhe progresin shkencor e dëshmojnë publikimet në revistat e ndryshme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ka botuar katër libra me poezi dhe një studim monografik Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, spanjisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, maqedonisht dhe kinezisht etj. Është vlerësuar për poezitë e saj me çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është pjesë e antologjive të ndryshme të botuara në shqip dhe gjuhë të huaja.

VEPRAT:
Vajtimi i Kalipsosë (2010)
Na nuk jena t’ktuhit (2014)
Çka nuk tregohet, nuk ka ekzistue (2017)
Proza eksperimentale (2019)
Ama ni lak (2020)

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.