Press "Enter" to skip to content

Ramiz GJINI: Prangat

Çelësi në bravë kërciti, dera u hap dhe trupi i madh i policit Bogë Kokora u dha brenda në qeli. Më nguli atë vështrimin e tij prej qeni roje dhe, duke më treguar një shkresë që mbante në dorë, tha:
– Kam një urdhër me shkrim, që të dilni prej këtu. Të shkoni në shtëpi.
Pastaj dha e mori me tufën e madhe të çelësave, duke provuar të gjente atë që do hapnin prangat e mia dhe, kur asnjëri nuk i hapi, filloi të shante ndyrë.
Sa herë shante, unë i jepja të drejtë dhe qeshja si budalla. E bëja thjesht për t’u përshtatur me të. Kjo dukej ashiqare që i pëlqente.
– Prit këtu! – tha pas pak, kur nuk ia doli dot t’i hapte prangat. – Do të kthehem sërish!
Dhe u largua.
Kisha dalë jashtë qelisë dhe po e ndiqja me sy se si zvogëlohej e zvogëlohej përmes korridorit të gjatë, derisa më në fund hapi një derë të hekurt nga e djathta dhe humbi në një tjetër korridor, që të shpinte në komandë.
Në kthim e pashë si u shfaq në fund të korridorit: në fillim i vockël sa një gur shahu, pastaj, dalëngadalë, erdhi duke u zmadhuar, derisa mbërriti tek unë si një përbindësh i stërmadh.
– Bah, çfarë tersi! – shfryu ai!
Kishte në vetvete një lloj hutimi zemërak e gulçues.
Si të deshte t’i jepte fund kësaj pune, nxori një gulsh fryme, pastaj tha:
– Këto lloj prangash janë shumë defektoze. Na ndodh shpesh që i kyçim, por nuk i hapim dot! Në komandë më thanë që të shkoni në shtëpi kështu siç jeni. E rëndësishme është që tashmë nuk jeni më i burgosur.
Dhe më foli për disa raste, ku edhe të tjerë të burgosur i kishin lënë të shkonin me duar të pranguara.
Më pas nuk mbaj mend asgjë, sepse dola jashtë mu si një somnambul.
Sapo kisha kaluar rrethimin me hekura e tela me gjemba, kur pas meje ndjeva ca hapa të rëndë, të nxituar. Ktheva kokën dhe pashë që ishte polic Boga. Më trembi shumë fakti që më ishte qepur nga pas. Mendja më tha se po vinte të më merrte e të më kthente sërish në qeli. Po nuk qe ashtu. Ai shpjegoi se i duhej të më shoqëronte, pasi, rrugës për në shtëpi, mileti mund të mendonte që isha arratisur me pranga në duar.
– Shefat atje lart nuk duan pështjellim mes njerëzish, – tha ai. E tha duke më vështruar vëngër, si të isha unë fajtori!
Nuk fola. Vetëm tunda kokën sa për t’i thënë që e kisha kuptuar.
Pas një copë rruge që bëmë bashkë, ai ndaloi.
– Tani shko i vetëm! – tha. – Mjaft ma ke sjellë në majë të hundës!
Dhe u fut në pijetoren aty pranë, ku dëgjohej zëri i një të dehuri që fliste me zë të lartë.
Pasditja qe e bukur. Në perëndim digjej një diell tepër i madh. Erëmimi i luleve të blirëve, që vinte nga pyllishta aty pranë, më sillte në mendje muzgjet e netëve të vakëta kur dilja shëtitje me Rozën; zënkat e pazarara, kur e kur të qëllimshme, si dhe mërzitë e zgjatura.
Pastaj mora autobusin e orës katër pasdite dhe në mbrëmje u gjenda në shtëpi.
Si tani më kujtohet ai befti i fytyrës së Rozës, shkreptima e habisë së saj, si dhe zjarri i lumturisë çmendurake, që e mbuloi ato çaste!
Qe veshur me të zeza dhe flokët e gjatë i pat thurur gërshet. M’u duk shumë më e bukur nga ç’e mbaja mend. E bukur dhe njëkohësisht paksa e largët. Ishte malli që e zbukuronte dhe koha e mungesës, që e kish bërë disi të largët.
U përqafuam dhe u puthëm. Ato çaste, firoma e saj u bë fryma ime.
Roza u mallëngjye; mbështeti kokën në kraharorin tim dhe nisi të qante me lot. Mendova se kishte pikasur prangat në duart e mia, ndaj desha ta sqaroja hollësisht për gjithçka ndodhi gjatë lirimit tim. Por ajo qe aq e dalldisur, sa nuk më la t’ia thosha.
Nisi të fliste pa pushim, të thoshte se më donte shumë dhe se ishte pikërisht kjo që e trembte tej mase.
– E kam vuajtur mungesën tënde mu si të kishe vdekur! – tha ajo, teksa ma shtrëngonte kokën në gji. – Nuk dua të pësosh të tjera vdekje!
Dhe ra në një ngashërim të papërmbajtur.
Pati qenë faji im që Roza fliste kësisoj, sepse, para arrestimit dhe burgosjes time, i pata shprehur një natë një mendim absurd. Njeriu, i pata thënë, ndodh të vdesë nga pak për veten e tij dhe shumë, tepër shumë për të tjerët.
Ndërsa Roza qeshte e qante me kokën e mbështetur në kraharorin tim, më lindi një dyshim për veten. Kujtova arrestimin, vuajtjet e burgut, si dhe çastet e lirimit me duar të pranguara. Gjithçka për mua kishte qenë saktësisht e qartë. Por ja që edhe Roza, ashtu si gjithë ata që më patën parë rrugës gjatë kthimit për në shtëpi, nuk reagonte karshi prangave në duart e mia! Asnjë pyetje në lidhje me to, si të mos i paskëshin rënë fare në sy! Mos ndoshta kishte tek unë diçka, që nuk shkonte dhe unë se kuptoja?! Sido që të ishte, vendosa të mos flisja me Rozën në lidhje me këtë.
Iu luta të mos qante. I thashë se tashmë e keqja kishte kaluar si një ëndërr e keqe dhe se duhej të përpiqeshim ta harronim. Pastaj i thashë t’i hiqte, t’i flakte tej ato rroba të zeza dhe të vishte të tjera.
– Nuk dua të mësohem të të shoh me të zeza! – i thashë. Dhe e putha lehtë në ballë me respekt e admirim.
Teksa ngrihej, më tha se ishte veshur me të zeza tri ditë pas arrestimit tim.
– E kisha të sigurt që nuk do të dilje për ca kohë nga burgu! – tha ajo. – Para drejtësisë, të gjithë jemi pak a shumë të shtrembër.
Më pas, ajo tha se të zezat nuk i kish veshur për mua, por më shumë për të tjerët.
– Qe një demonstrim i heshtur e i pafaj para botës, për të shpallur, në njëfarë mënyre, dashurinë dhe dhimbjen time karshi teje.
– Po, – thashë unë. – Është shumë e rëndësishme për ta, ta dinë mirë nëse ti më do apo jo; nëse ndjen dhimbje apo jo.
Teksa zhvishte të zezat, Roza më shpjegoi që gjithçka pati bërë për mua kishte pas vlerë, pikërisht ngase unë pata munguar dhe se nuk ishte e sigurt nëse kish bërë aq sa kishin pritur ata.
– Le ta konsiderojmë këtë që ndodhi me ne të dy edhe si një provë para Zotit të lumë! – tha së fundmi ajo.
I thashë se për mua mjaftonte të duheshim e kuptoheshim si gjithmonë.
– Do të kuptohemi, vetëm nëse ti do të vazhdosh të më vjedhësh kopsat te gjinjtë, – tha ajo e dalldisur, tashmë për tjetër gjë.
E mbulova me të puthura dhe, ashtu siç qemë të kërleshur, u plandosëm në krevat.
– Zhvishu, – i thashë. – Hiqi të gjitha!
Ajo tha se kur zhvishej nga të zezat, kishte ndjesinë sikur i ngelej diçka e zezë si një rrobë në trup; diçka që, sado të përpiqej, nuk e hiqte dot. Dhe u zhyt e tëra në mua.
Edhe tani kur e kujtoj më shpon mu në zemër toni me të cilin më urdhëroi të ngrihesha.
– Ngrihu! – tha. – Ti nuk je më ai që ke qenë!
Si të qe penduar për tonin me të cilin foli, ra në një keqardhje të thellë. Përmes ngashërimeve, që bënin t’i hovnin supet përpjetë, Roza pyeti:
– Çfarë ka ndodhur me ty, Lis?! Për atë zot, më thuaj ç’ka ndodhur?!
– Asgjë s’ka ndodhur! – i thashë. – Sot të dua më shumë nga sa të kam dashur më parë. Dhe nesër do të të dua më tepër nga sa të dua sot.
– Këtë e di, moj zemër! – tha ajo. – Por dua të di, çfarë dreqin të kanë bërë ata?!
Dhe filloi sërish të qante me zë.
– Për çfarë dyshon?! – e pyeta.
Ajo u rrotullua duke më treguar trupin lakuriq e tha:
– Nuk shikon që më ke hapur plagë në gjithë trupin?! Çfarë mbaje në duar kur më përkëdhelje?!
Pashë që Roza vërtet kishte nëpër shtat vraga plagësh të freskëta.
U ngrita pa thënë asnjë fjalë dhe u afrova pranë dritares, ku hodha vështrimin jashtë.
Tutje nga bregu i lumit po perëndonte hëna. Dalëngadalë po zhdukej gjithandej ajo mjellnajëza e verdhë e dritës së saj, derisa gjithësia ra në terr.

Të tjera nga ky autor: