Press "Enter" to skip to content

Ornela MUSABELLIU: Rrënjë e lot

Macja e bardhë rrezitet,
mbi rrënoja malli të përhimëta,
nxjerrë nga shpirti,
rrëzë̈ pemës sime.

Dikur e gjelbëronte oborrin e vogël.

Mbijetuam të dyja.

Ajo sëpatave të egra në trup,
unë prej dhimbjeve të saj.
I mbetën veç rrënjët e brishta
dhe e qara ime mbi to.

Pema – dashuria ime e re në këtë shtëpi të vjetër.

E re për mua,
këtu, larg vendit ku linda!

Vendit ku edhe rrënjët m’i këputën
e m’i dhanë me vete, si dikur fëmijë
dhëmbët e qumështit.

Më mbetën lotët dhe ikja!

Qava mbi rrënjët e saj;
lotët – kripë dhimbjeje
i përshkuan nëpër damarë si serum dashurie
e një mëngjes,
mbi atë cung të vogël,
si nyja e kockës që lidh dy gjymtyrë,
një filiz i vogël ngriti krye.

E rrita si fëmijët e mi,
duke e këqyrur!

Tash degëzat e saj
strehojnë dashuritë e mia,
zogj e fëshfërima
dhe gjurmët e mallit
si hieroglifë
për rrënjë
të mbetura diku
nëpër psherëtima…

Të tjera nga ky autor: