Press "Enter" to skip to content

Agron TUFA: Poezi

Bibliotekë ekzili

bibliotekë ekzili, e një gjuhe që nuk e njoh…
rafte të mbushna me libra të blemë lirë,
të falun, të qitun jashtë shtëpive:
u bana strehë në këto rafte, mes të cilëve tash,
netëve të pagjuma, endem i përhumbun
si një shaman në kërkim të shpirtrave;
u kall vështrimin pyetës ballinave, titujve
me një dilemë të pezullt në mendje.
po librat saorë ngjishen pas njeni-tjetrin në rafte –
me japin me kuptue: “nuk do të bahemi kurrë të tutë!”
duhet kohë, them… shmang vështrimin: duhet kohë,
shestoj, me fol, me u marrë vesh,
ashtu siç bajnë burrat me gratë e hueja,
të pashmangshme, më sëmbon sakaq ekzistenca
e braktisun e bibliotekës sime në Tiranë,
ndjesia ime, si e një anijeje të ankorueme
me spirancë në brigje të sigurta, të kuqërremta,
të veshuna me një vjeshtë të begatë dijesh
me fruta t’pamorta.

a s’asht kështu
o të ngjashmit e mi?
qiejt tanë janë biblioteka.

do kisha dashtë me u shkimbë në prehnin
e Sofisë time qiellore në Tiranë, mbuluem
me vëllime të trasha klasike, enciklopedi,
fashikuj poezish e traktate, midis një kuvendimi
ngashnjyes, t’pambarim, tue u fikë kadalë
si kandili n’përpëlitjen e mbrame.
por tash më duhet me shpikë një vete tjetër,
një tjetër jetë, derikur me zbutë këtë sutë të egër,
të panjohun e të ftohtë, që fati ma shtiu për short.

Tetor, 2020

 

Elegjia XVIII

Pllanga të zjarrta, të verdha, të kafta –
gjethajat mbi park, mbi asfalt –
e njomin me bojëra pasteli tetorin
nën qiellin ngjyrë kobalt.

Koha si lumi më merr shpinëkthyer,
por shpina nuk ndjen e nuk sheh.
Po shkimbet kjo vjeshtë e zhyer në ngjyra
dhe çadra e gjetheve u shkreh.

Krejt ngjyrat u fikën. Tash rrjedha më merr,
më shtyn, më dëbon me pahir.
Shndërruar në Janus përgjatas i prerë
shoh vetëm me njërën fytyrë –

si zgjatet e shkuara – një vazhdë e vetme
dhe rrudhat që shtohen si krimba.
Fytyra e prerë të ardhmen s’e ndjen;
Fytyrë nuk bëhet dot shpina.

Koha si lumi më merr shpinëkthyer,
por shpina nuk ndjen e nuk sheh.
Të gjitha rrëketë teptisën të fryra,
gjethnaja si çadër u shkreh.

Ç’luledhimba ky dimër do të na çelë,
të reja, të fshehura në lumë?
S’di në do mbruj një ninull të thellë
t’i fashis, t’i vë në gjumë…

Tetor 2020

Të tjera nga ky autor: