Press "Enter" to skip to content

Petraq RISTO: Dënesë në gjunjët e natës

1.
Të dënesësh në gjunjët e natës: pa prag, pa dritare
Me shkakun e fshehur pas pasqyrës.
E frikshme pasqyra në errësirë: burim në shpellë
Një dorë e padukshme më tërheq diku thellë.

Në korridorin e errët kërcënon një Minotaur…

Të flasësh me vete frikësuar nga pasojat
Me sytë që përpiqen të zgjojnë dritën: ta kthejnë në shpresë
Të vraposh megjithëse i pandjekur
(hapat bëhen Liri, Frika adrenalinën ndez).

Një pikë në mes të errësirës, e vogël: shpirt xixëllonje
E fuqishme sa ta bëjë të gjallë hijen time
Ti nuk je (të vdekurit bëjnë hije veçse në kujtesë)

… Në gjunjët e natës po dënes.

2
E Padukshmja s’është metafizikë, imazh lodhjeje, mirazh droge dhe alkooli
E Padukshmja: satelit në Planetin e Frikës, katastrofa pas ngjizjes së idolit…
Jam në Bregun e Pritjes mbi supet e një oqeani: pres shishen
me mesazhin e artë
Çerek shekulli që pres, do të pres dhe një çerek shekulli tjetër
Pastaj me qelqin e shishes do të presë damarët e shpresës
Gjakun do ta kthejë në dallgë të kuqe me thinja pritjeje mbi kreshtë.
Varka, anije, tragete, gomone, trapë me drunj nga Pylli i Durimit
(Oqeanet dhe detet hutohen nga copëtimi i Arkës së Noes)
Shekulli – modern, në Mesjetë – Mjerimi
Një shishe e blertë me mesazhin e artë afrohet, afrohet…
Në Planetin e Frikës vetvritet Mendimi…

Në gjunjët e natës po dënes…

3.
Një buf i bukur me sy nga porcelani i natës, me një heshtje frike nën pendë
Një e qarë foshnje, ninulla e nënës dhe hëna e verdhë: gjëndërr helmi.
Djalli po vjen, djalli po vjen!…

Flatra që digjen, supe që dridhen, ëndrra që fiken në mes
Bufi i bukur me pendë prej frike s’pranon blatim në mëngjes
Djalli po vjen, djalli po vjen!…

Në dhomën e vogël globi rënkon: vejushë në kulmin e zisë
Drita e lodhur: grua lehonë foshnjes së vdekur i jep sisë
Bufi vjell hënën me helm. Djaaalli po vjeeeen!!!…

4.
Djalli po vjen!
Nga një paralel në tjetrin, nga një hemisferë në tjetrën
Djalli po vjen: kostum të ri, fytyrë të vjetër
thith oksigjenin e mbetur të shekullit njëzetë.
Djalli po vjen!
Të përgjumur janë shenjtët, të tulatur nën hijet e dhunës – profetët.
Fëmijët vazhdojnë të lozin në oborre
Dhe vajzat me shikime të lehta si verore
Dhe djemtë e ndezur nga hove dashurore…
Por, Djalli, Djalli po vjen!

Dhe unë dënes në gjunjët e natës
Lutem: fëmijët të bëhen burra
Dhe vajzat shpejt të bëhen nëna
Dhe djemtë të kthehen gjallë nga luftrat
Të zgjohen shenjtët, të ngrihen profetët
Nga brirët e djallit të shuajnë rrufetë…

Djalli, Djalli po vjen!

Ju të vrarët e planetit si nuk u kthyet në përvojë
Dhe pse dhembja e çdo epoke ju mbiu bar në gojë!

Djalli, Djalli po vjen!

5.
Nën kafkën e ciflosur nga lodhja e mendimeve
shkëndijoi një lule me fytyrën tënde
Lulja rrëzoi qiellin: në cilën klithmë gjendesh?
Në cilin lumë rrjedha bëhet verë
Dhe pjergullat hutohen tek shohin veten duke nusëruar?
Mos klith! Mbaje peshën e agimit: pajë të çmuar.
Mos klith! Ëndrrat: e vetmja liri e njeriut të vetmuar.

6.
Heshtja: orë e madhe me tik-take zemre. Heshtja.
Heshtja: kopsht me plagë lulesh, buzët: gonxhe të pahapura
Ujët rrjedh pa kujtesë nga avujt e dashurive të vjetra.
Shshsht… po lind Heshtja.
Kujtesa shkëlqen: teh shpate në muzgun e pasluftës.
Heshtja e syve të mbyllur.
Heshtja e lotit që jeton dhe pas vdekjes. Ku ishe mbrëmë?
Numëroja gjethet që binin nga një dru i lodhur… Ku ishe…
Heshtja me supe të mbledhura. Mëkati ngjyrë vjollcë.
Heshtja numëron gjer në infinit…U ktheva. I mundur u ktheva.
Me njëri krah – velë dhe tjetrin – pulëbardhë.
Dallgëve diçka shkruante direku i thyer. Ngjyrë vjollcë mëkati.
Gjethe nga një dru i lodhur.

7.
…U lodh Globi, vërtitet në hapësirë si në sallë reaminacioni
Infermierja Hënë plagët veç ju mund t’mi shëroni…
U lodh Globi, u lodh Ligji i Gravitacionit…
U lodh Globi dhe unë u lodha, natyrisht
Në skakiera paralelesh meridianesh shoh klithma ushtrish
Hënë mos u kthe në kosë krize
Mos më hapni plagë, nëse s’më shëroni
Kore shtrigash, himne blasfemish…
U lodh Ligji i Gravitacionit…

Djalli po vjen, Djalli po vjen!

8.
Po shkrijnë akujt: niveli i detrave rritet në heshtje
Planeti nën një këmishë hekuri. Nju Jorku do na kthehet në Venecie.
NASA dhe asgjencitë sekrete përgjojnë botët aliene…
Oqean ngjyrë funebër. Në krahë albatrosësh shkruhen testamente.
Ora e Heshtjes kurdiset me dhembje. Po falimentojnë shtetet.

…Nga një dru i lodhur bien gjethet: Nënat qajnë me përemra
Një heshtje e zezë bëhet aureolë e lotëve.
E dhimbshme heshtja e lotëve. Ngrihuni në këmbë,
Merrini rrugët, kthejini në shirita të zinj në llërët e heshtjes
Një Hënë e plotë: gojë në klithje ngre në baticë Oqeanin e Ndërgjegjes…
Nën kafkën e ciflosur nga lodhja e mendimeve
shkëndijoi një lule me fytyrën tënde.

Po Djalli, Djalli, po vjen!…

2017

(Poema është shkëputur nga vëllimi “Para – j – sa?!”)

Të tjera nga ky autor: