Press "Enter" to skip to content

Marsela NENI: Poezi

Nëna më thotë…

Ag i ftohtë!
Pranë sobës kërcet një dru,
që digjet me përtesë…
Ajkën e kafes vështroj
si derdhet nga xhezvja
e duart s’më bëjnë
me e heq nga zjarri.
…më ngjan një tjetër kohë,
një tjetër shtëpi ku kam jetuar
e zëri i përvuajtur i sime mëje
që më thotë:
” …gruaja lind në këmbë!
Me zor ia shtrijnë shtatin
edhe kur vdes!
Në mos…
ka vdekur që më parë
pranë sobës…
lavamanit…
teshave të nderura në telin e jetës
pranë pjatave që ulen e ngrihen nga tryeza,
të ndotura nga monotonia,
çantave të fëmijëve kur ikin në shkollë…
Në mos…
nga puthjet që me vitet gjithashtu ikin
e harrojnë të kthehen,
nga xhepi pa liri…
nga netët pa hënë…
nga gjumi pa ëndrra…
nga pritjet e gjelbra, të pafjala, të përkora
që përhirimin mbajnë
unazë në zemër…
Dëgjon bijë?!
Gruaja vdes në këmbë!”.

 

Hiret e tua

Hiret e tua nuk janë veç
kurbat e mëndafshta nën fustan,
as gjinjtë e kolme aromë pranverë,
as këmbët si sorkadhe kur si flutur
hedhin hapin,
As gishtërinjtë e hollë kur përhumben
nëpër flokët e derdhur si ar,
As buzët e tulta që përndezin përfytyrimet
e hyjve ndër yje.
Hiret e tua janë fjalët që më ngrenë peshë,
kur zhgënjimi më përkul.
Hiret e tua janë përkujdesjet që më shërojnë,
shtatin e sëmurë.
Hiret e tua janë netët pa gjumë pranë fëmijëve të mi,
janë të gjitha ditët e lodhshme kur gatuan e pastron në shtëpi.
Ah…Hiret e tua kur bën dashuri!
Hiret e tua janë mençuri!
Hiret e tua janë copëza hëne fshehur në ata sy,
hiret e tua janë qiej të bërë kurm e vesë,
hiret e tua janë krejt një univers,
që pavarësisht gjithçkaje nuk vdes… nuk vdes…

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.