Press "Enter" to skip to content

Daniela XHANI: Cikël poetik

Tempus

Po sikur koha të jetë ngjarje brenda trupit
dhe trupi, dhomë gjumi
ku sillet një kafshëz,
që zbutet vetëm në liri. Shpirti
kaherë lakmon një dhomë tjetër,
qoftë edhe për pak; një shkëndijë
apo një rrëmim të pasosur,
që historinë gjithnjë e ndan:
para kësaj nate
dhe pas.

Zgjidh një ditë me shi

Duhet korrur lëndina e vogël, vajzë.
Ai bar i dendur aty-këtu, tinëz.
Zgjidh një ditë me shi të ngrohtë
dhe pa askënd pranë, pa frikë, fillo ngadalë,
ndieja butësinë e kadifenjtë tokës,
ende pa u penguar, vdekur, harruar askush.
Të vdekurve nuk mund t’ua marrësh jetën,
as paqes brendinë tënde; vendi ku
niset dhe mbërrin gjithçkaja e panjohur,
ngase trupi yt dhe fryma,
dëshpërimi dhe kënaqësia,
vrulli dhe qetësia
janë një gatitje për të falënderuar
në fund…
Zgjidh një ditë me shi dhe përulu,
përkulu, vështro se si rrëkeza e ujit
i merr përpara shtëllungat e këputura,
aromën e tokës që hapet në këmbët e tua
dhe lulet që do të çelin të kuqe,
të ngrohta
si gjaku i buzëve kur puthen.

Amaro

Ka një shije të hidhur errësira,
që depërton ngadalë përmes lëkurës,
bashkë me pemë, mure, qiej,
copëza kujtimesh, ajër të lagësht,
nga shiu që u derdh gjithë vrull
mbi jargavanë të çelur.
Ja dhe pak, në t’çarat e grilave
drita do të mbushë krejt dhomën.
Këmishës së hapur përgjatë gjinjve,
gjurmë gishtërinjsh do të shquajnë zotat.

Nga dritarja

Fqinji copëton perime mbi prerinë
me Aidën e Verdit në sfond
dhe hëna e kolme,
e zbehtë në avujt që përplasen xhamit,
gjithmonë e hapur kanata kundruall,
orenditë e vjetra prej druri, ojmet,
lulet e thara dhe macja që fle
zgjatur në parvaz, një vajzë mbledh teshat,
me gjinjtë që tunden si rrathë semiotik
në dekoltenë e gjerë… Ndaj
dritaret e vjeshtës janë kaq të brishta
dhe të pakuptueshme.

Pritja

Sytë e mi janë trysni që shpojnë
pritjen mespërmes, të trishtë kur
mëngjesi dhe mbrëmja humbasin radhën,
koha nuk mbërrin aty së thelli, në katund
hiçgjë pipëtin, veç vdekja,
që sillet andej qark;
rrokullis gjethet sheshazi,
pastaj kapërcen rruginat.
Ajo çka ëndërroj është vetë ëndrra
e pafjetur e fëmijës së rritur,
por prindërit zgjohen gjith’ her’ e më vonë
e një ditë harrojnë të zgjohen.

Flokët

Ndërsa flokët e sime bije kreh
të gjatë,
të lagur,
derdhur mbi shpinë
i flas për trupin që ka nisur të këndellet;
pa i bërë asnjë pyetje,
pa e parë në sy…
nga frika se ia tremb harenë e gjelbër.
Për trupin njomëzak, si shkronjë e madhe,
në emrat e përveçëm që jeta do t’i sjellë.
Dhe fjalët e mia bëhen më të pakta.
Dhe meraku im, diçka më shumë.
Ndërsa pikat e ujit thellohen nën prehër
dhe njomin butësisht kofshët e mia
si atëherë… kur e linda.

 

2020

Kam hequr pak dashuri mënjanë
në kaq pak jetë
me kaq shumë gjëra të panevojshme.

 

Të tjera nga ky autor:

Comments are closed.