Press "Enter" to skip to content

Erina ÇOKU: Tej

Të tejdukshëm jemi,
qielli na duket pas shpine
dhe retë numërojnë shpirtin tonë të ujshëm
që na shket në lëkurën e qelqtë.

Të tejpashëm jemi,
tingujt na shihen kacavjerrë brenda trupit
dhe koha na plagos si bisha kafazin e saj,
hieroglife të kuqe në kujtesë.

Tejane përcillemi aq ngadalë.

Kockat tona gati për të therur,
gati për të çelë një plagë të re
në plagën e vjetër
një vijë që lakohet
një vijë që përdridhet
një vijë që tendoset
një vijë që bëhet nyjë
një vijë që thyhet.

Kopsht i egër ndjenjash.

Jeta është këto gjëra të vogla
që qeshen, qahen, grinden – me hapësirën
kryqen, lëndohen, lidhen – me kohën,
dhembje e rritjes gjer në mbarim.

Të tejshkueshëm jemi
fryma na e çan kraharorin
sytë na çajnë kafkën
zemra pret të na shpërbëjë nga çasti në çast.

Tej, ku të të gjej, ku?

Kockat tona gati për t’u krisur
gati për të çelë një plagë të re
në shpirtin e gjallë frymim
një çarje e shpresës
një çarje e freskët
një therje e plotë
një gjakim i ri
një shembje e qelqtë.
Thërrmija të bukura në grusht.

Tej, pse gjithmonë tej?

Të tjera nga ky autor:

Comments are closed.