Press "Enter" to skip to content

Petraq RISTO: Etyde nga Republika e të Çmendurve  

1.

Apostujt u bënë gati: pa kostume, pa frakë, veç me tymin e aureolës me vete
Do shkonin tek Ai: Vizionari i Madh – I tradhtuari i së nesërmes
i shtrirë në pergamenat e Detit të Vdekur

Katafalkut të qiellit iu shqyen gozhdët duke qeshur, duke qeshur…

2.

Më zgjatën një bukë prej argjendi
ftova alkimistin të ma kthente në bukë gruri
Alkimisti më dha një bukë të mykur
dhe me bukën e argjendtë bleu një anije…
tashmë s’u besoj alkimistëve.

Kori i të çmendurve:

Përdorja një fushë gruri për shami: trumba zogjsh ngriheshin
                                                              pas çdo tështime…
                                                             një fushë gruri përdorja për shami…
pështyja gjak lulëkuqesh në shami, një fushë gruri përdorja për shami
fushë gruri me iniciale trumcakësh, dallëndyshesh…
një fushë gruri përdorja për shami…

3.

Regëtimat e zemrave në kishën e gjoksit: rekuiem
Dy mendime, një mik dhe një ëndërr ndjejnë peshë arkivoli në supe
Ik, ik – më thonë – ne do t’i mbledhim gjurmët
dhe sipër do t’i hedhim si lule.
Ecin në udhët e damarëve, gdhendin diçka në murin e kujtesës.
Vdiq një ditë dhe unë u varrosa brenda vetes që të zgjohem nesër.

Katafalkut të qiellit iu shqyen gozhdët duke qeshur, duke qeshur…

4.

Kosis barin po ti gjarpër largohu: kosën mos ma quaj prag shtëpie
Ik prej barit e ma ruaj gjakun si lulen me rrënjë
Ta jap besën se nuk do të vras e në themele do ta ruaj shtrojën.
Kur nesër në livadhin e kositur do shtrihem me të dashurën
Mbaje besën. Toka nuk ka bar po qielli ma fal vesën
Mbaje besën dhe helmin ruaje për bretkun e trembur
për bretkun që s’bëhet dot princ.
Barin e botës kosis.

Përdorja një fushë gruri për shami: trumba zogjsh ngriheshin pas çdo teshtime…

  1. Dhoma nr. 0

Ngjatjeta Mister Qepa kaq shumë kostume në garderobë dhe kaq lot të gënjeshtërta.
Ngjatjeta Mister Qepa: Planeti me shumë shtresa dhe lotët – Satelitë Gënjeshtra.
Ngjatjeta Mister Qepa në formën e një poçeje fryrë nga bulçitë që shpik e qeshura…
Mësojmë misterin e Mister Qepës në formën e lotit pikuar shpirti i mjegullës.
Ngjatjeta Mister Qepa me shtatë çarçafë e shtatë qefinë stivë në sepete
Dhe ne qajmë pa filluar ceremonia e të vdekurve.

Kori:

Katafalkut të qiellit iu shqyen gozhdët duke qeshur, duke qeshur…

  1. Në elektroshok:

Sekserë – seks në erë
shtëpi me njerëz
por… pa derë.

Apostujt lakuriq me aureolë tymi …më zgjatën një bukë prej argjendi

7.

Barin e botës kosis.
Banket i madh me të ftuar të mëdhenj e të paftuar të rrezikshëm
Milingonat ecin në rresht duke imituar ushtarët që i shkelin
kanë mësuar të ecin mbi këpucë madje të futen në këpucë
Dyfish të ecin.
Me shpikjen e këpucëve u zhvilluan milingonat.
Më deh kjo fushë e kositur: virgjëreshë e sapoflijuar, më deh…
Natë. Dallëndyshet para shtegtimit ranë herët të flenë.
Mos teshti, i them shokut, janë për udhëtim…
Në mitrën e liqenit: fetusi i hënës
skaneri i një reje i bën radiografinë.
Më deh kjo fushë e kositur: virgjëreshë e sapoflijuar, më deh…

…pështyja gjak lulëkuqesh në shami, një fushë gruri përdorja për shami

  1. (Përsëri i çmenduri i katërt)

Theva degët në një pyll t’i bëja paterica për të dashurin e kthyer nga lufta
Po ai më tha: më mirë më jep gjethet në formë zemre
Dhe patericat hidhi në lumë të bëhen shpëtim i të mbyturve.
Theva degët në pyll.
Patericat i gjeti një bretk përralle i gjelbërt si një gjethe
më puth, më tha, të kthehem në princ.
Kisha frikë dhe bretkun e putha: m’u kthye princ mbi patericë…
Princ mbi patericë.

Kori i të çmendurve:

Zog pse mallkon civilizimin e foleve të fshehura në degët pa gjethe
Cicërima jote më bren gjer në eshtër, një pendëz  e jotja – termometër ethesh
me sytë e veckël: binjakë prej breshëri – mbi një qefin të verdhë tretesh.
Zog: cullufe e vockël në kokë vjeshte
harrakat në Republikën e të Çmendurve.

Te ne sytë kanë dhëmbë
organet gjenitale kanë këmbë
Te ne zemra ka këngë
duart – planete kanë satelitë
Te ne gjuhët kanë krahë dallëndyshesh
dhe veshët janë anije:
çlodhen zogj shtegtimesh.
Te ne ndodh çdo gjë…

Cicërima jote më bren gjer në eshtër, një pendëz  e jotja – termometër ethesh.

Kur ishim të mjerë mjegull do të thoshte mjerë të rregulltit
Tani që jemi të lirë mjegullës ia kemi hequr “r” e kemi kthyer mbi krye si tjegull.
Mjerë-gull mjerë-gur mjerë-shthur…

Princ mbi patericë, oh, ç’princ mbi patericë!

  1. Seancë elektroshoku 2:

Vodha një yll nga spaleta e hotelit luksoz: e hëngra i uritur
Gjithë jetën më ka ndjekur pas hoteli me spaletë të grabitur.

10.

Nën parzmoren e thyer të një reje kulloj shiu i kuq nga reklamat
Një vetëtimë pret kokën e Shën Palit: koka rrokulliset tri herë
dhe ti pi ujë te tri burimet.
S’kisha parë një kokë kaq të bukur!
Hëna e plotë: gur fleksibël e ndan qiellin në mes,
rrotull – shkëndija yjesh bëhen gati të vdesin
hiri i nxehtë i mallkimit vesh trëndafilat
pa aromë trëndafilat memece të kraterit.
Apostujt lakuriq me aureolë tymi …më zgjatën një bukë prej argjendi

…fushë gruri me iniciale trumcakësh, dallëndyshesh…
një fushë gruri përdorja për shami…

Kori i të çmendurve:

Ngjatjeta Mister Qepa me shtatë çarçafë e shtatë qefinë stivë në sepete
Dhe ne qajmë pa filluar ceremonia e të vdekurve….
Gjashtë njerëz mbajnë mbi supe një piano dhe brenda pianos: kufoma e tij
I vetëvrarë, i ngujuar në tabutin muzikor,
heshtje me shkëndija notash…heshtjesimfoni.
Dhe mbi piano si një jargavan mavi: qielli në zi.
… me bukën e argjendtë bleu një anije…

Katafalkut të qiellit iu shqyen gozhdët duke qeshur, duke qeshur…

5 – 25 janar, 2010

Të tjera nga ky autor:

Comments are closed.