Press "Enter" to skip to content

Merita BËRDICA: Bijë

Ngjizje,
gji,
thinja.
U rrite bijë.
Tash s’mund të ndjeku ma.
Rruga ka kthesa tjera.
Më len ku jam ulë.
Asht karrige mëndafshi.
Edhe pse
dielli përballë diellit
hek gjethe mbas gjethesh,
prap asht bukur,
me mbërrit deri në fund,
pa ta trazue çerdhen.

Tek testamenti
me peca kukullash,
ke një sumull.
S’asht prej ari.
Prej balte krijue asht.
Theje!
Marrja mos xajnë në grykë frymën,
se njerëzit var përqafe
gjykimin kanë me ta gozhdue.
Ani…
ti vazhdo me e thye.
A e ke ndi gulshin e qiellit shtatë,
kur reve ju shprazen ujnat,
e mes dy trungjeve verbim gjaku,
krahanori shpërthen bekim-lindje?
Gjinjtë rruzare amshimi
ngufin kolloshtër,
derisa qumshti
çan thithkat
e vlon gugatjen buzë.
Apo netët me sy t’enjtun,
sepse lugjeve ditë
lodhja ka lanë shumë dritën hapt?
Diftoju… nj’aty asht Nan’.
Përkund ninullë.
Prej atyne ninullave
në djep përkulje perëndie.

Tek kundra përgjatë zgjatjes,
një sumull tjetër të pret.
S’asht prej argjendi.
Prej drunit ka gjenezën.
Prishe!
Mos u frigo…
A je ke pa vijat e dorës varfnisë?
Deri në asht’ i kanë hy
e thejve iu vjen era koca,
kur kojen e bukës
kasnakët kafshojnë.
Apo tamthave zemër,
metastazat ia behin rrahje,
sa as pulsi s’shkon ma ndej.
Zani çjerret, shkëmoq eshnat,
aq sa dheu s’i tret ma.
Jepja dorën, bijë!
Shtrëngoje fort,
sa tanë qenia jote
ka mu ba njësh me të,
e në kreni ndihmës
ke mu ndi e pasun.
S’ka gajle,
se s’ke me marrë kurrë at’ që jep.
Boll
që dikujt ia pshton grushtin,
tue ndriçue udhën uratë.

Tek inxhitë pjekurie,
sumull tjetër ke me has’.
Rrokulliset si me kenë e shenjt’.
S’asht e vërtet.
Ani…
Shprishja bojën,
sa herë gjunjët të janë rrxue
e gjuhës
i asht tha pështyma për qellzë.
Atëherë ie ngjitë vetes
tue guxue durimin,
tue shtrëngue dhambët fort,
për me kap arritjet.
Shojes kundër shkrymja
ka m’i ngja zgërdhimjes,
sepse njerzillëkun
ta kanë përgojue.
Muret e kahershme shkrumoi,
përmbysi kalatë-bedena trojane,
groposi pyjet rranjë filles pafund,
tue vulos Aromën Grue, ku të jesh!

Më fal bijë,
në testament
kam lanë një grusht nder!

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!