Press "Enter" to skip to content

Artur SPANJOLLI: Poeti në mërgim

Do të kesh mall për një darkë fundtetori
kur uji ngjyrë gri do të sjellë veç vjeshtën
me gjethe të thara, trungje dhe llum. Dhe në
RivArno-n tënde pemët nuk do të ulërasin
më këngë të lagështa, që vijnë prej shekujve.
Poet! Kur zemërçjerrë nga dashuria plot dallgë
sillje në shpirt veç lot të përvëluar dhe brengë.
Poet trishtimi fisnik. Mbi kodrën e San Miniatos
pafundësia blu nuk do të të prezantojë prapë qytetin.
Poet. Sepse larg do të jesh. Larg, pra
në rrugë të panjohura do të endesh, plot kalldrëm
ku era e kripur lëpin hieroglife të harruara, të pakuptueshme
dhe dallga përkëdhel këmbët e tua zbathur. Dhe atëherë
një britmë e thellë do të zbresë nga qielli.
Po, do të kesh mall. Mall gri, atje në kurbet. Për qytetin
tënd plot gurë dhe kulla madhështore. Ku këndon fort kënga
e së bukurës. Dhe është e zbrazët nata e fundtetorit atje larg.
Po! E hidhur është kafshata
dhe e rëndë plumb ngjitja e shkallëve të huaja.
Bujtës i paftuar, mik për dhembshuri. Mëshirë?!
Mëshirë?! Po ky dëbim nga toka jote, pse?! Me shkelma.
Jashtë! Shporru ti poet, dashnor i së vërtetës. jashtë!
Llangosur, brengosur, ik, mbushu!
Ti hyjnori, që prej dhimbjes kurora drite krijove.
Oh, kjo vjeshtë. Kjo vjeshtë e largët, në të pesëdhjetën
vit të jetës. Larg. Larg. Shëmbëlltyrë e zbehtë!
Shqiponjë qorre, shpend pa një krah, pa sqep krenar
lëngues, psherëtitës në syrgjynosjen e paepur.
Ik. Ik larg, nëpër vende që kurrë nuk do të përkasin
profet pa zot, i verbër përherë, bukuri që vret.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!