Press "Enter" to skip to content

Arbër AHMETAJ: “Sokrati” i Thanas Medi

Nuk më habiti, më mrekulloi. Këto fjalë kam për romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, të shkrimtarit Thanas Medi. (Botimet Toena, Tiranë 2013). Prej kohësh cilësia e letërsisë shqipe në sytë e mi është ndër më të mirat në kontinent. Por akoma s’e kisha lexuar këtë roman, i cili jo vetëm më nxit t’i përmbahem mendimit të mëparshëm, për më tepër më bindi se disa vepra të letërsisë shqipe janë më tepër se libra shumë të mirë.
Në hyrje të romanit, autori ka përdorur shprehjen e një autori të njohur shqiptar: “Asnjë popull s’duhet lënë të bjerë” e na bëhet e qartë se romani s’do jetë thjesht fati i një personazhi, si ai që përmendet në titull, apo i dhjetërave si ai, por fati i një populli: Vllehëve, si një përshpirtje e fundit – shënon autori si përkushtim, duke hequr fill misterin e rritur kërshërinë se pse kjo përshpirtje. Romani nuk është historik, rrjedhimisht as në këto shënime nuk do flitet për historinë e këtij populli. Romani është një sagë dashurie që zgjat një jetë njerëzore, rreth së cilës vihet në spikamë edhe plotnia shumështresore e jetës plot ngjyra e vështirësi e një popullate të tërë.
Ky roman flet për rrëzimin e pashmangshëm të atij populli, pasi ata nuk i lejojnë as të këndojnë. Rrëzimi është i ngadalshëm, i programuar, i kujdesshëm, i pashpirt. Por kjo përbërëse nuk është lehtësisht e lexueshme në roman, pasi s’ka në asnjë moment të shkrimit ndonjë nënvizim apo theksim të saj nga ana e autorit. Lexuesi i vëmendshëm sheh shenja, kupton rrëshqitjen, pjerrësinë por delikatesa e rrëfimit e bën të shpresojë se kjo rënie do të mund të shmanget.
Subjekti i romanit të kujton lehtësinë e pabesueshme të shkrimit të romaneve klasike. Një histori dashurie e nisur aksidentalisht, në një rrethanë të pazakonshme, një lidhje djepi, për të shërbyer si bosht i qindra mikrongjarjeve nga jeta e pabesueshme e një komuniteti. Kjo i ka dhënë dorë autorit ta veshë romanin me material jetësor të mahnitshëm nga jeta e njerëzve që jetojnë me rrezikun e humbjes mes rropullive të barkut, prej në krye të herës. Kjo frikë kalçifikuese do kishte gurosur prej kohësh popuj e kombe të tjera, por banorët e Pllajës së Bufit kanë enzima specifike në gjak, që e parandalojnë kthimin e tyre në gur, ashtu siç u urohet e punohet për ta nga përrethasit e tyre, të tjetër njësie etnike.
Kompleksiteti i marrëdhënieve njerëzore, plot kundërshti e tension, varfëria dhe ndërhyrja e përhershme e shtetit, jo për të ndikuar në zbutjen e tyre, por për të krijuar konflikt e deri djegie të njëri-tjetrit, do ta kishin shndërruar romanin në një si manifest, kurth që Thanas Medi e ka shmangur me mjeshtri, duke futur në roman dhjetëra e dhjetëra personazhe, prej në krye të rrëfimit, duke i zbuluar ata me kujdesjen e një piktori, tiparet e plota e komplekse të të cilëve kuptohen vetëm pas leximit të faqes së fundit. Në brendinë më të errët të personazheve, autori zbret me një llampë të vogël kirurgjikale, duke ndriçuar luhatjet më të pandjeshme, dilemat më pak të dukshme, pikëpyetjet, frikërat, emocionet e tyre, që shpërfaqen më vonë, duke motivuar akte e sjellje të personazheve, duke na befasuar me këtë mekanizëm psikologjik kaq të sofistikuar. Edhe ky mund të ishte një kurth, identifikim me letërsinë e përroit psiqik, romanit psikologjik. S’është as kështu romani i Thanas Medi.  Shkrimi i tij është inteligjent e i vëmendshëm, projekti i tij është i qartë, talenti i pamohueshëm, romani është një arritje e spikatur në letërsinë shqipe.
Dashuria e Sokrat Bubës për Katerinën e bukur lexohet me aq emocion e andje, sa urohet që romani të mos mbarojë asnjëherë. I entuziazmuar nga hijeshia e shkrimit, nga bukuria e këtij romani, ju nxis ta lexoni. Mund të lexohet edhe dy-tri herë. E kjo është cilësi e rrallë.
Kam lexuar diku se ky roman ka fituar një çmim kombëtar; nëse është e vërtetë, për herë të parë më lëkundet dyshimi që kam për çmimet.
Thanas Medi, me këtë përshpirtje, ka nënshkruar një roman të mrekullueshëm të letërsisë shqipe.

Sion, 12.10.2020

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!