Press "Enter" to skip to content

Luixhi TENKO: Jam i dashuruar me ty

U dashurova me ty
sepse nuk kisha asgjë ç’të bëja
ditën
doja dikë të takoja
natën
doja dikë të ëndërroja.
U dashurova me ty
sepse më vetëm nuk mund të rrija
ditën
për ëndrrat e mia doja të flisja
natën
për dashurinë.
E tani,
që mijëra gjëra ç’të bëj kam
ndjej ëndrrat e mia të zbehen
e të mendoj më nuk mund
asgjë tjetër veç teje.
Nuk di më as unë se çfarë po bëj
ditën
pendohem që dikur të takova
natën
vij sërish të të kërkoj.

Luixhi Tenko (Luigi Tenco) lindi më 21 mars 1938 dhe vdiq më 27 janar 1967. Ka qenë këngëtar dhe tekstshkrues këngësh. Pas vetëvrasjes, ai u shndërrua në një ikonë të teksteve për dashurinë. Shkaqet e vdekjes së tij mbeten dhe sot e kësaj dite ende të paqarta.
I lindur në provincën e Aleksandrisë në vitin 1938, por i rritur në Xhenova, Tenko nis të interesohet për muzikën shumë herët, duke u lidhur fillimisht me xhazin, për t’iu afruar më pas të ashtuquajturës shkollë të kantautorëve të Ligurias, shkollë nga e cila spikatnin emrat e Bruno Lauzit, Xhino Paolit e Fabrizio De Andresë. Gjatë karrierës së tij të shkurtër, ai nxori tetë disqe dhe disa këngë të veçanta, mes të cilave disa shumë të famshme, si: “Molto lontano”, “Io si”, “Mi sono innamorato di te”, etj.
Dalida, këngëtarja franceze ka qenë tmerrësisht e dashuruar me Tenko, por thuhet se këngëtari kishte një dashuri sekrete, Valerian, së cilës i shkruante me pasion letra, që u gjetën vite më vonë pas vdekjes së tij.
Ishte viti 1967 kur bashkë me Dalidën, Tenko do të sillte në “Sanremo” këngën “Ciao amore ciao”.
Ai u gjet i vdekur me një plumb në kokë në një dhomë hoteli, pasi mësoi se kënga e tij ishte skualifikuar nga “Sanremo”. Arma ishte pranë tij dhe, po ashtu, një letër lamtumire, por gëzhoja e plumbit nuk u gjet kurrë.

Përgatiti në shqip: D.Bono

Komentet janë mbyllur.