Press "Enter" to skip to content

Ana XHINDOLI: Cikël poetik

Po nesër?

Vetëm ti fole, e dashura ime.
Je këndellëse!
Bisedove me kukullën e gjakosur ‘barbi’.
Prej vitesh qëndron pranë cofëtinave,
si ‘barbi’ veçse!
Sot,
kukulla ngjit shkallët e larta.
Po sot, i dashuri i ëmbël i foli për oxhakun e tij,
“oxhakun femër”;
vetëm ai mund të pastrojë kaq shumë blozë!
Ai, i dashuri vesh xhinse bojëqelli
të përdorura e tegelirnosur,
Sterilitet pantallonash!
Duhet t’i ketë ardhur sot e dashura e një moti;
zakonisht çuditë ndodhin avionëve.
Mimozat janë të shtrenjta,
por jo të kushtueshme;
ai i dhuroi krizantema.
Kopshtet janë kapluar nga gjethet,
njerëzit mbushur lokalet,
hurbin pije të shtrenjta.
Në vjeshtë,
lëkura e vajzave enjtet nga thashethemnaja qytetase.
Po nesër?
Vajzat nuk pështyjnë përtokë;
sa bukur e fshihni lapërdhinë tuaj!

 

Toka ime

Dikush eci mbathur me këpucë të shtrenjta,
të tjerë zbathur mbi tokën e butë.
Isha unë,
ata,
të njohur,
miqtë tanë.
Ngela unë,
ne,
të njohurit e rastit.
Kush iku, rrjepur i la pemët,
mbyllur, të dergjura la dyer e dritare.
Ikën,
zemërndryrë për çka lanë pas;
s’e morën tokën,
mbeti,
toka ime e ngrohtë!
Eci bashkë me gjethet që zhyten,
rravgoj aty ku prekën këmbët e zbathura
dhe këpucët e shtrenjta.
Të prek me dorë,
ndjej afshin tënd të ngrohtë,
e bie të fle, toka ime!
Pres të shoh ëndrra të paqta sot,
për ju dhe veten.
Përgjumem me shpresën e kthimit të atyre që ikën.
Nesër,
sigurisht do të ecin mbi tokën e butë,
pas çapave të miqve të mirë,
pas kafenesë në qoshen e rrugës,
pas puthjeve të trishta të ajrit,
trokut të çdo hapi në tokën time.
Një ditë mund të iki edhe unë,
s’e di për ku,
s’e di përse!
Toka ime është e butë,
toka ime është e mirë!
Ajo pret përherë!

Linda me mallin

Nëna qau nga malli kur linda,
veç malli nxjerr lot të nxehtë;
u rrita bashkë me të.
Edhe babai kish mall,
veç malli përtyp gjethe të hidhura duhani.
Sot nostalgjia m’ka mpirë,
m’ka mekur zërin,
mpakur buzëqeshjen,
zbehur syrin.
S’ka më të vyer se miqtë e mi!
Kohë pa fund janë çastet tona!
Asgjë s’kushton sot,
s’ka vlerë paraja dhe pushteti!
I panginjur, sot çfarë ke,
s’është e jotja!
Është e atij që pa shpresë e fjalëmbytur ti e le!
Pranvera erdhi heshturazi këtë vit,
veshur e stolisur si një zanë.
Sa keq!
S’takova dot miqtë,
as nënën fjalështruar,
as babanë.
Shumë ujë ka rrjedhur, miqtë e mi,
aq edhe gjëra kanë ndryshuar!
I panginjuri kërkon fatin,
por ndal e lexon në fund të rreshtave:
“Sido që të shkojë,
një herë të vetme bëhu njeri!”

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!