Press "Enter" to skip to content

Jorgos SEFERIS: Matia Paskal mes trëndafilave

Tymos pa ndalur që në mëngjes.
Nëse ndaloj, trëndafilat do të më përqafojnë,
do të më mbysin me gjembat e petalet e rëna;
çelin shtrembër të gjitha, me të njëjtën ngjyrë të trëndafiltë
vështrojnë; presin të shohin dikë; nuk kalon askush;
pas tymit të llullës i vërej
mbi kërcellin e plogësht, pa aromë;
në jetën tjetër një grua më thoshte: mund të m’a kapësh dorën,
është i yti ky trëndafil është i yti
mund ta marrësh
tani ose më vonë, kur të dëshirosh.

Zbres shkallët duke tymosur gjithnjë,
trëndafilat zbresin epshore bashkë me mua
dhe kanë në sjellje diçka nga zëri
në rrënjën e klithmës, atje ku njeriu fillon
të thërrasë: “nënë” a “ndihmë”
ose zërat e vegjël e të bardhë të dashurisë.

Është një kopsht i vogël plot me trëndafila
disa metra katrorë që ulen bashkë me mua
siç zbres shkallët, pa qiell;
dhe e ëmta i thoshte: “Antigoni, harrove gjimnastikën sot;
në moshën tënde nuk vishja korse”.
E ëmta ishte një trup i trishtë me damarë të dalë
me shumë rrudha rreth veshëve, një hundë gati në të vdekur,
por fjalët e saj ishin gjithmonë plot arsye.
E pashë një ditë tek prekte gjoksin e Antigonit
si fëmija i vogël kur vjedh një mollë.

Vallë, a do e takoj gruan plakë kështu siç zbres?
Më tha ndërsa ikja: “Kushedi kur do të takohemi sërish?!”
dhe më pas lexova rreth vdekjes së saj në gazeta të vjetra
dasmën e Antigonit e dasmën e vajzës së Antigonit,
pa marrë fund shkallët, as tymi,
që më jep shijen e një anijeje të banuar prej shpirtrash,
me një sirenë të bukur dikur, kryqëzuar mbi timon.

Korçë, verë 1937

Përktheu: Eleana Zhako

*Mattia Pascal është emri i protagonistit kryesor të novelës së Luiggi Pirandello “Il fu Mattia Pascal”.

Këtë poezi, Jorgos Seferis e shkroi në verën e vitit 1937, në Korçë, gjatë kohës që ishte Konsull në Shqipëri.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!