Press "Enter" to skip to content

Armela HYSI: Mbi librin “Strehë dashnie” të poetit Besnik Camaj

“ta dish
aty mbas veshit
i kam mbledhë tana pikat e shiut
e i kam shpërnda në tela t’shpirtit me u tha e me u tretë bashkë me erën
dhe me atë shijen që s’më hiqet asnjëherë nga mendja”.

Janë ndër vargjet e para që më tërhoqën vëmendjen në librin me poezi të poetit Besnik Camaj dhe kjo ndjenjë interesi drejt bukurisë së vargut dhe estetikës së tij më mbajti gjatë gjithë librit.
Autori, dashurinë në këtë poemë hapëse të librit dhe që i kushtohet Republikës, e shpreh si për një personazh intim, i drejtohet me “e dashur” dhe deri në fund ruan këtë intimitet të mrekullueshëm ndjesor, duke të bërë shpesh të dyshosh nëse është futur dikush tjetër në këtë monolog – hënor
me dritësinë e një serenate. Por nuk humb asnjëherë kuptimin parësor, pasi fjalët radhisin një përshkrim ideal për ato që çdokush do të donte për mëmëdheun (mëmë – dhé – dashuri – familje – gji shprese – siguri përjetësie – përligjje të gjallnisë për vete dhe bijtë e vazhdimit të jetës). Ai e di mirë që ky ngjyrim erotik nuk është një rastësi dhe e “shpall” që në fillimet e poemës kur shkruan:
“kam ra n’dashni me ty edhe pa t’pasë”
Por është dhe krejt e qartë se Camaj nuk kërkon një vendndodhje që ta pagëzojë si atdhe, kërkon ato kushte, ato ngjyrime, atë ringjallje, atë rend që ka dashuruar brenda vetes për të dhe atë, pikërisht atë dashuri që i përkushtohet që në momentin që ende s’e ke të prekshme dhe të përvetësuar, por që:

“t’kapi për strehe
e ngreh kryet me t’pa
e me ta ba me dorë”

dhe nuk merr mbi vete asnjë virtyt të posaçëm, asnjë sakrificë heroizmi, por me modesti thotë se të gjitha këto ndodhin natyrshëm, vetëm e vetëm se s’bën dot ndryshe:

“se kështu m’ke gatu
edhe nëse të heq ndojherë kur djersij
të vë prapë mbi kokë
s’mundem pa ty”

Autori Camaj tregon se ka peshë në qetësinë e dashurisë së vet, djeg me fjalët e tij dhe është gati tragjik pasazhe-pasazhe. Lirizmi i një çasti që dëshpëron, por nuk quhet dëshpërues dhe fatal – kjo është poezia – kur përshkruan:

“shkretina po hapnohet nga shkujdesja
tash krejt çka bie mbi
rrëshqet curril kajshëm e skajshëm”…

Ky pasazh vazhdon konkretisht në tekst, me vargjet që unë vura në krye të këtij shkrimi, jo rastësisht. Prandaj dhe janë dëshpëruese, por nuk ndjen humbje; vetëm dëshirë për t’u kthjelluar dhe bërë më të mirën e mundshme. Për zgjim, rilindje, rikonstruktim të një ëndrre që e ke mbledhur pikë-pikë, me çfarëdolloj substance që mblidhen ëndrrat në pikëza (gjak, shpresë, mund, ndjenjë, djersë, lot, shi – qarkullim i jetës). Pra, gjithmonë organike dhe të të njëjtit gen me jetën përkatëse. Pra, me Jetën: siç, ku dhe kur na përket. Camaj nuk mënon të evoluojë poemën dhe ta afrojë pranë të përditshmes reale, duke arritur ta bëjë edhe më simbolike metaforën e tij kur personifikon ndjenjën personale me dashurinë për mëmëdheun; dhe si në çdo lidhje intime, ku jo vetëm dashuron, por dhe nderon të qenit një qenie e ndërgjegjshme, e lirë nga komplekset, ai vazhdon në vargëzimin e tij edhe të tjera “lojëra” që shfaq një lidhje e gjallë.

“po edhe nga ikja e çasteve
kur kapeshim për asgja
e nuk shiheshim sysh
kur flisnim pa mendu
e i kthenim shpinën njani-tjetrit
në vend që t’i kuronim plagët
pa këmbana
e të jetonim bashkë
me mendje t’ndritun
e dashni t’pafikun”

Poeti përmend në këngën e vet bjeshkët, nënë, gjyshen e disa mësues të mirë. A ka fytyrë më të bukur dashuria? Edhe kur flasim thjesht për një njeri, për një vashë a një djalosh, për një shpirt a një person të afërm të familjes, si qenie të kompletuara që jemi – se vetëm kështu mund të dashurojmë vërtetë – (përndryshe ndjenja që na ka pushtuar, apo më keq që kujtojmë se kemi, s’është veç egoizëm për të përvetësuar diç më shumë nga shija e jetës që i shohim dhe provojmë veç sipërfaqen. Nuk kemi të bëjmë me dashuri të vërtetë). Edhe kur flasim thjesht për një njeri, pra jemi gjithmonë një mori dashurish nga nëna dhe rrënjët, nga gjithë ç’na kanë mësuar të jetojmë e dashurojmë me kapacitetin e qenies.
Poema për Republikën është një poemë e shkurtër, që i jep titullin me frazën e hapjes gjithë librit, “Strehë Dashnie”, që në tekst merr një shtytje më të madhe, zgjerohet në kohë e hapësirë, tek shoqërohet me figurën “strehë e dashnisë sime të pambarueme” e mbyllet me një premtim të thurur për prehjen në gjirin e saj, që poeti e pranon me dashurinë primare. Si edhe në poezi të tjera, titulli i poezisë do mund të ishte dhe vargu i parë i saj; kjo bën që titulli të mos jetë një etiketim i thjeshtë, por të ketë mish nga poezia, gjë që e vëmë re tek të gjitha poezitë në vazhdim. Kjo dukuri, nga ana e ndërtimit dhe estetikës përbën edhe vetë një figurë poetike konstruktive, që të përçon dhe një rrjedhshmëri kompakte të të gjithë librit. Duket sikur poezitë janë pjesë e një karvani të qetë, por plot jetë dhe rol të gjallë në hapimin drejt lexuesit. Siç përbën dhe një element më shumë për lexuesin në krijimin e profilit poetik të autorit e atuve të tij.
Në vargun e Camajt kemi mungesë të plotë të shenjave të pikësimit, si dhe të shkronjës kapitale. Akoma edhe të pikës përfundimtare. Por ama kemi një ndarje të përcaktuar shumë qartë të vargut nga vargu, që orienton ritmin dhe rrjedhën e poezisë, pa asnjë ngadalësim a dyshim në lexim.
Paraqitja moderne e vargut dhe gjuha e kthjellët me nerv të gjallë dhe veçanërisht lirik, e bën të ndjesh një shije të freskët që mban deri në fund të librit. Ngopës, por aspak velës. Kemi pra një bisedë të gjatë të autorit – monolog – (siç besohet se mund të jenë librat, se personalisht dyshoj për këtë), por me aq pasazhe brenda larmishmërisë dhe vargut të shkurtër, që të lë të vendosësh edhe mendimet e tua si lexues pranë të tijat dhe me finesën e një vargu ku ka mjaft ajër dhe dritë, të mos ndjehesh as i ndrydhur, as i ndryrë, të mos pllakosesh brenda një mendimi hermetik apo të rënduar, por të shestuar e të pastër.
Lirika e poetit Besnik Camaj ka gjithnjë një qëllim të dlirë ndjenje. Nuk e veçon, përkundrazi e gërsheton ndjenjën e dashurisë dhe ngjyrimeve erotike, edhe në pasqyrimin tek të gjitha udhët e tjera të marrëdhënieve njerëzore dhe të evolimit të tij shpirtëror, shoqëror, mendor, etj. Ai thotë:

“e jotja frymë
m’erdh vrushkull
m’kapi për fyti
më shtriu mes shkronjave
m’i hapi sytë katër
e ta pash hijeshinë”

Dhe është e qartë që mes shkronjash, tek një pamje ikonografike, gati kinematografike erotike të dy të dashuruarve, kemi dhe një pamje tjetër filozofike. Kemi peshën legjendare të shkronjave e shkrimeve që takohet gjatë gjithë librit në forma të praruara e të ndryshme:

“kolonët shkronjat/ njanën mbas tjetrës shkapnin/ ti ike në anë të anës/ unë edhe ma larg/ n’frymë peng mbetëm”; “pak ma vonë i gjuajte shkronjat dritareve me piskamë tingujsh nuk le xham pa thy”; “veç një
blanë të shumëzueme/ pusull/ për çdo shkrim t’harruem/ që kopërcatet/ në çarranikun tem/ të vetmisë”; “me shkru për ty/ e me t’lexu tanaheret/ kur je e kur s’je” dhe fjalëve “S’ka fjalë/ që ma ban ma zi se ti”; “nji
njeri t’urtë/ me një libër të pashkruem/ të harruem nën sqetull/ dhe një tjetër n’dorë”, që janë gjithmonë meditim e komunikim, vetënjohje e gjithnjohje; e shkuar, e tashme, e ardhme.
Shkronjat, një nga shpikjet më ideale të njerëzimit, përmenden edhe të tjera herë – “me nektarin e xixëllonjave ç’udhë u shtronim shkronjave”, sepse shkronjat janë dija, poezia dhe përjetësia. Kohë që s’mund të kalojë, as vdes, as hesht, por që ringjallet gjithherë në duar të reja, në mendje të reja, në zemra të reja. Që mbushen me dritë dhe perceptim të ri, por pandryshueshmërisht në vërtetësinë e vlerës dhe virtytit të shkronjave njerëzore gjithherë, gjithashtu të lidhur ngushtë me origjinën.
Por gjithashtu poeti di dhe të pyes veten për drithërimën e atyre që na bëjnë të vuajmë; ai e di se dikur janë takuar:
“unë
ti
dhe terri”
për ta vazhduar se s’di ta gjejë: “cili nga ne të tre çmendoi/ më shumë”, ashtu siç në një tjetër poezi pret i trishtë:
“jam mbështetë/ në fund të vargut/
tue e sha vedin n’kohën pa ty”
apo diku tjetër: “tue i tërheqë zvarrë/ të gjitha rrudhat kriju pa ty”, pa munguar sa e sa të tjera tema që vijnë vetiu buzëve të poezisë dhe të vetmisë, edhe nga ato që shqiptarët i njohin mirë, ku bukur përcakton: “m’i çliron me nge/ lidhëset e patinave të mërgimit” ose “art prej së vërteti asht/ kur/ nana kqyrë kusinë n’zjerm/ mos po vlon/ e n’anën tjetër/ e fut penin n’birë t’gjylpanës/ me ja kepë harrnat burrit/ tue i dhanë gji fmisë/ deri sa t’i pikon tamli/ n’cepa t’buzëve”, që shkruan në poemën “Art” e ua kushton mbesave e nipërve të vet (ku në këtë pjesë të shkrimeve, lirizmi vihet re t’ia lërë vendin një didaktizmi që nuk e gjejmë në poezitë e tjera, por është i drejtuar nga përkushtimi dhe mund të nxjerrin përvojë jete të gjithë lexuesit).
Në libër gjithashtu gjen dhjetëra vargje që shkrihen në gojë si fruta tulëmbla, secila e ndryshme, secila e
këndshme:
“mbledh tinguj kalavesh”; “ndiej heshtjen tande/ tue ngulë thojtë n’frymën time”; “oh sa fort po m’dehë/ si anija detin dhe anasjelltas/ në kalamendje/ nuk e kam të sheshtë/ a jam frymë/ ujë a kala/ apo veç një mendje n’hamendje/ e po m’vjen me hup krejt”; “zbrita në bibliotekë me paskajore n’fyt”;
Tek lexoja vargun: “kur ti s’flet/ muze bahesh”, mu kujtua një ndodhi personale, në herët e para që pata takuar në mbledhjet e “Letrat e Lezhës”, të ndjerin, të madhin poet, të dashurin Ndoc Gjetja, që tek hodhi sytë mbi bllokun tim të hapur në një tavolinë, ku në fund të faqes ndeshi frazën poshtë një dorëshkrimi: “poezia është muze”, e ripërsëriti pëshpërimisht me buzëqeshje. Ai shpirt i madh nuk e pati problem se po lexonte bllokun e një adoleshenteje, të meditonte mbi atë varg timin që prej konceptimit të tij të pafund për poezinë, prej poeti të vërtetë e të rrallë – i pëlqeu; dhe ky është nga çastet që mbaj mend me mallëngjim për gjithë jetën. Ma kujtoi përcaktimi i Camajt, sepse poezia udhëton për të bashkuar shpirtrat.
“Librat lindin libra”, thoshin latinët dhe një krijim i ndjerë si libri “Strehë dashnie” i Besnik Camajt na bën krijues të një pasazhi (“pas”-) artistik, që, kur lexojmë, krijon brenda nesh veç ndjesitë e bukura të qiellores së pafund edhe kënaqësisë, na jep edhe fuqinë frymëzuese për një të përditshme sa më pranë ideales.
Për poezi, si “Fryn” ose “Në ktë botë”, nuk po flas më, se kam thënë mjaft, por mund ta lexoni librin e të kuptoni se sa thjesht i ndjen, si të shkërmoqen në dorë, por me forcën që me ato pak fjalë mund të ribësh qindra histori dashurie, përherë me të njëjtin njeri, përherë në jetë e botë të ndryshme, por që përherë të pëshpërit se poezia ka magjinë të të bëjë t’i kuptosh…

Armela Hysi, poete, Athinë

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!