Press "Enter" to skip to content

Bislim AHMETAJ: Ceremonia e lamtumirës së hamsterave

Telefonin e kapën ethet. Dridhej me këmbëngulje. Dikush donte të fliste me mua me çdo kusht. Ishte im bir. Ora tre pas mesnate.
– Hamsterat na lanë!
Zëri i tij më erdhi i panatyrshëm, i zbërdhulët, i shurdhët. I ngjashëm me ato pasthirrmat kur e thërras mëngjeseve ta zgjoj nga gjumi për ndonjë punë apo orar për të cilat vetë më porosit mbrëmjeve. Punët e tij i kryejmë ne. Ai e di këtë.
Ngula këmbë të merrja informacion më të plotë, pasi nuk isha i sigurt nëse e kisha kuptuar mirë.
– Hamsterat, baba, hamsterat! Kanë vdekur!
– Mbaje veten, burrë! – iu përgjigja. – Tek e fundit dy qenie të shpifura po i shtohen botës tjetër, s’u ba nami!
M’a mbylli telefonin. Kuptova që mbeti qejf prishur. Për ta përmirësuar pak shpirtngushtësinë time, ia dhashë gruas telefonin e iu luta të gjente një mënyrë të kujdesshme për ta ngushëlluar birin për “humbjen e rëndë” – prapë s’e ndalova veten pa shtuar një dozë cinizmi. Brejtësit, që im bir i thërriste “Hamstera”, ngjanin me minjtë për nga madhësia e trupit dhe me ketrat për mënyrën si silleshin me farat që konsumonin në kasollen e sajuar. Jetonin me ne prej dy vjetësh.
Vajza jonë e vogël ishte me ne në pushime. Në shtëpi kishin mbetur djemtë dhe hamsterat. Nuk më pëlqenin ato kafshë. Nuk kishim pasur fat asnjëherë me kafshëzat apo shpendët shtëpiakë.
Ndoshta s’ka rënë rasti t’ju tregoj për çiftin e papagajve.
Edhe ata u shfaqën befas në shtëpinë tonë. Një mëngjes i gjeta në kafaz në sallon, ndërsa djali flinte pranë tyre, me disa kokrra farash në dorë. Aq të thellë e ka gjumin im bir, sa nuk e zgjojnë as altoparlantët e xhamisë, le më papagajtë. Dikur, nga dreka, na tregoi se ia kishte falur një shok që do të largohej nga Shqipëria me gjithë familjen. Papagallit mashkull i vura menjëherë emrin e një politikani llapaqen, se s’i pushonte sqepi asnjë sekondë. Vetëm pak ditë më vonë, llapaqeni përfitoi nga dera e pa mbyllur mirë e kafazit dhe ia mbathi. S’u kthye më kurrë. As që u mërzita për të, por zogëza papagalle kishte të tjera lidhje me ikanakun. Zonja zogëz, mbetur vetëm, dha shpirt nga marazi. E varrosëm me një ceremoni modeste pak metra nga ballkoni i shtëpisë sonë të vjetër.
Pak më vonë, djali i vogël i bëri dhuratë të vëllait dy breshka uji, për të cilat na thanë se vinin nga Peruja. Breshkanin e pagëzova me emrin Valbon, ndërsa breshkën me emrin Buna.
Mua dhe gruan na merr malli për vendlindjen, ndaj ja ku i sollëm emrat e lumenjve të bukur brenda një akuariumi me dy breshka.
Valboni dhe Buna i gëzoheshin kthimit tonë në apartament. I lëviznin këmbët e vogla në formë lopatash, nxirrnin qafat sa mundnin prej zhguallit e dukeshin sikur mezi kishin pritur të na shihnin. Më duhet ta pranoj se nganjëherë ulesha pranë tyre e u flisja.
Pas tre vjetësh ndodhi. Valboni, prej disa orësh, rrinte me bark përpjetë e pluskonte në ujë. Thirra një veteriner.
– Ka mbaruar!
M’u duk si ata mjekët që shoqërojnë skuadrën e pushkatimit. “Veteriner i bashkisë, mendova, për të tredhur qen”. Gjithsesi, pas dy ditësh edhe Buna dorëzoi lopatat e u kthye me bark përpjetë. Në varrimin e tyre u ndjeva vërtet i pikëlluar. Me këtë barrë dhimbjeje në zemër, iu luta djemve të mos na sillnin më kafshë në shtëpi.
Vite më vonë, im bir, që e kishte harruar lutjen time, ia dha në derë e me një butësi e përvuajtje të pazakonte më tha:
– Të lutem, mos thuaj jo!
Ndjeva erën e një komploti të vogël kur pas tij pashë të voglin, dy metërsh edhe ai. Ja kështu ia behën banorët e rinj, hamsterat e djemve.
Si shenjë që s’isha i një mendjeje me ta, vendosa të mbaja një qëndrim indiferent ndaj brejtësve gazmorë. S’ua mësova kurrë emrat, aq më pak të interesohesha se cili qe zotnia, e cila qe zonja. Ngjyrën e lëkurës dhe turinjtë i kishin njëlloj. Zonja s’vinte kurrë buzëkuq; nga ta njihja? Si ta dalloja?
Vdekja e tyre nuk u konstatua nga ndonjë veteriner bashkie. Thjesht djemtë qenë kthyer në shtëpi e s’kishin dëgjuar as zhurmë, as lëvizje. I kishin prekur. Të ftohtë të dy. Me sy të mbyllur përjetësisht. I vendosën në një kuti kartoni e ashtu, me lot në sy, vendosën t’i varrosnin po atë natë. I kërkuan një shoku makinën, i cili kishte marrë me vete edhe dy të tjerë dhe, ashtu të gjithë bashkë, në ato orë të para mëngjesi, shkuan te Kodrat e Liqenit. Nën dritat e makinës, me një çekiç hapën një gropë në rrënjët e një selvie.
Orë e vonë, makina e ndezur dhe pesë djem të rinj që gërryenin, ishin të mjaftueshme për të zgjuar nga gjumi vigjilencën e informatorëve të policisë. Akoma pa e mbuluar mirë me dheun e njomë, kutinë e kartonit ku preheshin hamsterat, kishin vërshuar tri makina policie me sirena dhe alarme, prej të cilave u derdhën dhjetë policë të armatosur, duke bërtitur: “Mos lëvizni! Policia e shtetit”. Djemtë kishin ngrirë. Automatikë, skafandra, elektrikë e prozhektorë makinash.
– Po varrosim dy hamstera, dy kafshë të vogla, që vdiqën sonte, – mundi të thoshte mes lotëve djali i madh.
Dy prej policëve nxorën prej gropëzës kutinë e kartonit. E hapën nën dritat e forta. Dy hamsterat e përqafuar me njëri tjetrin, ashtu siç i kishin rehatuar mes lotësh, por me shumë kujdes në shtëpi. Nën urdhrin e një oficeri, kutia e kartonit me hamsterat u rifut nën dhe. Ndërkohë që dhjetëra uniforma rrinin të heshtura në pritje të mbarimit të kësaj ceremonie.
– Para një jave kam varrosur qenin tim! Ngushëllime për hamsterat tuaj! – u tha oficeri që drejtonte patrullën, duke u shtrënguar dorën djemve të mpirë.
Pak minuta më vonë, gjithçka kishte rënë në qetësi. Pikërisht atëherë më kishte thirrur im bir:
– Hamsterat na lanë!
Gruaja ndenji në telefon me djemtë deri afër mëngjesit. Unë dola në ballkon. Ishte ngrohtë. Saranda po jepte shenjat e para të zgjimit. Hamsterat s’kishin pasur dashurinë time. S’besoj se e kanë ndjerë mungesën e saj, por gjithsesi kishin qenë me fat. U përcollën për në banesën e fundit me një ceremonial mortor nga policia e shtetit.

Sarandë, korrik 2020

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!