Press "Enter" to skip to content

Nikollë LOKA: Cikël poetik

Ka ndodh të jem përmend…

Mbramja s’ka gjumë n’kët muzg të gjatë,
jam hallakatë
rrugëve ndërmend,
e s’e kam ditë asht ditë, asht natë,
veç kur kam pa n’qiell yllin tand,
ka ndodh të jem përmend…

S’kishe qenë larg,
s’kishe qenë pranë,
s’kishe zanë vend…
Nisem pa kohë,
kthehem pa kohë,
endem pa mend,
gjendem pa mend…

Veç kur kam pa n’qiell yllin tand,
ka ndodh të jem përmend…

Hajt pra…!

Hajt pra u nis me ardhë te na
edhe nji andërr,
dielli i rrxon rrezet përgjysë,
në gjysë të udhës nji perde qielli
u kthye e ra përmbys…
Hajt pra…!
Në anën tjetër rrin e djeshmja,
me ne takohet te nji urë,
po të ketë dritë në bregun tjetër,
ai kapërcim
do të jetë një aventurë.
Hajt pra u nis me ardhë te na
edhe nji andërr,
e na iu kthyem me fytyrë,
na bie në sy nji rreze dielli,
për nji amshim,
mbramjes i falemi me dëshirë.
Hajt pra u nis me ardhë te na
edhe nji mbramje!

Andrra vere

Kur randshëm qiellit i rrijnë retë,
ndër andrra vjeshte kam me pa,
gjethe të kputuna që nuk zajnë vend,
e përnjimend,
kam me e dashtë nji tjetër vend.
Nji tjetër vjeshtë pranverës ka me i ngja,
kur e mshtjell n’imazhin tand.
E andrra vere kam me pa…

Lagen dëshirat

Lagen dëshirat nëpër ujë,
zbret nëpër shkallë një litar shiu
prej qiellit të randë,
e ndal atje ku s’shkel njeriu,
te dritë e syve.
Ujë trëndafilash nxjerr një ujëvarë,
në pezulli
një dritë e bardhë,
burime shpirti mblidhka njeriu,
si lot edhe si mall!

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment