Press "Enter" to skip to content

Elida RUSTA: Poezi

Sa herë vdes

Fluturova shpirt,
me pak hanë e diell në xhepa,
si vajzë e rrëmbyer
gjithnji marr n’thue
qiellit tand.
Grue kuarci që djeg çelik
e nuk blue sende të buta.
Në asnji oqean nuk hidhesh me u mshef,
asht si me hedh dromca zogjve
me ju ndal fluturimin.
S’ka mjegull, as hije,
që t’mshef prej syve të shpirtit.
Burrë në burrë,
qiell e lulishte.
Asnji stuhi s’më zen bri teje.
T’i njoh ofshamat,
aromën e trupit.
Të kam puthje në kujtesë,
si gjurmë dinosauri mbi gurë.
Ti m’nisë dath e desh
nëpër borë e xhama t’thyem,
ferra e zall të nxehtë,
me nji puthje bujare
djep të rritjes teme.
Je flaka e dragoit,
dhamt e tij t’mbjellun
m’u ba shkronja për libra.
Toka shkon e ti nuk humbë,
kthehesh në dritë.
Unë shkoj ku t’dush,
themelet e kishës
i kam në shpirtin tand
e kryqin,
kryqin e kanë shpikë për mue, jo për Jezusin.
Kryqi jem ma i bukur je,
hej se ku ma i shenjtë se ai i Jeruzalemit.
Ti je Jeruzalem e Dardani për mua.
Sa herë vdes,
e pi nji molekulë tanden
me i hapë sytë.
M’u harroftë emni në të harrofsha!
Në lotin mbi oqean,
rritesh veç ti!

Prush yjesh

U ktheva
me i dhanë fund krenarisë, i dashtun.
Për kë me shkrue me dritë, lule e aroma,
te liqeni që të robnon me hijeshi?
I çmenda prej vajit,
pemët, ujnat e urat.
E shkima nji zjerm
me e ndez ma potershëm.
Ndëshkomë i miri jem,
për sjellje të pahijshme!
Të zvogëlova e vogla unë
bana hije në yje.
Ani!
Edhe gurët thehen.
Duhena tash!
Ti në vend të lëkurës më je,
si nishan bukurie,
që s’due me ma pa të tjerët.
Të mbloj me nji gjest të druajtun vajzërishte.
Nuk ishe pasion
me humbë lehtë,
me kalue lehtë.
E si mundet me qenë jeta pa ty?
Veç ti e dielli keni mbetë.
Kthjellimë,
rrufe në brinjë,
poemë e bukur shtrati,
shpirt në shpirt.
Më shiton si don,
më shemb,
m’zhbán.
Ja këput gjunjët qiellit,
e bien me prushin e yjeve
para kamve të mia t’zbathuna.
Përtej tan numrave.
natë e ditë,
ditë e natë,
në mbretninë e fjalës
e gjejmë njani-tjetrin,
e jetojmë ringjalljen
bash atëherë kur kujtuem se shkuam në fund
e mbaruan ngjarjet.
Asgja s’ka fuqi me i pajtue dhimbjet
sa dashnia.
Të puthi e s’kam cigare në gojë,
më duhesh për shpirtin.
Kësisoj: më báftë mirë helmi yt!

 

Vesë që nuk i trembet dritës

Për pak erdhe,
me zgjidh pranga e me heq baltë
prej krahëve të mi.
Tash jam ma e bukur, ma e lehtë,
nxej edhe e fikun,
diejt kur shkimen pjellin yje.
Më pe e shkove,
mbeta pezull.
Mblodha prapë skeletin e luleve që hodha,
me i ruejt deri sa t’bahen hi.
Të pres mbi kodër t’kishës,
ani pse kosa asht e pamëshirshme,
lule e hitha i pret njësoj.
Eh, i dashtuni jem,
i rrjedhshëm si ujnat!
Dashninë s’ka ujë që e mblon.
As unë s’jam n’veti,
as pranvera s’po del.
Edhe n’daltë ma t’bukurin lastar nuk e shoh.
Jam te lumi.
Hidhu në ujë,
lypmë nëpër shtëpitë e troftave,
humbe rrugën e gjeje dashninë.
Unë t’pshtoj prej mbytjes.
Grua spartane që e mshef të dashtunin n’dritë t’synit,
aty ku nuk mshefet as shpirti.
Më çlirohet truni prej zukatjeve,
që lshon tuj m’puth:
“Grua si trëndafil,
m’duket se baj dashni me nji kopsht”.
” Vesë që nuk i trembet ma dritës,
cicërimë e mbetun n’fyt mbas krisjes së armës”

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento

    error: Content is protected !!