Press "Enter" to skip to content

Oana GLASU: Cikël poetik

Jemi vetëm

Ngaqë ditët janë puse pa fund,
netët tona përshtaten në dy xhepa
të ngushtë.
Frymëmarrjet mundohen të dalin
në dritë,
për të përqafuar shiun,
që rreh në vendin e zemrave.
Mos më dashuro në verë;
është stina kur shpirtrat
na mbërrijnë në gojë!

Bukuri pa trup

Përmes dritareve të mishit shohim
kafshë duke qarë.
Ushqehen vetëm me bukuri,
ndonëse e dinë se kjo do t’u sjellë vdekjen
një natë të kuqe.
Ndodh kështu…
që kur perënditë janë zhvendosur
në kambana memece
dhe trupat tanë u ngurtësuan.

Diçka më mungon

Kur më puthje kyçin e këmbës, ecje me hapat e mi,
sa herë m’ke puthur duart, ke shkruar me gishtat e mi,
poezitë më të bukura të dashurisë,
buzët e mia ishin gjaku që rrjedh në trupin tënd
edhe sytë,
yjet e netëve të tu.
i gjithë trupi më ish bërë dritë nën buzët e tua,
por sot, i verbuar,
hijen time e puthe
dhe… hija ime u bëre.

Qëndroj

Trishtohem sa herë nxjerr nga sirtarët e bardhë,
nga aty ku zakonisht zemrat heshtin dhe hapat bredhin,
një nga letrat e vjetra që mora prej teje.
Në shumë prej tyre më pyesje se ku po vrapoj,
sikur e ndjeje dhimbjen e këmbëve të mia,
tek shkelnin të gjithë gurët e rrugës,
që fillonte nga lart dhe mbaronte në fundin
e qenies sime të brishtë.
Ndër të tjera më shkruaje:
Koha ka kohë, ecja ka këmbë,
hija nuk ka motra, vdekja s’ka nënë dhe faji jetim është –
ndalo, mos ki frikë nga përgjigjet!
Nuk të fola më kurrë
dhe as sot nuk di ç’të të them,
vetëm se po i afrohem kuptimit,
për të zbuluar se ku po rendja atëherë.

Oana Glasu lindi më 13 shtator 1975, në qytetin Corabia, në jug të Rumanisë. Ka mbaruar studimet për gjuhësi në Fakultetin e Histori-Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës, në vitin 2001, ndërsa gradën shkencore “master në gjuhësi” në 2003-shin. Shtatë vjet më pas studioi dhe mbrojti diplomën në Fakultetin e Psikologjisë, në vendlindje. Është bashkëpunëtore e përhershme e revistës kulturore “Oltart”, ku publikon artikuj për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Ajo përkthen autorë shqiptarë dhe i publikon në revista letrare rumune. Ka marrë çmimin “Euterpe” për poezi në një konkurs kombëtar, në vitin 2018, ndërsa në 2019-n, një tjetër çmim kombëtar mundësoi publikimin e vëllimit të saj të parë. Poezitë e saj publikohen në shumë revista letrare rumune. Punon në bibliotekën e rrethit Olt.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

Komento