Press "Enter" to skip to content

Ilir KADIA: Pëllumbat e Gaforres

Ai tani është rritësi më i njohur i pëllumbave në vend. Është një plak, që çalon nga të dyja këmbët. Edhe kur ecën, edhe kur ndalet ngjan me një gaforre, ndaj e thërrasin kështu. Ka marrë për hiçgjë me qira një nga ndërtesat gati rrënojë të kombinatit të vjetër, poshtë shkëmbit të qytetit dhe atje kafazët e pëllumbave ngjajnë me koshere bletësh kapur në mur. E shiti shtëpinë dhe me ato para ble me thasë ushqimin për pëllumbat. Aty jeton, në hangarin e ish-kombinatit, me pëllumbat tok. Kokën e lan me ujin e shisheve të koka-kolës, që ngroh në diell, ndërsa flokët i than me vrundullin e ajrit që krijojnë flatrat e pëllumbave kur zbresin për të ngrënë, sapo ai hap thesin e shpërndan sikur i mbjell kokrrat e misrit në oborr.
Banorët e qytetit kënaqen kur skuadrat e pëllumbave të Gaforres fluturojnë mbi qytet dhe ulen pranë këmbëve të turistëve, në daç në kala, në daç poshtë, në shëtitoren anës lumit. Ata të bashkisë e dinë orën kur i lëshon pëllumbat Gaforrja, ndaj, kur vijnë zyrtarë nga lart, atë orë i kandisin “Të Mëdhenjtë” nga Tirana të pinë kafe në shëtitore, që të mburren me punën e mirë në rritjen e pëllumbave. Por Gaforrja nuk do t’ia dijë nga vjedhja e famës. Nuk ia ka kushtuar për këtë gjë jetën pëllumbave.
Më parë, dhe kjo jo më shumë se 30 vjet, ai ish një djalë i ri, i gjatë, i shkathët, që i ngjitej si gjarpër shkëmbit thikë të qytetit, duke u mbajtur në rrënjë të thara kacavjerrësesh, deri tek të çarat e shkëmbit ku ishin foletë e pëllumbave të egër. U rrëmbente vezët, që ua shiste gati për hiçgjë një kamarieri në hotel-Turizmin e qytetit. Qyteti krenohej me Turizmin dhe ky krenohej me menynë e mëngjesit: vezë pëllumbash të egër! I shkoi larg fama, deri në Kinë, kësaj menyje. Turistët, që në fakt ishin specialistët kinezë të Kombinatit, u shtuan shumë dhe puna e Gaforres gjithashtu. Por ajo u bë shumë më e vështirë, se numri i pëllumbave të egër u pakësua dhe ata pak që mbetën i lëshonin vezët gjithmonë e më lart shkëmbit. Gaforrja u thosh shokëve, kur pinin mbrëmjeve tek Turizmi, se tani i kish hipur një frikë e madhe se mos rrëzohej, ngaqë duart i djersinin shumë kur shikonte poshtë shkëmbit lumin që rridhte i turbullt. Ai sikur e parandjeu atë që ndodhi, në fakt, pak ditë më vonë, kur, siç lëshon shqiponja gjarprin nga qielli, shkëmbi e lëshoi dhe e përplasi nëpër gurët e këmbëve të tij dhe nëpër rrënjët e pishave. U bë copash. Të gjitha kockat iu thyen. Që nga koka e deri tek gishtat e këmbëve. Mjekët ia hoqën fillin. E futën të tërin në allçi dhe e nxorën nga spitali të vdiste në shtëpinë e tij. Për arkivol nuk kish nevojë. Statujat prej allçie nuk futen në tokë me arkë. Ashtu, duke u lebetitur, ai pa nga dritarja një çift pëllumbash të egër, në ajrinë mbi qytet. Ishte vetëm një! Dikur ishin aq shumë, sa i bënin hije lumit.Tani…! E kuptoi se e kish zënë mallkimi I tyre! I kishte lënë pa fëmijë! Nuk iu lut zotit ta shpëtojë! Por vetes i premtoi se, nëse do kish jetë, të tërën do t’ua kushtonte pëllumbave.

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento