Nuk të dua si trëndafilin e bregdetit, topazin
apo thumbin e karafilave, që ndez zjarrin:
Të dua, ashtu, si diçka e padukshme duhet,
fshehur mes shpirtit dhe errësirës.
Të dua si lulen që nuk çel, por mbart
fshehur brenda vetes dritën e lulëzimit,
dhe falë dashurisë tënde, mavi mbi trupin tim,
lë aromën ngopëse, që nga toka ngrihet.
Të dua pa e ditur se si apo kur, apo nga ku,
të dua thjesht, pa probleme dhe krenari:
të dua kështu, sepse mënyrë tjetër nuk di.
Përveçse kështu, ku nuk ka as unë, as ti,
kaq shumë, sa mbi gjoksin tim e ndiej timen dorën tënde,
kaq shumë, sa që kur unë fle, sytë e tu mbyll.
Shqipëroi: Dritan Kiçi
(Shkëputur nga libri “100 sonetet e dashurisë”)
Neftalí Ricardo Reyes Basoalto u njoh me emrin e artit, Pablo Neruda, që më pas u bë edhe emri i tij ligjor. Lindi më 12 korrik 1904, në Parral, Kili. Poet, diplomat dhe politikan i shquar.
Ai botoi për herë të parë në moshën 13-vjeçare, me emrin Neftalí Reyes. Më 18 korrik 1917 botoi esen e tij të parë, me titull “Entusiasmo y perseverancia” (“Entuziazëm dhe këmbëngulje”), në gazetën e përditshme lokale “La Mañana”. Nga viti 1918 deri në mesin e 1920-s, ai botoi vjersha të shumta, si “Mis ojos” (“Sytë e mi”) dhe ese të tjera, po si Neftalí Reyes. Pas kësaj, për shkak se i ati nuk kishte dëshirë që ai të shkruante dhe botonte letërsi, adoptoi emrin Pablo Neruda, që do ta shoqëronte përgjithmonë. Mendohet se e ka zgjedhur këtë emër për shkak të poetit çek, Jan Neruda.
Si diplomat kaloi shumë vite në Madrid, ku u shoqërua me Lorkën dhe me poetët e tjerë spanjollë. Më pas kaloi në lëvizjen antifashiste, që u bë edhe shkak për largimin e tij nga atdheu, në të cilin do të kthehej më vonë sërish.
Në vitin vitin 1971 fitoi çmimin “Nobel për Letërsi”, i cili u kundërshtua shumë për shkak të aktivitetit të tij politik. Shkrimtari kolumbian, Gabriel García Márquez e quajti “Poeti më i madh i shek. XX”.
Neruda u shtrua në spital me kancer në shtator 1973, në kohën e grushtit të shtetit, të udhëhequr nga Augusto Pinochet, që rrëzoi qeverinë Allende, por u kthye në shtëpi pas disa ditësh, kur dyshoi se një mjek po i injektonte substanca helmuese, me urdhër të Pinochet. Neruda vdiq në shtëpinë e tij në Isla Negra, më 23 shtator 1973, vetëm disa orë pasi doli nga spitali.
Megjithëse u raportua gjatë se Neruda vdiq ngaqë zemra i pushoi për shkak të sëmundjes së tij, Ministria e Brendshme e qeverisë kiliane lëshoi një deklaratë në vitin 2015, duke pranuar një dokument të ministrisë, që tregon qëndrimin zyrtar të qeverisë se me shumë mundësi Neruda u vra si rezultat i “ndërhyrjes së palëve të treta”. Sidoqoftë, një test ndërkombëtar mjekoligjor, i kryer më 2013-n, hodhi poshtë pretendimet se ai ishte helmuar dhe theksonte faktin se Neruda vuante nga kanceri i prostatës. Pinochet, i mbështetur nga elementë të forcave të armatosura, nuk lejoi që funerali i Nerudës të bëhej një ngjarje publike, por mijëra kilianë të hidhëruar nga humbja mbushën rrugët në nderim të tij.
Të tjera nga ky autor:
- Pablo NERUDA: Poezi
- Dritan Kiçi: Si të shkruash një sonet
- Dritan KIÇI: Për llafet e botës
- Dritan KIÇI: Larg një shtrat
- Dritan KIÇI: Xhaketë mes beharit
- Letra dashurie: Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas
- “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit në Amazon nga RL Books
- Dritan KIÇI: Kënaqësia e Halimit
- Letra dashurie: Juliette Drouet për Victor Hugo
- Dritan KIÇI – Si të shkruash në 8 hapa një novelë të suksesshme
- Martin NIEMÖLLER: Në fillim erdhën për hebrenjtë
- Dritan KIÇI: Pa Besën kemi mbetur të pabesë
- Dritan KIÇI: Pulë e pjekur dhe byrek
- Dritan KIÇI: Te Mimoza Kuchly rrëfen jo vetëm gruaja
- Dritan KIÇI: Endje dhe ëndje
- Dritan KIÇI: Ca kupa verë me Perëndinë
- Mitrush KUTELI: “Dhimbje” poetike
- Charles BUKOWSKI: Po pi?
- Dritan Kiçi: Në krahët e tu të vdes
Be First to Comment