Press "Enter" to skip to content

Franz KAFKA: Parabola

Arratia

Urdhërova të më sillnin kalin nga stalla. Shërbëtori nuk më kuptoi.
Shkova vetë në stallë, shalova kalin dhe i hipa. Nga largësia dëgjova buçimën e një trumbete dhe pyeta shërbëtorin se ç’kuptim kishte ajo. Por ai s’dinte gjë dhe, madje, nuk kish dëgjuar gjë. Më ndali te porta dhe më pyeti: “Për ku po kalëron, zotëri?”.
“Nuk e di”, i thashë, “vetëm larg prej këtu, larg prej këtu. Me çdo kusht larg prej këtu; vetëm kështu mund të arrij qëllimin tim.”.
“Pra, ti e njeh qëllimin tënd?”, më pyeti.
“Po“, iu përgjigja, “sapo ta thashë: larg prej këtij vendi. Ky është qëllimi im.”.
“Ti s´ke marrë zahire me vete”, më tha. “Nuk kam nevojë”, i thashë, “udhëtimi do të jetë aq i gjatë, sa që patjetër do të më marrë uria e do më duhet të blej gjatë rrugës. Asnjë lloj zahireje s‘mund të më shpëtojë. Për fat, ky ka për të qenë udhëtimi më i vërtetë dhe i paparë ndonjëherë.”.

Kthimi në shtëpi

U ktheva. Kaloj përmes oborrit dhe vështroj përqark. Është oborri i vjetër i tim eti. Pusi në mes. Sende të vjetra të papërdorshme, të hedhura mbi njëra-tjetrën, pengojnë rrugën drejt shkallares. Macja përgjon mbi parmak. Një shami e grisur, dikur në lojë, kacavarur mbi një purtekë, davaritet në erë.
Unë mbërrita. Kush po më pret? Kush është prapa derës së kuzhinës? Nga oxhaku del tymi dhe era e kafesë së mbrëmjes. Jam në vendlindje; ndihem në shtëpinë time? Nuk e di, jam shumë i pasigurt. Është vërtet shtëpia e tim eti, por më bëhet e huaj kohë pas kohe. Më bëhet se gjithkush po merret me punët e veta, të cilat unë ca i kam harruar e ca nuk i kam ditur kurrë. Çfarë iu duhem unë atyre, çfarë jam për ta, edhe pse jam biri i tim eti, djali i bujkut të vjetër? Ende nuk guxoj të trokas në derën e kuzhinës; mbaj vesh palëvizur, prej larg, por jo ashtu si përgjuesit, që presin të vijë çudia. Ngaqë mbaj vesh prej larg, nuk zbuloj asgjë; dëgjoj vetëm trokun e lehtë të sahatit a, mbase më bëhet se e dëgjoj, qysh nga vegimet e fëmijërisë. Se ç’ndodh tjetër në kuzhinë, njerëzit brenda saj e mbajnë të fshehtë, e ruajnë prej meje. Sa më shumë ngurroj para derës, aq më i huaj ndihem. Po nëse ndokush tani hap derën dhe më pyet; a nuk do të ndiehesha edhe unë si dikush që do të ruajë të fshehtën e tij?

Franz Kafka
(1883-1924)
Franz Kafka lindi në Pragë, më 3 korrik të vitit 1883, në një familje hebreje gjermanishtfolëse. Pasi filloi studimet e larta për kimi, të cilat zgjatën vetëm dy javë, Kafka vendosi t’i vazhdonte ato për drejtësi, ndërkohë që frekuentonte edhe seminaret për histori arti dhe gjermanistikë në universitetin gjerman të Pragës. Në 1906-n u promovua “Doktor në Drejtësi” e më pas punoi në qytetin e tij të lindjes si nëpunës, në një shoqëri sigurimesh. Më 1917-n u sëmur rëndë nga tuberkulozi në mushkëri dhe vdiq në vitin 1924 në një sanatorium të Vjenës, në moshën 41-vjeçare. Kafka, në gjallje të tij, ishte pothuaj i panjohur. Të njohur e bëri miku i tij Maks Brod, i cili zotëronte gjithë veprën e shkruar letrare të Kafkës. Vepra e tij përmbledh tri romane: “Procesi”, “Kështjella”, “Amerika”, si dhe një sërë tregimesh të gjata dhe të shkurtra. Krijimtaria e tij ka si tematikë amullinë, problemet dhe nevojat e realitetit dhe njeriun që endet pa rrugëdalje përmes kërcënimeve të frikshme të fuqive të tij. Në këtë luftë mes synimeve për të qenë i lirë dhe shtrëngesave çnjerëzore, që ekzistojnë brenda tij, duhet të mbijetojë njeriu i Kafkës. Shumë nga tregimet e tij janë krahasime alegorike (parabola), të cilat transmetojnë kundërshtitë dhe paradokset e trankriptimit të botës reale në një realitet absurd. Krijimtaria e tij nuk mund t’i nënrenditet asnjë drejtimi letrar në mënyrë të pastër, me gjithë zërat e disa studiuesve si ekspresioniste e surrealiste. Është e rëndësishme të thuhet se veprat e tij kanë vlera të pazëvendësueshme artistike, janë tërheqëse për stilin e tyre krejtësisht të veçantë dhe ndjeshmërinë njerëzore, të pranishme edhe në realitetin e sotëm. Kjo është edhe arsyeja që krijimtaria e tij vazhdon të vlerësohet shumë lart nga lexuesit e përhershëm, duke shpërfillur kufijtë kohorë dhe ato gjeografikë të vendlindjes së saj.

Përktheu nga gjermanishtja: Anna Kove

Të tjera nga ky autor:

Be First to Comment

    Komento